Kulaçi i Shën Vasilit - Nga Klodi Stralla
Vite më parë, në fëmijërinë time, për komunitetin ortodoks të Korçës, 1 Janari, festimi i Vitit të Ri, ishte një ngjarje dytësore, që formoi traditë sidomos me ateizmin komunist të pasluftës. Festa e vërtetë ishte ajo e Shën Vasilit, ku të gjithë ata që quheshin Vasil, Vaso, Vaskë, Vasilika, festonin emrin. Vëllai i tim eti quhej Vasil, një agronom i specializuar në frutikulturë, liceist dhe i diplomuar në Francë. Emri i tij festohej edhe në familjen tonë sa kohë rronte ime gjyshe, brezi i të cilës i ndiqte me rigorozitet ritet fetare.
Por Shën Vasili kujtohet edhe për një ndodhi që lidhet me traditën e gjetjes të monedhës në lakror, ëmbëlsirë apo kulaç (sipas traditave vendore), pikërisht në drekën e 1 Janarit, ditën e parë të Vitit të Ri. Këtë vit paraja i ra mbeses time, Amelias, që nëna Rozi e donte aq shumë!
Ja si e tregon gojëdhana:
Në atë kohë ishte zakon që sa herë Perandori kalonte në një qytet, përfaqësuesit e atij qyteti duhej t'i dhuronin dhurata të shtrenjta, kryesisht ar ose gurë të çmuar. Kur perandori Julian Apostati po kalonte nëpër Qesari (qytet), Vasili i dërgoi disa bukë elbi. Perandori, i cili priste dhurata të çmuara, i ktheu mprapsht me përbuzje duke i dhuruar qytetit disa tufa me bar, në shenjë talljeje. Vasili i çoi fjalë: “Ne të dërguam atë që hamë vetë, të shpresojmë se dhe ti na dërgove atë që ha vetë...”.
Kjo ironi ishte aq e madhe, sa perandori premtoi që pasi të kthehej nga beteja ku po shkonte, do e shkatërronte atë qytet. Njerëzit e trembur u mblodhën në kishë dhe Vasili i inkurajoi të luten dhe të mos tremben, se Zoti do e mbronte këtë qytet të krishterë. Përveç kësaj u kërkoi që secili të sillte ar dhe bizhuteri që t'ia jepnin perandorit, që të zbutej dhe mos e shkatërronte qytetin.
Të nesërmen në Qesari mbërriti lajmi se perandori pagan, Julian Apostati (nipi i perandorit Kostandin), i cili u mundua të rikthente adhurimin e idhujve, ishte vrarë në betejë. Qyteti u gëzua që shpëtoi nga inati i perandorit dhe njerëzit u mblodhën në kishë që të falenderonin Perendinë shpëtimtar, Zotin që i çliroi nga duart e armikut të tyre.
Por, çështja ishte se si do të rishpërndaheshin monedhat e arta që populli kishte sjellë. Vasili propozoi që të bëhej nga një kulaç, ku të futej një monedhë dhe çdokush të merrte një kulaç dhe ajo që do i binte, do ishte monedha që i takonte. Dhe kështu u bë. Për çudinë e të gjithëve, u pa se secilit i kishte rënë monedha që kishte sjellë në kishë për t'ia dhënë perandorit.
Kjo çudi kujtohet çdo vit, kur njerëzit në datë 1 janar vendosin një monedhë në byrek, kulaç ose ëmbëlsirë dhe kjo monedhë i bie njërit prej anëtarëve të familjes dhe për të kjo konsiderohet mbarësi.
©Klodi Stralla










