Vende & Zakone

Pilafi - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka

Në çdo cep të Greqisë po të shkosh me pushime do ndeshësh patjetër shqiptarë. Që të ofrojnë miqësi, shërbim, qeshje e gatishmeri pafund dhe falas.

Kështu me ndodhi një drekë në ishullin Tios, një copë shkëmbi i madh, por i mbushur me turistë aq shumë sa mendova se do fundosej, nuk do e mbante dot ngarkesën njerëzore.

Ngaqë ishim me ngut, se ishim në një tur në 6 ishuj, nuk kishim mundësi për restorante klasi a për ngrënie me muhabete shtruar. Shkuam në një kthinë te një cep rruge që afronte në çast fruta deti të zgarës. Nuk mbaruam fjalët e porosisë kur pjatat me oktapodë, kallamarë, karkaleca mbushën tavolinën e vogël rrumbullake. Uri të madhe nuk kishim, por nepsi alarmant na përfshiu se gatimet ishin mbreterore, plot freski, aroma e erëza të krejt globit. Mbresave të piknikut iu shtua dhe gastronomia mahnitëse. Donim të paguanim shpejt, por:

- I keni dhoro nga pronari. Eshtë shqiptar si ju! - na tha shqip kamarieri që na solli gjithë ato pjata e fliste veç ne, ne, ne!

U gëzuam sigurisht, por doja ta falenderoja personalisht.

- A mund t'i japim dorën?

- Patjetër, - dëgjuam dhe drejt nesh po vinte një burrë mesatar, i qeshur, me sy bojëqielli, flokë kafe e me dhëmbë shumë shumë të bardhë.

Pasi e falenderuam mësuam se quhej Bledar, ishte nga Këlcyra, kishte ardhur që 25 vjet para, ëndërronte në Shqipëri të bëhej mësues, por nuk e çonin në shkollë pedagogjike. Ishte i martuar, kishte dy djem dhe të dy në universitet në Athinë. I madhi masterin do e bënte në Londër.

Në fillim mblidhte ullinj, më pas bahçevan në ca hotele, pastaj me gruan morën një lokal të vogël me qira e atje kanë 12 vjet që presin e përcjellin turistë. Çdo vit e më shumë. Na pyeti dhe ne për profesionet. Kur mësoi se isha gazetar, tha që njihte një prej tyre. Koli e quanin, babai e pati ftuar një herë dhe per darkë në Këlcyrë, tha. Ai premtoi se do më nxirrte bursë për shkollë në Gjirokastër, por nuk di pse nuk ia doli.

Koli ishte shefi im i redaksisë për shumë vite. Nuk thashë që e njihja ngaqë më erdhi ndër mend krejt darka e Këlcyrës, krejt ajo natë kaq e pështirë dhe e turpshme. M’u kujtua edhe Bledari atje në cep të dhomës, i pafjalë dhe me duart te goja duke kafshuar thonjtë.

Sapo kisha nisur punë në gazetë e në një shërbim në jug të vendit, Koli, shefi im, vendosi të më merrte dhe mua me qëllim që të mësojë ky i riu nga praktika e gazetarisë, shpjegoi. Bashkë me ne ishte dhe Gazi e Tit shoferi, pra bëheshim katër veta. Shërbimet me shefat janë të mërzitshëm, jo ngaqë ai ishte dyfishi i moshë sime dhe Gazit, por ngaqë për çdo mendim të tij duhej të thoje vetëm ok. Nuk flitej për diskutim a qoftë larg debat. Sa arritëm tek hotel turizmi në Gjirokastër na doli para Llani, një korrespodent lokal që ishte pritësi e përcjellësi i bosëve nga Tirana, siç i quante ai. Një tip i shkathët që me njohjet nga qendra ishte bërë si sekser për të zgjidhur hallet e njerëzve në qytet. Ndaj e prisnin në dreka e darka plot hallexhinj.

- Do shkojmë në Këlcyrë pas një ore, - i tha Kolit. - Na pret një darkë e mirë.

Në fakt ishim të uritur se drekë hëngrëm dy byrekë me gjizë në dorë, që i blemë në Fier.

Në më pak se gjysëm ore hypëm në BÇ kineze e vrapin tek Myrto, kështu quhej burri që na paskej ftuar për darkë.

Kishte ngrohtësi që në hyrje. Myrto, një burrë i qeshur, trup mesatar, por muskuloz na perqafoi. Krejt familja e tij na priti në korridor. Gruaja dhe dy vajzat e rritura. I fundit ishte Bledari, çuni i vetëm i shtëpisë që sapo kishte mbaruar tetëvjeçaren.

Myrto merrej me mirëmbajtjen e fabrikës së verës, por kishte plot hardhi në oborr e çdo vit bënte nga dy kuintal raki. Na nxori nga një gotë, pastaj të dytën, ca ullinj e turshi në një pjatë, erdhi e treta, e katërta e u nxeh muhabeti.

- Dua ta bëj djalin mësues! - na tha e sytë i lëvrinë.

- Ta bësh pse jo, -foli Koli.

- Po duhet një ndërhyrje!

- Kemi shokun Koli, mos u merakos, - tha Llani, e pa nga Koli.

- Po, po, do e zgjidhim.

- Se këta të këshillit ia japin ndonjë të vetit, - nxorri merakun Myrto

- Po kush i pjerdh këta, - e vulosi Tit shoferi e gotat mbushu e zbrazu.

Pasi u thanë ato dy meze të mjera, erdhën pesë pjata me pilaf, por veç në dy kishte mish, tek Koli dhe Llani. Titi shtriu dorën e ia mori Llanit.

- Na erdhi me kockë mishi i tallonit javor, - tha Myrto e i hipi një i kuq në fytyrë. -  Por bën pilaf të mirë.

Për pesë minuta u fshinë pjatat. Llani seç i fliste në vesh Kolit e ky nuk lëvizte hiç kokën.

Pasi rrëkëllyem edhe nga dy raki të tjera u çuam. Koli sa i dha majën e dorës Myrtos, gruas e vajzave nuk ua fërshëlleu hiç. Hypëm në makinë, heshtje. Pas ca kilometrave gati i tremba të gjithë:

- Tit, ndalo se nuk i morëm emrin dhe mbiemrin çunit të Myrtos.

Koli u kthye vrik e më bërtiti:

- Pse me një pilaf do vihemi në punë ne?

Gazi më pickoi. E kuptova e heshta. U betova se nuk do vija më në shërbim me shefin.

Pas kaq vitesh para meje rri ai djali i ndershëm i asaj shtëpie të ndershme, që ndanë me mikun edhe kockën e tallonit. Ai djalë, që atë natë ndoshta fjeti pa ngrënë, ama sot na gostiti, se zemrën e ka të madhe. Nuk pati interes a miqësi me ne. Veç që folëm shqip ai u tregua bujar. Na tregoi se këtë ishull të bukur e kanë grekët, por e zhvillojnë jo vetëm ata, por edhe shqiptarët.

Doja ta pyesja për Myrton, për motrat, për nënën, por më dukej sikur do kthehesha në skenën e një krimi moral. E falenderova dhe u gëzova shumë që ai njeri ishte i lumtur nga puna e tij. U ndjeva çlirët se e kisha si brengë atë natë të zezë “made in Koli”. Të paktën e arratisa turpin tim. Atë mbrëmje po jetoja i ngazëllyer triumfin e një njeriu të thjeshtë, që thjesht quhej Bledar.

© Agim Xhafka