Vende & Zakone

Balada e bulevardit “Shën Gjergji” - Nga Vangjush Ziko

Kush pati lënë i pari gjurmën e vet në këtë rrugë, që ka marrë emrin e një shenjti, kush shkeli për herë të parë në atë shteg mbi të cilin u shtri më vonë ky bulevard? Ishte kaprolli i Çardhakut, apo ariu i Bozdovecit, karvani me kafshë të ngarkuara në Janinë apo në Manastir; apo ishte murgesha e manastirit të Shën Mërisë, që vinte për një shërbim fetar në kishën e Ristozit të Mborjes? Patjetër që atë shteg e rrahën më dendur banorët e Kalasë, që e kishin përbri mureve. Një rrugë nuk e hap dot një kafshë apo një njeri i vetëm. Këtë rrugë e hapi jeta e qytetit tim për disa shekuj me radhë.

Sipërfaqja, që përshkon ky bulevard, jo më shumë se treqind metra i gjatë, i përkiste që në fillim Lagjes Kala të qytetit, bërthamës së Korçës. Këtë rrugë e kanë rrahur dhe banorët e Peshkopisë, që ndodhej matanë lumit, banorët e Mborjes, qendrës së lashtë tregtare dhe ata të Barçit të lashtë, dikur një qytezë.

Në këtë rrugë, vit pas viti u ndërtua dhe kisha monumentale e gurtë e Shën Gjergjit (shënjtorit mbrojtës të qytetit), e cila u ngrit me kontributin e mirëbërësit korçar Anastas Lakçe në vitin 1881, në vend të kishës së vjetër të shekullit XIII, ku kishin qenë dhe varrezat e vjetra të Kalasë. Në krye të saj u ngrit Monumenti i Luftëtarit Kombëtar. Kjo rrugë u zgjerua dhe u bë bulevardi i parë i qytetit, që mori emrin e kishës; u ngritën shtëpitë, ndërtesat e shërbimit social dhe administrativ, e ndriçuan fenerët dhe më vonë dritat elektrike të shtyllave anës saj, u mbollën drurë, bashkë me plepin, që u rrit aq madhështor në oborrin e kishës, plep që edhe ai u pre, siç u shemb me vetëdije të mbrapshtë antifetare edhe vetë tempulli i shenjtë në kohën e socializmit.

Nuk e di se cila ka qenë ndërtesa e parë e kësaj rruge, por e di se në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, në vitin 1887, në shtëpinë e patriotit Mandi Tërpo, në krye të kësaj rruge, u hap Shkolla e Parë Shqipe. Karshi saj, po aq e vjetër sa ajo, ishte shtëpia e patriotit të madh Themistokli Gërmenji. Edhe shtëpia ku ai ngriti flamurin dhe shpalli Republikën Autonome të Korçës, ishte e ndërtuar që përpara shekullit të njëzetë. Në kohën e Mbretërisë u ndërtua përbri Shën Gjergjit, Bashkia e qytetit.

Gjysma e parë e shekullit të njëzetë u bë pranvera e vërtetë e kësaj rruge. Përveç Hotel Pallasit të Dhionis Mërisë, ishin edhe tre hotele të tjerë, katër farmaci, dy berberhane, dy restorante, Banca di Napoli, konsullata Greke, argjendari, ëmbëltore, zdrukthtari, duhantore, libraria “Argus”, benzinata, ndërtesa e Kazinos, të tëra nga krahu i majtë; ndërsa nga fillimi i krahut të djathtë të rrugës, dyqani ushqimor i Bopit, punishtja e këpucëbërësit Petraq Skëndi, një  dyqan mallrash elektrike i Xegave; pas Mësonjëtores, shtëpia e doktor Pandeli Gliozhenit, që më vonë u shndërrua në Ambulancë të qytetit, kinema “Luksi”, shtëpia e madhe e Kosturëve dhe nga fundi i këtij krahu, duke kapërcyer Bashkinë dhe Shën Gjergjin, ishte Lulishtja e Veteranëve të Kombit në vendin ku bigëzohej kjo rrugë.

Në të majtë të këtij bigëzimi kishte kafene, orëndreqës, farmaci dhe në të djathtë, që zbriste për në Bankën e qytetit, një kafene tjetër, një dyqan dërstile, zyra avokatore e Petraq Kondit, biçikletaria e Koço Kërëkut si dhe dyqane të tjera.

Në krye të këtij bulevardi, në vitin 1930, përpara farmacisë “Lakçe”, që ndante barna falas për të varfërit, u ngrit me shpenzimet e popullit të Korçës monumenti simbol i qytetit, ai i Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odhise Paskali.

