Air Presh - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka
Atë ditë erdha vonë nga puna e ngarkim shkarkimit të mauneve, që bëra për plot tre vjet. Sa hoqa shpejt një pulovër që e kisha mbytur në djersë u nisa drejt banjës të bëja shpejt një dush. Dush ato vite i thoshim një kazani me rezistencë lavatriçeje në fund, që pasi ngrohej e terezitnim temperaturën me dorë. Vendosnim pëllëmbën te kazani e shtonim ujë të ftohtë me kanoçe nga sipër. Një zgjidhje që na sillte kënaqësi kur laheshim se kishte prurje uji boll dhe duart i kishim të lira për t’u fërkuar e për të lozur me sapunin e Rrogozhinës.
Por nuk isha me fat. Shoh në banjë, mbi një fuçi plastike që e mbanim me ujë përherë, një nga binjaket e mija. Kishte hapur një libër dhe lexonte.
-Pse këtu mësohet? - qesha.
-Po ku? Te dhoma mëson motra. Te kuzhina mami po gatuan e hekuros…
Kishte të drejtë. Aq shtëpi kishim. Një dhomë e kuzhinë,fiks 52 metër katror.
Doli nga banja e iu futa dushit. Por dhe i merakosur. Kur dola, sa u ulëm në tavolinë për darkë u thashë:
-Do e shes shtëpinë. Do blejmë një apartament ku çdo vajzë do ketë dhomën e vet, me sipërfaqe mbi 100 metra.
Ndërsa prisja gëzim, përqafime e puthje, dëgjoj:
-Air Presh! Hahahaha!
Gocat po më qesëndisnin. Heshta, pashë pak tv e të nesërmen erdha te shtëpia me një makinë të madhe dhe tre burra të bëshëm.
-Do mbledhim rraqet dhe lironi shtëpinë. Tani ky apartament ka pronar tjetër.
Ndërsa po më pyesnin për hollësira, sa e shita, kush e bleu, ku do banojmë tani e tutje, unë heshtja. Kisha inatin e Air Preshit. Makina ndaloi tek një vilë nga Selita. Katin e parë do e kishim me qira. Plot tre dhoma e një kuzhinë. Kishte dhe një qen. Kaq u desh dhe vajzat mbetën duke lojtur me kafshëzën e bukur. Harruan të rregullonin secila dhomën e vet.
Për disa ditë lëvizëm nëpër qytet dhe po shihnim pallatet që ndërtoheshin.
-Ja, këtu marrim shtëpinë e re, o ba.
-Edhe këtu është bukur.
-Shohim dhe këtë?
Por nuk flisja. Deri sa i çova tek Blloku, para një ndërtese të sapo nisur.
-Ja, apartamenti ynë, -u thashë. - Atje lart.
Tregoja hapësirën, do banonim në katin e katërt, por ende nuk ishte bërë i pari.
-Air Presh, - më thanë.
Pas një viti e lamë vilën. Erdhëm atje ku thashë unë, tek pallati në Bllok.
Nuk kaluam shumë kohë në apartamentin e ri, kur befas, papritur e pakujtuar u propozova vajzave të mia:
-Si thoni, nëse u nis ta mbaroni në Amerikë shkollën e mesme dhe atje të bëni universitetin?
-Air Presh, Air Presh, - ma thanë dy herë. Dhe nuk u vazhdua si muhabet nga që e quajtën lajthitje prindi.
Në fakt një mbasdite gushti të atij viti bashkë me gruan i çuam në Rinas e kur avioni që mori me vete vajzat u ngrit lart në qiell, mësova se mund të urrehen edhe sendet. Ai avion mu duk si grabitqar i madh, si një i pashpirt që më shkuli zemrat e mia nga trupi dhe i çoi larg, shumë larg. Deri në Amerikë.
Kur u kthyem në shtëpi boshllëku na lemerisi. Nisëm të qanim burrë e grua me oi.
Raste të tjera propozimi nuk pata. Se vajzat ndenjën shumë vite larg, pa na u njohën me shokët e vet, pa na u martuan, u bënë me fëmijë e dhomat e tyre tani mbushen nga nipërit e mbesat.
Sot e përdorim sërish Air Presh. Por nuk e kemi në kuptimin e keq, të talljes a të pamundësisë për të realizuar një dëshirë. E themi si nxitje, si kurajo që ta kapim ëndrrën, mos e lemë atë të rrijë në ajër duke u endur kot, si gjethe vjeshte që luan me erën.
Nga që deri sot kokëkrisjet e mija i kam plotësuar të tëra, sa herë them qoftë edhe ndonjë marrëzi që s’ka kandar ta peshojë, nga gocat vjen thënia:
-E bën ky, e bën. Është i papamë. Ba, je fantastik...
© Agim Xhafka