Durrësi dhe Saga e ujit - Nga Bamir Bebeziqi

Në vizitën time të shkurtër para një muaji në Durrës, me Markon, shokun tim, shkuam të shikonim se si janë rritur ullinjtë tanë, mbjellur tek Kisha Ortodokëse lart, rrugës për tek vila. Para se të arrija atje, disa metra poshtë kishës, ndalova në një si gropë anës rrugës e u zgjata të shikoja diçka që më është ngulitur në kujtesën time qysh fëmijë. U zgjata të shikoja a ndodhej akoma burimi i ujit aty. Besoj se durrsakët e vjetër e kujtojnë atë burim, i cili na hiqte etjen ne kalamajve kur vinim nga Plazhi i Currilave, apo kur shkonim tek Vila… Burimi për fat të keq ishte i tharë e nuk dallohej fare gjurmë uji. Eh, si vika puna!
Uji, sa jetik për njeriun, për kafshët, për bimësinë! Sa shumë gëzohemi pas nje etje të gjatë e gjejmë ujë, vetëm ujë. Sa filma kemi pare, ku personazhet edhe në prag vdekjeje vetëm ujë kërkojnë. Edhe nëna ime, ato ditë të agonisë së saj, vetëm ujë kërkonte e gëzohej kur ujin ia jepja me lugë, e mirënjohja e saj qe e pafund, sikur i kisha dhuruar diçka të shtrenjtë.
***
U linda në Durrës në një shtëpi ku sot është Amfiteatri, e kujtoj vetëm një çezmë që kishim, në nevojtoren poshtë shkallëve, çezmë shumë e ulët e unë nuk mundesha të pija ujë drejt prej saj, por preferoja më mirë të shkoja lart tek Kisha Ortodokse, se aty kishte një burim uji që vinte me vrull e unë bashkë me ujin, gjeja edhe freskinë që mbyste nga pak zhegun e vapës gjatë verës.
Kur u shpërngulëm tek pallati, ku familja ime banon edhe sot, shpesh si fëmijë kur na kapte etja e ishim qullur nga djersa, merrnim vrapin e shkonim tek oborri i një shtëpie pas Ambulancës, se aty gjendej një çezmë e nuk mungonte uji kurrë dhe ne kalamaj njëri pas tjetrit, për t’i shtuar kënaqësinë e të pirit ujë, vinim buzët e pinim drejtpërsëdrejti, e buzët tona të njoma bashkë më ujin, thithnin edhe oksidin e çezmës prej bronxi që nxinte e kishte kohë që kishte humbur shkëlqimin e parë.
Por historia jonë më ujin është e lidhur edhe me plazhin.
Sa herë kemi marrë rrugën bregut të detit, nga “Apollonia” apo “Hekurudha” për në “Iliria”, vec për ujë, se atje vinte uji i Selitës dhe ishte shumë i freskët, i lehtë e i këndshëm krahasuar me ujin e rëndë e të vakët tek “Hekurudha” apo “Apollonia”.
Uji Selitës. Durrsakët besoj se e kujtojnë ujin e ftohtë që sa herë mbushej nga çezma, brokja vishej nga jashtë me bulëza uji. Tirana ishte me fat se ujin e Selitës e kishin kudo nëpër qytet, por uji Selitës nuk mund të përmbushte nevojat e Tiranës e Durrësit, e shpejt Durrësi nuk pati më fatin të pinte ujin e saj. Uji filloi të vinte nga Fushë-Kuqe, e ndryshimi ndjehej.
Nejse, qëllimin e shkrimit nuk e kam këtu, e kam se e fillova jetën në Durrës e deri më sot problemi i ujit për qytetin nuk është i zgjidhur.
Njerëzit vetë, me kalimin e viteve kanë gjetur zgjidhje por shteti, apo pushteti lokal, nuk i dhanë që nuk i dhanë zgjidhje këtij problem jetik.
Kur në shtëpitë tona hynë makinat larëse e më pas filluam edhe përdorimin e dushit, duke zëvendësuar të larën me kanoçe e kazan, lindi edhe nevoja ujit e si rrjedhojë lindi nevoja e depozitave të ujit.
Njerëzit filluan të vendosnin nëpër nevojtore depozitat, me të cilat i dhamë një zgjidhje problemit, por qëllonte shpesh që uji nuk vinte në 5 të mengjesit e do dilnim me kazanë e kova të mbushnim ujë nëpër lagje, sidomos ne që banonim në katet e larta. Me kova e me gjyma e kujtoj fëmijërine time gjatë muajve të verës, e mbushnim ujë sa tek shtëpia e Tan Mujkës, usta Rexhep Çitakut, tek shtepia e Tur Veljes, e nganjëherë mbushnim ujë edhe tek një çezmë e ulët tek oborri i NISH Gomës.
Uji krijonte kaq stres në shtëpi, sidomos për tim atë, i cili gjatë gjithë jetës u çua në 5 të mëngjesit për të mbushur shishe e bidona e nganjëherë kur gjumi nuk i dilte, ndjehej fajtor se nuk kishte mbushur ujë.
Me ardhjen e demokracisë një nga premtimet e para që dëgjohej, ishte për të siguruar ujë 24 orë.
A u realizua?
Kam 23 vjet larguar prej Durrësit e kam shkuar plot herë ta vizitoj këto vite, por gjëja që vë re dhe më duket se nuk nuk do zgjidhet kurrë, është problemi i ujit. Në Durrës për fat të keq ujë të rrjedhshëm nuk ka. Nuk kishte kur e lashë në 2000, as kur shkova në 2005, as në 2009, as në 2013, as në 2015, as në 2019 as në 2023.
***
-Eda, a e ndeze pompën e ujit? - debati i përditshëm në familjen time në Durrës.
-E ndezi Shaba, - përgjigjet Eda.
E duhet patur parasysh se familja ime jeton në mes të Durrësit e nuk ka gjë më të dhimbshme, që ai pallat i bukur lëngon nga pesha e depozitave të shumta të ujit mbi taracë e ndjen të dridhurat e pompës së ujit për çdo ditë, se po nuk pate pompë, harroje ujin.
Kaq e vështirë qenka, për të zgjidhur problemin e ujit në Durrës? Edhe romakët e zgjidhën atë problem 2000 vjet më pare. Aquaducti i tyre që sillte ujë nga lumi Erzen diku pranë fshatit Romanat i ka akoma gjurmët e veta edhe sot.
© Bamir Bebeziqi