Vende & Zakone

Emigranti i sotëm dhe kurbetliu i djeshëm - Nga Çapajev Gjokutaj

Fjalët “emigrim”, “emigracion” nuk e kanë ngarkesën dramatike që dikur përcillnin fjalët “kurbet”, “kurbetli”. Edhe këngët popullore për emigrimin janë fare pak, krahasuar me këngët e qëmotshme për kurbetin mbushur me mall, lot, vuajtje e dhimbje

Ç’të jenë shkaqet e këtij zhdramatizimi? Ndikon vallë fakti që bota është bërë më e vogël, që komunikojmë kaq shpesh e kaq plotërisht: me zë, me imazh etj? Një letër e kurbetliut, që thoshte aq sa mund të shkruajë gjysëm analfabeti, donte muaj të sosej, nëse sosej.

Mos vallë zhdramatizimi i emigrimit ka në themel ndihmesat e paçmueshme që emigrantët kanë bërë e bëjnë për të afërmit në mëmëdhe?

Pa paret e emigrantëve tranzicioni shqiptar do të kishte qenë shumë më dramatik. Por s’është vetëm ana materiale: Emigrantët bëhen urë integrimesh, përçojnë në jetën tonë një kulturë e edukatë tjetër etj. etj.

Mbase ky zhdramatizim buron edhe nga fakti që emigrimi sot është shumë më masiv se kurbeti dje. Një dramë që përjetohet thuajse në çdo familje vetiu krijon dhe inflacion.

Ka të ngjarë që zhdramatizimi të burojë edhe nga fakti se lidhjet e dikurshme familjare e farefisnore kanë qenë më të forta se sa të sotmet, kurse lëvizjet e shpërnguljet - jo vetëm jashtë - shumë më të rralla.

Ka edhe diçka tjetër që të shtyn të meditosh. Parë në rrafsh individual emigrimi ka boll dhimbje, vuajtje, mall e sakrifica. Vështirë të thuash se emigranti i sotëm e ka më të lehtë se sa kurbetliu i djeshëm. Sidomos fillimin. Në një shumicë rastesh është ilegal.

Atëherë pse ky shpërpjestim: individi e përjeton si dramë të thekshme, bashkësia e zbut?

©Çapajev Gjokutaj