Kuzhina e Nana Lajdes - Nga Ina Xoxa
Të gjithë ne kushërinjtë e parë i kemi shijuar gatimet speciale të kuzhinës së gjyshes sonë, Nana Lajdes, shoqëruar me shprehjen e saj të preferuar "Hani e mos bëzani". Unë kisha fatin si mbesa më e madhe të observoja e para ritualin ditor të Nanës që përfundonte me gatime që edhe sot na shfaqen në ëndërr....
Nana e fillonte ditën nga vetja. Lante sytë, hiqte këmishën e natës, vishte fustanin e ditës me përparësen, hiqte rripat e bardhë prej cope nga flokët që i mbante natën në vend të bigutinave, krihej, vinte karficat ndërsa ondet i rrinin kurorë. Ulej në minderin e kuzhinës, pinte kafen e mëngjesit me një cigare dhe priste kallaballëkun të mbaronin përgatitjet për punë duke i kujtuar për gjëra të rëndësishme "mos harro të marrësh çadrën" etj. Kur dilte edhe i fundit nga shtëpia i bënte gjyshit listën e pazareve dhe e niste me rrjetën klasike në dorë. Pastaj vija unë, gjimnazistja. Unë isha korrierja e fshatit që sillja te nana ato që ajo i preferonte nga fshati dhe i sillja mamit tim ato që nuk gjente në fshat. Unë preferoja të zbrisja Malin në këmbë pasi Saranda nuk ishte shumë larg. Në çdo stinë përgjatë shtegut më shoqëronin shkëmbinjtë, shkurret e monopateve dhe kundërmimi i papërshkrueshëm i luleve të egra, në asfalt pishat e larta të gjelbra tatëpjetë shpatit të malit dhe më poshtë shpalosej tabloja e detit Jon me nuanca pafund të blusë përshndritëse dhe arome jodi e lulishtesh. Mirëpo, zbritja me këmbë edhe pse me një peizash kaq piktoresk, kishte çmimin e vet, baltën e kuqe të Malit të Gjashtës që më mirë të quhej Mali i Kuq. Çdo rrugë a shteg që të merrje për të zbritur a ngjitur malin nuk i shpëtoje dot baltës edhe kur mundoheshe të kërceje gur më gur ose të zgjidhje me marifet ndonjë rryp toke me zhavorr, pa llucë. Kur më në fund shkelje në asfalt kishe marrë fund domethënë ishe llangosur me stampa balte të kuqe deri te xhupi. Në ditët me rrebeshe shiu, këpucët e çorapet e mia jo vetëm që bëheshin me baltë por edhe lageshin qull. Kur mbërrija te Nana ndërrohesha e vishja këpucët dhe çorapet e tezes që nana i ruante në një cep për ditët me shi. Këpucët e mia me baltë Nana i lante dhe i thante te soba që t’i kisha gati kur të kthehesha nga shkolla. Para se të hapja derën e jashtme për t’u nisur për në shkollë, më "nalte" nana në korridor. Më shifte nga të gjitha këndet duke thënë:
"Pa këtu! Pa! ...aa shumë mirë", më puthte në të dyja faqet dhe më përcillte te dera duke më kujtuar të mos harroja të kthehesha te nana pas mësimit, para se të nisesha për në fshat.
Pastaj Nana hapte dritaret dhe fillonte rregullimet e krevateve nga gjysmë dhomë pritje/gjysmë dhoma gjumi e saj. Kishte mobilje të vjetra me dru të errët te gdhendura bukur me finesë, piktura antike me korniza të rënda, perde damasku me tyl në mes dhe mbulesë krevati mëndafshi. Mbulesat e krevateve dhe perdet e shtëpise ishin blerë në Kinë sipas shijes së gjyshit në një nga udhëtimet e tij. Pasi mbaronte sistemimet e sirtarëve dhe të gjitha "rrokotelave" nëpër vende, shtëpia dukej si kuti. Nana ishte shumë e rregullt. Çdo dollap, sirtar, çdo cep ishte i sistemuar: rroba të palosura dhe çdo gjë në vendin e duhur.
Apartamenti nuk kishte as ballkon, as aneks, kështu që Nana gatuante në kuzhinë. Në kuzhinë ishte soba me dru, tavolina e rëndë prej druri me këmbë të gdhendura, karriket, lavamani me dollapë sipër e poshtë, një bufe tipike si ato që kishin të gjithë dhe minderi i famshëm i Nanës nën pezulin e gjerë të dritares, nga ku mund të shihje detin blu të gjirit të Sarandës që valëzonte 100 hapa larg...