Fëmijëria ime e kujton këtë rrugë si një qënie të gjallë, që me dorën e djathtë të saj mëson të shkruajë abecenë shqipe dhe mban dyfekun e bronztë të rilindasve, firmos shkresa bashkiake për sistemimin dhe mbarëvajtjen e jetesës së qytetit, bën kryqin, lutet për punëtorët, që dalin çdo mëngjes përpara kangjellave të Shën Gjergjit për të kërkuar punë; me dorën tjetër, hap dyqanet, jep ilaçe për të sëmurët, servir gjellë, shtron krevate për bujtësit, shkrin dhe punon floririn, rregullon dhe kurdis orë, mbërthen sëndyqe për dasma dhe bën qivurë, numëron banknota, shfleton dhe lexon libra; ndërsa me zërin e Luftëtarit Kombëtar këndon këngë patriotike, me zërin e gazetashitësit Vasil lajmëron artikujt e gazetave për  ngjarje të qytetit dhe nga bota; shpërthen në britma demonstratash për bukë dhe rënkon nga plagët e përgjakura, që i merr në shtator te  vitit 1943 kur Korça del në rrugë të manifestojë për kapitullimin e Italisë fashiste.

Ndërrojnë stinët, ndërrojnë dhe shijet e njerëzve, ndërrojnë qeveritë dhe sistemet, rruga ndryshon dhe jeton falë mençurisë ose çmendurisë njerëzore. Një kazmë e pushtetarit diktator e viteve shtatëdhjetë e shemb kishën monumentale të “Shën Gjergjit”, monumentin e gurtë unikal arkitekturor të qytetit, ku u mbajt mesha e parë nga Fan Noli, me një pretekst absurd se pengonte pamjen e bulevardit!?

Në kapërcim të dy shekujve njëzetë dhe njëzet e një, lartësohet katedralja e gurtë “Ngjallja e Jezu Krishtit”. Bashkia, e kthyer prej kohësh në Pallat Kulture, merr emrin “Vangjush Mio” dhe hapet brenda saj galeria e pikturave “Guri Madhi”, një tjetër bir i shquar piktor i qytetit. Në themelet e kishës së rrëzuar ngrihet Biblioteka “Thimi Mitko” dhe në lulishten përpara saj qyteti ngre bustet e tre bijve të pavdekshëm të kulturës dhe të penës, të Naum Veqilharxhit, të Thimi Mitkos dhe të Asdrenit. Mbi shtëpitë e vjetra lartësohen pallate, klube dhe biznese moderne.

Në muret e këtij bulevardi zbardhin pllakat e mermerta përkujtimore, ku është gdhendur kujtesa historike e tij: “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, “Shtëpia e Themistokli Gërmenjit”, “Shpallja e Republikës Autonome të Korçës”, “Demonstrata e Bukës”, ”Demonstrata e përgjakur e Shtatorit 1943”, Lapidari i atentatorit, në kujtim të dëshmorëve të luftës kundër pushtuesve të huaj, të Midhi Kostanit dhe të Kiço Greços, si dhe simboli i gurtë i Kitarës së Serenatës Korçare.

Të tëra këto, e tërë kjo jetë e zhurmshme, gazmore dhe e dhimbshme në një rrugë të vetme të qytetit tim, rreth treqind metra e shkurtër, por e gjatë për nga shtrirja e saj në histori, rrugë nëpër të cilën ka ecur Korça, jeta e saj e përditshme, lavdia dhe krenaria e saj qytetare dhe ajo kombëtare, një bulevard tempujsh historikë, shpirtërorë, kulturorë dhe patriotikë, emblemë e Shenjtë e Qytetit.

Vitet kalojnë dhe ky bulevard ka pësuar edhe ndryshime të tjera. Ai është shndërruar në një pedonale, ku qytetarët mund të lëvizin të qetë dhe të sigurt në çdo orë të ditës dhe të natës pa u shqetësuar nga automjetet. Ai vazhdon të mbetet, tashmë, sipas traditës së mëparshme, një qendër moderne e tregtisë së larmishme ku të bie në sy numri i madh i kafeneve, të cilat zënë, kryesisht, krahun e djathtë të tij. Sheshin, në fund të bulevardit, ku është zhvilluar Demonstrata e Bukës në vitet '30 - të shekullit të kaluar, e ka zënë një kullë belvedere dhe një platformë me shatërvanë,

Bashkia e qytetit e ka zhvendosur selinë e vet në ish-Pallatin e Kulturës, duke e kthyer në vendin e hershëm ku ka qenë Bashkia e qytetit në kohën e Mbretërisë dhe ka aneksuar edhe godinën e Bibliotekës së qytetit me mjediset e saj të përshtatura dhe të modernizuara.

Në kujtim të kishës së Shën Gjergjit, të shembur, është ngritur muri dekorativ ku është shkruar historiku i saj.

Më duket e tepërt dhe pa sens silueta e kishës e vizatuar me pllakaqe të bardha mbi trotuarin ku kalojnë njerëzit dhe shkelin mbi të.

Kujtimin e saj dhe të episodeve historike, të ndodhura në këtë rrugë, e përjetësojnë pllakat përkujtimore dhe këmbanaret e katedrales “Ngjallja e Krishtit” në ballin e bulevardit, i cili mban emrin e shenjtë të Katedrales historike.

© Vangjush Ziko