Fëmijët

Pjesë nga romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq” - Nga Bedri DEDJA

  • Published in Fëmijët

Kreu 17: Fillimi i ekspeditës së gjatë drejt Saturnit

*Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq”- Nga Bedri DEDJA

Ka histori të ndryshme. Ka histori që nisin në mëngjes herët ose vonë. Nisin në mesditë ose afër mbrëmjes. Ka edhe histori që nisin në mesnatë. Kur historitë janë të zeza, zakonisht nisin në mesnatë. Po ju me siguri nuk keni dëgjuar se ka edhe histori të çuditshme, por shumë të rralla, që nisin njëkohësisht në mëngjes, mesditë, afër mbrëmjes dhe në mesnatë. “Si është e mundur?- mund të thoni ju. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë! Ajo që nis në mëngjes, nuk ka si të nisë edhe në mesditë, edhe në mesnatë!” Por nuk mund të thonë kështu dy kryetarët e akademive të shkencave të Tokës dhe të Marsit, profesor Kriosi dhe profesore Dea, si edhe shoku i tyre, doktori i shkencave Teodor Metalori, i cili nuk është vetëm specialist i floririt, por edhe njohës i rrallë i të gjitha mineraleve të planeteve të sistemit tonë diellor.

Kjo punë është pak e ngatërruar edhe për mua, por unë do të përpiqem ta tregoj ashtu siç ma kanë shpjeguar Kriosi, Dea dhe Teodori.

Ata ishin caktuar nga të dy presidentët, ai i Tokës dhe ai i Marsit, të drejtonin ekspeditën kozmike për zbulimin e Saturnit. Po si do ta zbulonin? Mos Saturni ishte një sënduk, që mund ta zbuloje duke i hapur kapakun?

E para e punës, ekspedita duhej të mbahej shumë sekret, që mafia kozmike të mos pikaste as shenjën më të vockël të saj. E dyta, sekreti i sekreteve ishin vetë ata, Kriosi, Dea dhe Teodori. Të gjitha këto punë nuk i mori vesh asnjeri përveç dy presidentëve. Më vonë i mora vesh edhe unë nga biseda me kalamajtë-shkencëtarë.

Teksa lindte një ditë me diell artificial në kozmodromin nëntokësor të Marsit, në mënyrë krejt të fshehtë u bë gati për t’u nisur në hapësirë anija kozmike “Kr-1”. Ku do të shkonte? Nuk merrej vesh ende.

Anija u ngrit në hapësirë dhe menjëherë fluturoi në drejtimin nga veriu, siç i thonë në Mars dhe në Tokë. Eci e eci, fluturoi e fluturoi. Jo me vite, as me muaj, por vetëm për pak ditë ajo mbërriti pranë Saturnit, gjigandit me unazë. Kalamanit të dytë me madhësi midis nëntë motrave dhe vëllezërve që quhen planetë. Profesor Kriosi, që drejtonte ekuipazhin e anijes kozmike, lëvizi vetëm një levë dhe sakaq ajo nisi të vërtitej si satelit rreth Saturnit.

Pasi hëngrën drekë dhe u çlodhën pak, Kriosi iu drejtua kozmonautëve-kalamaj: -Do të presim sa të vijnë edhe dy anijet e tjera e pastaj do të nisim zbulimin e fletëve të Saturnit. Kush do, mund të marrë ende një sy gjumë. Ka kohë deri më mesnatë sipas Marsit.

Në mesditë nga kozmodromi i Marsit u nis anija e dytë kozmike “De-2”, me Dean komandante të ekuipazhit. Kur anija arriti në hapësirën mbi Saturn, u bashkua menjëherë me anijen e parë “Kr-1”.

Në të njejtën datë, në mesnatë, nga kozmodromi i nëndheshëm i Marsit u nis edhe anija e tretë kozmike “Te-3”, me komandant ekujpazhi Teodor Metalorin, që ishte nga Konfederata e dikurshme Zvicerane.

E, a besoni tani se ka edhe histori që nisin njëkohësisht në mëngjes, në mesditë edhe në mesnatë? Tri anijet u lidhën ijë me ijë me njëra-tjetrën dhe me to u krijua, për herë të parë në hapësirë, një ishull kozmik me kozmonautë shkencëtarë-kalamaj. Tri ekuipazhet e ishullit atë natë darkuan bashkë. Të nesërmen ishte vendosur të nisnin hulumtimet në Saturn dhe, siç thoshin shkencëtarët e Tokës, në nëntë satelitët e tij.

Por a ishin nëntë apo më shumë satelitë, kjo ende nuk dihej. Megjithatë, që të studiohej mirë kjo punë, ekspedita e Saturnit kishte goxha kohë, sepse një vit në Saturn nuk zgjaste treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë si në Tokë. Një vit në planetin Saturn zgjaste njëzet e nëntë vjet e njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë ditë tokësore. Pra, jo për një vit saturnian, por një muaj saturnian, ose më pak, programi i ekspeditës me siguri do të realizohej.

Çudi, sa interesante ishte të flije afër Saturnit! Nata nuk ishte e zezë, si në Tokë kur nuk duket Hëna, por në ngjyrë portokalli. Nëse nuk kishe fjetur ende, përmes dritareve të anijes kozmike të dukej se ndodheshe në rivierën e Vlorës, ndoshta në Dhërmi midis portokallishteve aq të bukura, që t’i përkëdhelnin sytë për një gjumë të ëmbël.

 *Vepra e fundit e autorit, botuar 2 vjet pas ndarjes nga jeta, nga Botimet “Max”