Nana fillonte përgatitjen e drekës me qërimin e qepëve, larjen e perimeve e frutave që sapo kishte sjellë gjyshi nga pazari. Ai ndërkaq nisej për të luajtur Domino në shëtitoren që fillonte te "Jani Gozhda" e mbaronte te portokallet përtej Turizmit "Butrinti".
"Jani Gozhda" ishte nje lokal i vogël por me lulishte e verandë të madhe. Në banak shërbente Jani që i kishte ngelur nofka Gozhda. Ky lokal mua më dukej si një anije e madhe gërdalle transporti pa kiç e pa bash, e ngecur në breg të detit mbi një skelet hekurash ngjyrë kafe të errët. Lokali dukej si kabina e kapitenit mbuluar me llamarina të ndryshkura e me xhama të mjegullt. Jashtë, "Kuverta" e anijes/lokal ishte e mbushur plot me njerëz që pinin aranxhata, birra, kafe etj., rreth tavolinave metalike me mbulesa me katrorë ose pa mbulesa fare. Njerëzit uleshin në karriket metalike që ishin kaq të vjetra e delikate sa dukeshin sikur do të thyheshin në mes dhe po t’i lëvizje sadopak, gërvishnin sheshin prej betoni kokrra-kokrra me një tingull çjerrës që të ngjethte mishin. Kuverta e anijes/lokal rrethohej me një parmak me 3 rradhë hekurash cilindrikë, si tubo, lyer më kot me bojë vaji bojëqielli, pasi kripa e valëve të detit ua nxirrte në pah ndryshkun shumë shpejt. Në shëtitoren e gjatë kishte pemë pafund që përkëdheleshin nga flladet e buta të detit kaltërosh por edhe "ndëshkoheshin" me shkundje e tundje sidomos në Dimër kur era e çmendur e ngrinte detin përpjetë dhe e përplaste mureve të larta të bulevardit. Stërkalat e xhindosura shkumëzonin mbi pemë por kurrsesi nuk e venitnin gjelbërimin e tyre të përhershëm. Brezi i pemëve të shëtitores fillonte me ekualiptet e lartë te "Jani Gozhda", me pisha të vjetra nëpër to. Vazhdonte me palmat, mbjellë pothuajse kudo, akaciet me lulet e bardha ose lejla si pupa të mëdha rrushi, me dafinat, pishat bile edhe me pemë bananesh pa fruta etj. Një bukovile e madhe lulëzonte përgjatë murit te "Bar Lulishtja" përballë Mandraqit (limanit). Aromat e gatimeve te zgarës, birrave dhe tingujt e orkestrës famoze të “Bar Lulishtes” tërhiqnin vëmendjen e gjithë xhiros sidomos kur njerëzit kalonin afër. Më tutje kacavirrej bukovilja tjetër nëpër murin/ballkon me parmakë te bardhë te Banjat publike, pastaj shihje pishat e larta përpara Shtëpisë së Pionierit ku fëmijët mblidhnin pefka të mëdha (bohçe pishe). Pefkat i çanin me gurë qe të merrnin stikat. Shijes së njomë të stikave u shtohej dhe aroma e athët, e freskët, unike e bohçeve të pishës mesdhetare. Mbrëmjeve, kur ishe pjesë e kortezhit të zhurmshëm të xhiros, në një anë të shoqëronte deti blu me reflektime dritash ngjyra-ngjyra dhe në anën tjetër lulishtet origjinale sarandiote me pemë e lule deri te Turizmi. Më tutje vazhdonte mali me shkëmbinj, gjineshtra, cfaka, shkurre të egra, lule e frangofiq.
Gjyshi ulej te stolat e lulishtes afër bustit të Hasan Tahsinit, vend i prenotuar për pensionistët. Kurorat e pemëve të larta lëshonin hije të mëdha që të freskonin goxha bashkë me puhizën e lehtë të detit, sidomos gjatë Verës së nxehtë. Shkurret mesdhetare si dafinat dhe oleandret me ato lulet karakteristike rozë, që kur i këpusnim na ngjisnin nëpër duar si vinovil i bardhë, krasiteshin me shije nga lulishtarët, në formë "muresh" me gjethe e tunele dekorative nëpër to, ku ne kalamajtë luanim "Mbillosiri" (Symbyllazi). Mbi kapelet republike të gjyshërve ulur mbi stola, ku kërciste Dominoja dhe Shahu, hapej kurora e luleve kineze si ombrellë e stërmadhe. "Lulet kineze", siç i quanim ne, ishin pemë të larta me gjethe si të mimozave me lule fije-fije si fishekzjarre. Çdo lulesë formohej nga një tufë fijesh dyngjyrëshe si mëndafsh i butë, në bisht të bardha e në maja rozë në lejla. Nga larg dukeshin si shtëllunga leshi rozëbardha prej sheqeri (cotton candy) qe lëshonin nje aromë të mrekullueshme...
