Vende & Zakone

49 vjet më parë, Viti i Ri 1975 - Nga Bamir Bebeziqi

Kujtoj se im atë në njërën nga këmbët kishte një gjurmë të madhe, të mbetur nga një plagë e vjetër. Këmbën e kishte vrarë shumë keq, në një moshë të vogël e për pak i qe gagrenizuar. Ajo plagë kishte një histori, që për shumë durrsakë të asaj kohe e deri tek brezi im, nuk besoj se do t’iu duket diçka e padëgjuar ndonjëherë.

Në një ditë vere, kishte vrarë këmbën duke rrëshqitur me një karrocë me kuzhineta, tek rruga e kodrës së Vilës qe zbriste deri poshte. Në një çast kishte humbur kontrollin mbi karrocën, ishte përmbysur bashkë me të duke u dërrmuar në asfaltin e ashpër. Ngaqë kishte patur frikë t’i tregonte të ëmës të vërtetën, në mesin e verës kishte veshur pantallona të gjata. Pas disa ditësh, këmba qe infektuar keqas e aty nuk mund t’i shmangej të bërtiturave të nënës së tij. Në atë kohe qe normale, nuk ishte puna se vriteshe, por duhej të vuaje edhe të bërtiturat e prindërve.

E ëma e çon në ambulancë e iu desh tim eti të kalonte gjithë verën atë vit me këmbë të lidhur, derisa iu shërua infeksioni, që i la një gjurmë përjetë.

***

Më kujtohet vigjilja e Vitit të Ri 1975. Në atë dhjetor u shitën me mijëra fishekzjarre kineze nëpër gjithë kinkaleritë e Durrësit.

Në mbrëmjen e natës së fundit të vitit ishte traditë që të gjithë familjet shtronin tryezat përballë televizorit, për të parë varietenë e fundvitit dhe nga ekrani i vogël, gëzonim me humorin e asaj kohe, me aktorët e estradave të Tiranës, Shkodrës, Durrësit apo Lushnjes. Kur vinte çasti i ndërrimit të vitit, të gjithë dilnin ballkoneve për të parë fishekzjarret, që më së shumti i hidhnin ushtarët e reparteve në kodrat e qytetit, duke u shoqëruar nga sirenat e anijeve dhe lokomotivave.

Atë vit ishte ndryshe. Fishekzjarret ishin në duart e mijëra njerëzve. Bashkë me tim vëlla nuk po na zinte vendi, pasi donim të dilnim nga shtëpia e t’i gëzoheshim fishekzjarreve jashtë.

Aty nga ora njëmbëdhjetë e gjysëm, dalim nga shtepia e gjithë kalamajtë e lagjes u mblodhëm nga pas pallatit. Dikush hodhi idenë që të shkonim tek Lagja 1 ku zhvillohej spektakli i zbritjes me karroca me kuzhineta nga Vila deri poshtë.

U nisëm të gjithë e në bulevard u bashkuam me kalamajtë nga lagjet e tjera të Durrësit, që drejtoheshin për në të njejtin destinacion. Kur arritëm atje, zumë nga një vend anash trotuarëve e të gjithë prisnim spektaklin.

Atë vit, çunat e Lagjes 1 e kishin organizuar pak ndryshe. Përveç dhjetra karrocave me kuzhineta, njëshe, dyshe apo katërshe, kishin marrë edhe një karrel, nga ata që përdornin për lëvizjen e pajisjeve në NISH Goma apo ndërmarrjet e tjera të Durrësit.

Karreli ishte një masë e madhe metalike, me një timon drejtues që përfundonte në dy rrota të ngjitura në fillim e në dy rrota në fund.

Sot, të duket marrëzi të marrësh karrelin e të nisesh nga Vila lart e të zbresësh me shpejtësi poshtë, por çunat e Lagjes 1 nuk donin t’ia dinin.

U rreshtuam të gjithë kalamajtë anës rrugës e nuk kaloi shumë dhe një zhurmë e fuqishme dëgjohet. Para nesh u shfaq karreli me rreth 5-6 vetë mbi të, ku njëri shtrëngonte timonin e dhjetëra karroca me kuzhineta vinin nga pas. Besoj se shpejtësia e karrelit shkonte tek 50-60 km në orë e nga shpejtësia e mungesa e frenave ndaloi shumë larg, diku tek rruga e Portit.

Spektakli nuk përfundoi aty. Do të bëhej ngjitja e karrelit përsëri lart e dhjetëra kalamaj shtynin karrelin e ata 5-6 çunat qëndronin lart si triumfatorë. Duhej më shumë se gjysëm ore të ngjiteshe në majë të Vilës që rituali të fillonte sërish.

Fatmirësisht asnjëri nuk u aksidentua atë natë, vetëm se në zbritjen e fundit, furgoni i Policisë po priste tek lulishtja para derës së Portit. Çunat që drejtonin karrelin e kaluan natën në birucat e Policisë dhe ashtu “gëzuan” ardhjen e Vitit të Ri 1975.

© Bamir Bebeziqi