Vende & Zakone

Na ishte dikur Kinema “17 nëntori” - Nga Klodi Stralla

Kujtime

Dikush kishte publikuar në Facebook këtë foto që më solli shumë kujtime nga vitet e mia studentore. Është fasada e ish-Kinema “17 nentorit”, njërës prej kinemave të shumta të Tiranës të atyre viteve, që sot, si shumë e shumë të tjera nuk ekziston më, sepse nuk mundi t’u rezistojë dot kullave të shumta që u lartuan mbi truallin e saj.

Një ndërtesë e një stili të veçantë, ndërtim italian, që funksiononte në dy mjedise të veçanta, njëri si sallë dimërore dhe tjetri si sallë verore në qiell të hapur. Para 1944-ës quhej Kinema “Nacional” dhe ishte ndërtuar dhe funksiononte si biznes privat i vëllezërve Beshiri. Aty u bënë edhe gjyqet speciale që dënonin “armiqtë e popullit”.

Por ajo që më ngacmoi kujtesën e 55 viteve më pare, është diçka tjetër. Ishte viti 1969, një ditë e hënë, fillimjave, ora 8.00 e mëngjesit. Në sallën e madhe 404 të godinës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. Petro Lalaj mbante leksionin e radhës në lëndën “Histori e PPSH”. Jo pa qëllim ishte zgjedhur e hëna dhe leksioni i parë, me qëllim që studentët të ishin të freskët dhe të relaksuar për ta përthithur sa më mirë historinë e “nënës” Parti. Nga afro 80 studentë që kishte kursi jonë i Fizikës, në sallë ishin aty rreth 20 të tillë, pra salla dukej thuajse bosh. Kjo e habiti dhe e shqetësoi shume profesorin. Sigurisht kërkonte të gjente shkakun.

Petro aso kohe ishte një burrë mbi të 50-at, me shtat mesatar, i thjeshtë, komunikues, tipi model i lektorit të shkencave politike. Ndonëse kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik për filozofi nuk ishte dogmatik; për mua ishte edhe njeri i mirë. Pyeti studentët se çfarë kishte ndodhur që mungonin aq shumë, me shqetësimin serioz se mos leksionet e tij ishin monotone dhe nuk paraqisnin interes. Të gjithë e dinin arsyen por askush nuk merrte guximin t’i thoshte të vërtetën. Ajo ishte shumë më e thjeshtë nga sa mendonte dhe shqetësohej Petro.

Çdo të dielë mbrëma, aty afër, ku ishte dikur Komiteti Ekzekutiv i Tiranës (një godinë mbresëlënëse, pjesë e ansamblit të ministrive të kohës së Mbretërisë, që sot nuk ekziston më), ishte një tabelë ku reklamoheshin filmat që do të luheshin gjatë javës. Nuk kishte student që të mos shihte reklamat e filmave dhe të planifikonte se në cilën kinema do të shkonte në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë. Ne të Shkencave të Natyrës kinema më të afërt kishim Kinema “17 nëntori”-n dhe kjo qe arsyeja e mungesave të shumta në leksionin e orës të parë të ditës të hënë, arsye që mendja e Petros, edhe kur ia thanë të vërtetën, e pati shumë të vështirë ta besonte.

© Klodi Stralla