Por le ti lëmë bukuritë magjepsëse të Sarandës dhe gjyshin te Dominoja e të kthehemi te Nana që vazhdonte me përgatitjen e drekës. Nana i vendoste të gjithë përbërësit e gjellës dhe embëlsirës se drekës në pjata dhe kupa të veçanta, njësoj siç përgatiten sot videot e gatimeve në Youtube. Kuzhina e Nanës ishte gjithmonë xixë si gjatë përgatitjes së drekës, edhe gjatë ngrënies apo vizitave, pasi ajo lante në çast dhe vinte në vend çdo pjatë, pirun, lugë e gjithçka përdorej. Nana shoqet e saj i priste në kuzhinë. Bënte muhabet, i qeraste, pinin kafe ndërkaq që ajo vazhdonte të gatuante gjellën dhe shikonte byrekun, tavën ose ëmbëlsirën nëse ishin pjekur, pasi gjyshi e donte drekën fiks në orën 12 si puna e përrallës së Hirushes.
Menuja e drekës përfshinte 5 servirje: Supë, sallatë, gjellë/tavë me perime me ose pa mish, ëmbëlsirë dhe frut. Shërbehej me turne. Gjyshi i pari pastaj vija unë korrierrja në një e gjysmë dhe më servireshin të gjitha. Unë kisha strategji javore që e kisha perfeksionuar nga përvoja. Përfitimi im, si korrierja dhe furnitorja fshat-qytet, ishte që mund të zgjidhja ku të drekoja. "Te hënën e fasuleve" të mamit dhe ditën që mami gatuante presh, haja te Nana edhe pse babi me ngacmonte me humor:
" Tradhëtare!! Ha gjelle borgjeze me 5 servirje"!
Pasi mbaroja drekën unë, vinte daja Koli që punonte orar pa orar, pasi ishte anestezisti i vetem i qytetit dhe i duhej të mbulonte edhe Spitalin edhe Maternitetin. Nana ulur në minder me bërrylat mbështetur mbi tavolinë i shoqëronte të gjithë me pyetësorin klasik te sezonit pyetje-përgjigje. "Qyqja sa vjeç ishte?"
"Au mor korb, sa i ri!", thoshte kur merrte vesh nga daja që operacioni nuk kishte dalë me sukses...
Kuzhina dhe Nana në minder ishin dëshmitare të gjithçkaje që ndodhte në shtëpi: këpucët e reja provoheshin aty, fustanet e reja, receta të reja gatimi, thashetheme qyteti, fshati, kafe, cigare, gjumë vape, të gjitha shoqëruar me aromat e mrekullueshme të gatimeve të Nanës ku mund të veçoj: mishin me pistil në tavë balte, tavën e kosit, imam bajalldinë e famshme etj., ballakumet, tollumbat, suxhukun prej çokollate të mbushur me reçel, biskotat me verë, karkanaqet, pijet e bëra vetë si: liker me verë të kuqe, liker me esencë limoni që sot e kuptojmë që shijonte njësoj si limonçelo.
Në Verë kuzhina gumëzhinte nga përgatitjet për të pritur sa më mirë kushërinjtë plazhistë nga Tirana ose Elbasani. Në kuzhinë Nana gatuante "surpriza" si petulla dhe biskota për plazhistët, nga një pako të madhe për familje. Pakot, që i çoja unë ose tezja e vogël drejt e në plazh, priteshin me brohoritje. Po në kuzhinë bëhej plani i ditës: kush do të merrte qumështin e kosin, kush do të çonte tepsinë e madhe në furrë, kush do e merrte etj., etj., Mikpritja e Nanës, gjyshit, tezeve e dajave ishte shembullore. Ata nuk mërziteshin kurrë nga njerëzit edhe pse ishin shumë për një apartment me një kuzhinë e 2 dhoma gjumi. Gjyshi edhe pse djalë i vetëm dhe pa farefis ishte shumë bujar dhe nuk e bezdiste fare rrëmuja. Plazhistët ishin të gjithë nga ana e Nanës që kishte 6 motra, 2 vëllezer e 20 nipër e mbesa. Gjyshi çohej herët që të bente pazar të mirë dhe Nana mundohej të shpaloste gjithe talentin e saj në kuzhinë që të kënaqte mysafirët. Të gjithë uronin Nana Lajden për duart e arta.
