Vende & Zakone

Kafeneja, dashuri e vjetër për shqiptarët - Nga Çapajev Gjokutaj

Kur udhëton nëpër Shqipëri, të bën përshtypje denduria e kafeneve. I has kudo, jo vetëm brenda qyteteve, por edhe në rrugët ndërqytetëse, madje edhe në fshatra të braktisur, ku ka më shumë shtëpi se sa banorë.

Në fakt kafenenë e kemi dashuri të vjetër. Shkrimtarë dhe publicistë të viteve '30 e shihnin si metaforë të dembelisë dhe të përgojimit.

Të tjerë shkonin më thellë, e shihnin si vatër molepsjeje. Shumëzonte dallkaukllëkun dhe infektonte edhe institucione më serioze.

Me ironi Fishta thoshte se 85% e deputetëve, pasi kalonin tërë jetën në kafene, shkonin fill e në parlament. Zaten, shtonte mjeshtri i satirës, “prandej u ba parlamenti kafehane”.

Kafehane, mejhane dhe skenë estrade, ashtu si ndo zot e kemi dhe sot. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar, përveç kllounëve.

Por kjo vetëm në vështrim të parë. Kafeneja ka ndryshuar në thelb, d.m.th. në vlerën simbolike të saj.

Vërtet kafenetë vazhdojnë të jenë simbol. Por tashmë nuk simbolizojnë aq dembelinë. Shënojnë më shumë impotencën e kapitalizmit ala shqiptar.

Shumica e kafeneve nuk janë hapur se ato egzistueset tejmbushen nga myshterinjtë, përkundrazi. Janë hapur se pronari i gjorë nuk gjen dot mundësi tjetër të mbajë frymën gjallë.

Si përherë mbetemi popull novator. Ligjin klasik të kapitalizmit “kërkesa krijon ofertën, myshteriu – kafenenë”, e kemi zëvendësuar me zakonin levantin “gjendet Kola në punë”.

Dhe pastaj çuditemi pse rinia merr udhët e botës, shumicën e herëve për të shitur krahun e punës, dmth për të bërë argatin.

©Çapajev Gjokutaj