Fëmijët

Legjenda e arinjve të Malit të Kuq

  • Published in Fëmijët

Arinjtë  e Malit të Kuq

Sipas një legjende kanadeze të fisit Wendat 

Shumë kohë më parë, një pasdite të qetë, një çift i ri vendosi të dalë shëtitje në pyll. Pasi ecën gjatë mes gjelbërimit e pemëve të larta, para tyre u shfaq një ari. Jo kërcënues, por i palëvizur dhe i vendosur, ai u qëndronte përballë. Një tjetër ari, u doli në krah. E, pas tij, një tjetër, edhe një tjetër…

Shumë shpejt, burri dhe gruaja Wendat e gjetën veten krejtësisht të rrethuar nga arinjtë, të cilët u kërkuan atyre t’u shkonin pas, deri në Malet e Kuqe. Nuk bëhej fjalë, as për t’i kundërshtuar dhe as për t’ia mbathur. Të rinjve nuk u mbeti veçse të binden. Arinjtë e lejuan çiftin të jetonin në një shpellë, duke u siguruar që të mos u mungonte asgjë: fruta të freskëta, arra, ujë të pastër… Bashkëjetesa ishte edhe më e këndshme: arinjtë zbaviteshin, shpiknin njëmijë e një lojra dhe koha rridhte paqësisht për dy të rinjtë. E megjithatë, diçka i mungonte lumturisë së tyre. Ata filluan të mërziten dhe donin të ktheheshin tek qeniet e tjera njerëzore. Burri tentoi ta diskutonte këtë çështje me arinjtë por ata refuzuan në mënyrë të prerë që t’i linin të largohen. “Është tepër herët” – përsërisnin ata pareshtur... “Nuk ka ardhur ende koha”. Koha për çfarë? Dy qeniet njerëzore nuk e dinin.

Një ditë prej ditësh rrotull shpellës ishte qetësi. Asnjë ari nuk dukej gjëkundi. Burri bindi gruan e tij: “Erdhi çasti. Ose tani, ose kurrë!”. Ata rendën nëpër pyll, ndjenë zemrën t’u rrihte fort duke vrapuar me një frymë. Pas një copë here u ndalën, panë përreth dhe burri tha: “Kaq ishte. Ne jemi të sigurt…” Por, sapo mbaroi së foluri, një ari u shfaq përpara. E, pas tij, një tjetër, edhe një tjetër… Çifti u gjend sërish i rrethuar. Arinjtë ulërinin rrotull tyre. Qeniet njerëzore i kishin tradhëtuar. Arinjtë u kishin dhënë për të ngrënë e për të pirë dhe si i falenderuan ata? Duke ia mbathur! Disa arinj dolën përpara burrit dhe, nën vështrimin e tmerruar të gruas së tij, e hodhën nga një shkëmb i lartë. Trupi i tij u përplas mbi tokë. Ai mbijetoi por, i plagosur rëndë, me kocka të thyera e me shenja të shumta, në trup…

Arinjtë e mësuan gruan, sesi t’i mjekonte e t’i shëronte çdo plagë. Ata i treguan se cilat rrënjë e barëra të përdorte, për të ringritur burrin e saj. Mund të mendohej se, pas kësaj aventure, burri hoqi dorë nga idea për t’u arratisur. Por, jo. Çdo herë që i paraqitej rasti, fatkeqi i mbushur plot shpresë, tentonte t’ia mbathte sërish. Ai fshihej pas shkëmbinjve, zhytej në lumë, zvarritej nën kurorën e bredhave… Por, gjithmonë, një tufë arinjsh e prisnin në krye të rrugës dhe, nën goditjet e tyre, ai fluturonte në ajër. Kishte, sërish, disa plagë për t’u pastruar. Arinjtë i tregonin gruas së re, sesi të kujdesej për burrin e saj.

Pak nga pak, ata i transmetuan gjithë dijen e tyre. Kur e gjykuan se ajo kishte mësuar gjithçka, ata i falën lirinë çiftit, duke u thënë se tani ata mund të shkonin dhe t’u mësonin të afërmve të tyre shkencën e shërimit. I pari i tufës së arinjve u foli: “Tani është koha…”.

Që nga ajo ditë, ariu është parë si një mik, i cili paraqet dijen dhe shërimin, për Wendat. Edhe nëse, në atë pyll të largët, njëri prej njerëzve pat vuajtur prej arinjve, sa e sa të tjerë janë shpëtuar nga këshillat dhe mjekimet e tyre?…

Treguar sipas: Martine Latulippe, Përktheu: Eriola Agalliu

Shënim: Fisi Wendat jetonte në jug të Ontarios, që para ardhjes së evropianëve në këto zona.