Nanën e donin shumë të gjithë komshinjtë e miqtë me të cilët ndante miqësinë dhe recetat e saj speciale. Çdo 7 Mars i vinin për vizitë, edhe pasi doli në pension, fëmijë nga Shtëpia e Fëmijes ku ajo punoi si nëndrejtoreshë. Nana e cilësonte si ditë të veçantë dhe i përgatiste qerasjet me shumë dashuri e gëzim. Ishte gojë-ëmbël, pa "shamatë", gjente gjuhën e duhur me të gjitha moshat dhe karakteret. E quanim zjarrëfikëse, pasi dinte të shuante çdo debat të "Jugorëve" pa bërtitur kurrë, ashtu amël-amël e me lezet.
Kur isha mysafire te Nana, pasi hahej edhe darka, më në fund minderi i kuzhinës bëhej i imi. Ulur majë minderit bëja detyrat dhe pasi i mbaroja, kisha shumë qejf të soditja nga dritarja detin e kalimtarët ndërsa në Verë nuk ngopesha me aromën e jodit të detit përzier me aromen e luleve mesdhetare që flladi i erës e sillte brenda kuzhinës pa ballkon. Në minderin e kuzhinës kam kujtime të paharruara. Kur isha 4-5 vjeç çdo mëngjes në dritaren mbi minder dilte Nana e më shoqëronte me sy sa të kaloja rrugën me makina derisa silueta e përparëses sime të bardhë zhdukej në rrugicën e Kopshtit pa drekë pas Stadiumit/Këndit të Lojrave me Dorë. Në minderin e famshëm të kuzhinës Nana më rrëfente përrallën e "Derrkucit Dembel" me aksentin e saj elbasanas dhe me një aktrim që më shashtiste, ndërsa drutë e sobës kërcisnin në sfond. Ulur te minderi shpesh dëgjoja me ëndje copëza fjalori bisedash të mamit tim me nanën. Si mami im, si nana, ishin rritur nga Moma, Efja, në lagjen Kala të Elbasanit dhe kur bisedonin bashkë me çuditnin mua, lindur e rritur në Jug, me fraza si "mimnjes, si ke nji, ime, karafil n'taze, t'lyn, voj ullinit, groshë, gjymës bardhaku ujë ose i gastare ujë, e amël, ksisoj, asisoj, t' shplaftë e t'mfshiftë mortja, ty raftë mishi përdhe, etj etj". Te minderi ndaja me Nanën përshtypjet e librit "Një Kronikë në Gur"(Kako Pinua ishte personazhi i preferuar për të dyja ne), "Kalorësit e Skënderbeut", diskutonim përfundimin pa kuptim të filmit të huaj të TVSH-së një natë më parë. Filmi zakonisht ishte francez dhe përfundonte pa zgjidhje ose me një fund me "nënkuptime". Po të mos kishte njeri në shtëpi, Nana merrte në telefon dajat që ta sqaronin për përfundimin e filmit sepse nuk e zinte gjumi. Shumë herë unë e Nana uleshim majë minderit e skanonim nga dritarja veshjet e njerëzve që ishin "ngref" për xhiro, ndërsa burrat e shtëpisë "shifshin top" në televizor gjë që nana e kishte shumë inat.
Qeshja me komentet e saj kur vishja pantallona me pulovra të gjerë sipër. "Qyqja si qenke vesh? Planca planca!". Kishte sqimë në veshje dhe i pëlqenin shumë fustanet.
Gjatë ditës, në pushimin e drekës, kuzhina e Nanës shndërrohej në klub ose mencë. Vinin dajat, nuset e dajave, mami dhe babi im etj, e ia nisnin muhabetit që shoqërohej gjithmonë me byrek, ëmbëlsirë e kafe. Ndërkaq Nana shijonte diçka speciale që i kishin sjellë si akullore ose fiq të ftohtë që i pëlqenin shumë. Sa herë hapej dera e shtëpisë, Nana na priste me buzëqeshje dhe me duart plot. Sot ajo shfaqet në kuzhinat tona sa herë pyesim veten "Çdo të gatuajmë sot?" Mall...
©Ina Kocaqi Xoxa












