Vende & Zakone

Berati, shpirti i pavdekshëm - Nga Artan Fuga

Artan Fuga

Ka një shumicë zhurmëbërëse që kujton se meqë beratasit nuk lëvdohen për qytetin e tyre, që i gjithi ka gëluar kulturë, pasuri shpirtërore kombëtare, poezi, këngë, dashuri, mirësi, butësi dhe respekt për të tjerët, dashuria jonë për qytetin e të parëve nga Murat Çelepia në Vakëf, nga Gorica në Kala, u duket e zbehtë.

Beratasi nuk krenohet, por, brenda zjen llavë shpirti. 

Berati i kodikëve, ku Kalaja në çdo gur është shpirt, i pavdekshëm, na shoqëron në çdo fjalë.

Ku Onufri na sjell gjurmë madhështore qytetarie.

Ku kënga qytetare tingëllon në çdo zemër qytetari autokton.

Ku arkitektura vertikale urbane bashkëjeton me fqinjësinë e mirë si vlerë e parë, ku qytetari ruan shtëpitë e buta ngritur mbi njera-tjetrën, çka ndodh vetëm në një qytet ku ka dashuri dhe jo grindje, ku ka organizim horizontal, që vjen nga vlerat dhe jo nga autoriteti i një burokracie të ftohtë.

Ku odatë mbanin era pastërti, aromë ëmbëlsirash, likosh, gjellësh të shijshme të përgatitura nga Abllatë e famshme, me duart e bardha borë, si napat, si perdetë, si shamitë e kokës, si shpirti.

Beratasit nuk vendosin regjionalizmin mbi kombin, ruajnë shqiptarinë mbi të gjitha, myslimanë, ortodoksë, vllehë, çamë, romë, janë vëllezër, që kanë bashkëjetuar në paqe dhe mirëkuptim, nën tingujt e këngës beratase, me vargje të paarritshme, kënduar nga kore qytetare madhështore, në ditë festash dhe një shoqërie të butë, plot dinjitet dhe burrëri.

Ngrije kokën Berat! Je shpirt i pavdekshëm!

© Artan Fuga

Foto kryesore: Giovanni Mereghetti