Vende & Zakone

Xhaketa e Xhaferit - Nga Gëzim Zilja

Xhaferi binte në sy të fëmijëve për këmbët e holla e të gjata, si të lejlekut, ku pantallonat lëviznin lirisht nën kërcinjtë kockanjarë, kokën me majë, të qethur zero dhe trikon e leshit, ngjyrë qepe, që i vinte deri te gjunjët.

- Ta ketë, - kishte thënë e ëma, pasi e kishte mbaruar - dhe për vitet e tjera, se do zgjatet si i ati. Në klasë të tetë trikua i vinte deri te rripi i pantallonave. As që i bëhej vonë fare, madje as për emrin e ri që i kishin vënë shokët: skërfyell. Në vit të parë gjimnaz Xhaferi ishte zgjatur aq shumë, sa trikua i binte mbi kërthizë, nga i dukej barku, gati ngjitur pas kurrizit. Trikua e kishte humbur ngjyrën e qepës dhe vinte laramane. Kopsat ishin ndërruar me kohë dhe nga gjashtë kishin ngelur vetëm vetëm tre: dy ushtarake dhe një grash.

- Nuk shkoj më në shkollë po nuk më bëtë xhaketë të re, - i dha ultimatum të ëmës. - Nuk bëhem më gazi i botës. Po ishte e vështirë. Prindërit të dy punëtorë nuk mund të siguronin më shumë të ardhura dhe kishin plot katër fëmijë. Xhaferi nguli këmbë si cjapi. Nga fundi i shtatorit e ëma e çoi te rrobaqepësja e lagjes për të marrë masat për xhaketë të re.  - Do të më shikoni, se kush do tallet tani, - u tha shokëve. Në shkollë, me xhaketen e re, Xhaferi lëvizte gjithë krenari kokën e tij me majë, që dilte mbi gjithë të tjerat dhe thoshte: - Hë ore, po tani pse nuk thoni gjë, ëëë. Aty nga viti i tretë gjimnaz, xhaketa iu kap në një gozhdë në palestër dhe u gris. U zbulua apo u muar me mend pak rëndësi kishte: Rrobaqepësja plot finesë kishte “kthyer” si thuhej asokohe xhaketën e të atit…

- Më mirë kishe trikon me kopsat ushtarake se këtë... - e qësëndisën shokët. Bëri sa mundi sherr me prindërit por fati i xhaketës ishte vulosur. Do ta mbante deri në fund të shkollës së mesme; kur të shkonte në universitet do t’i blinin një frigo të re dhe jo të zezë. U kandis Xhaferi. E drejta e studimit i doli për letërsi po punë e madhe. Mjafton të bënte shkollën e lartë. Bëri sherr për një xhaketë të re, por nuk ia doli. Ajo e vjetra kishte marrë tashmë nja dy mballoma të brrylat e ngrënë.

- Është përforcim nuk është arrnë. Copa mban ende, - i kishte thënë e ëma. U betua: Deri në nëntor do të priste, ndryshe do të linte studimet. Në fund të nëntorit Xhaferi u shfaq me xhaketën e re fringo, me kuadrate e dy të çara mbrapa. Skërfyell ishte prapë, po dukej i bukur. E veshi, doli jashtë, u fut brenda, pastaj shëtiti me nge, nga salla e madhe e studimit, nga biblioteka, nga menca, nga konviktet e vajzave… Pasdite, ulur mbi krevat rrotullonte i menduar në duar xhaketën e vjetër dhe e krahasonte me të renë. Mund të mbante dhe ca ajo e vjetra!? Pse ta hidhte poshtë? Le t’ia dhuronte dikujt. Po kush ishte ai student, që mund të vishte xhaketën e stërkthyer e me arrna? Pasdite, ashtu fshehtas nga shokët, doli jashtë dhe e vendosi mbi një gardh te disa shtëpi të vogla qerpiçi në kufi me qytezën e studentëve. 

- Do kalojë ndonjë varfanjak e do ta marrë, - mendoi. I vinte aq keq ta hidhte në plehra… U fut në dhomë, pa xhaketën e vjetër dhe gjithë krenari u deklaroi shokëve: - Shkova te ato shtëpitë poshtë. Po kur më dolën ca gra: ma jep mua për burrin njëra, e ma jep mua për djalin tjetra. Ore më shqyen keni parë ju apo jo? Madje njëra donte të më jepte dhe ndonjë lek, por unë nuk pranova. Ia dhashë asaj që po më lutej për djalin… Ca e dyshimtë ajo puna e pagesës por shokët e lanë me aq -Bravo! Paske bërë sevap, - i thanë. Aty nga ora gjashtë e gjysmë e mëngjesit ndërsa studentët (ishin pesë shokë në dhomë nga i njëjti qytet) po bëheshin gati të dilnin, dera troket me forcë. Dikush e hapi dhe para derës u shfaq portreti i dashur dhe i pafajshëm i pastrueses së konviktit.

- Ç’patët me xhaketën more të uruar!? - iu drejtua me fytyrë qortuese studentit, që hapi derën. -Këto nuk janë shaka! E gjeta te gardhet poshtë. Shyqyr që nuk e kishte marrë njeri?!  Pastaj iu drejtua Xhaferit: - Merre të keqen nëna se jashtë ka filluar ftoma! Nuk është aq e vjetër. Mban dhe ca kohë. Xhaferi shtangu, shokët nuk u ndjenë dhe nuk bënë humor si përherë. E mori xhaketën, e vari me kujdes në kremastar dhe e futi në dollap.

Pas shumë vitesh edhe pasi Xhaferi mbaroi studimet, xhaketën nuk e lëvizi njeri nga dollapi, aty mbeti. U kthye në një lloj ikone. Vinin studentë nga gjithë fakultetet djem e vajza sidomos para provimeve. E shikonin, e preknin me gishta e largoheshin të sigurt që sillte fat. Aty ka qenë deri vonë. Godina 14, dhoma 103, kati i 4-t.

©Gezim Zilja