Fëmijët

Hardhuca në kërkim të bishtit

  • Published in Fëmijët

Një hardhucë jetonte diku në një fshat me pula e gurë, me male e shkëmbinj. Si çdo hardhucë, asaj i pëlqente të rrinte shtrirë e të shëllehej në diell. Një ditë i qe ngrohur aq shumë kurrizi saqë nga rehati e kishte zënë gjumi. Ca fëmijë çamarrokë e kishin parë, e kishin kapur dhe hardhuca e tmerruar mezi kishte shpëtuar prej duarve të tyre. Por çe do që bishti i ishte këputur.

E mërzitur dhe e frikësuar, ajo dëgjonte të qeshurat e fëmijëve që luanin me bishtin e saj që ende tundej aty nëpër gurë. Pasi u argëtuan, fëmijët e hodhën tutje bishtin e hardhucës.

Sapo ata u larguan, hardhuca u zvarrit me shpejtësi nëpër gurë duke kërkuar bishtin që t’ia ngjiste trupit. Bishti nuk ishte as tek gurët ku bëhej banjo dielli, as tek shkurret ku ajo varte kostumin e banjës t’i thahej, as në fushën ku luante. Gjëkundi nuk po dukej asnjë shenjë e bishtit. Hardhuca e vendosur për ta gjetur hoqi dorë prej gjithçkaje që bënte më parë dhe vazhdonte kërkimin e bishtit. Ajo harroi familjen, miqtë, gjërat. Ditët kalonin, hardhuca pyeste njerëzit rrugës se mos e kishin parë bishtin e saj gjëkundi.

Një ditë, dikush e pyeti; Po për çfarë të duhen dy bishta?

Hardhuca ktheu kryet mbrapa dhe pa që në fund të shpinës së saj ishte një bisht. Pas kaq kohe kërkimi asaj i ishte rritur një bisht i gjatë dhe i fortë, më i mirë se i pari.

Në këtë çast, hardhuca kuptoi se sa budallaqe ishte treguar duke harxhuar kohë të zgjidhte një problem që nuk kishte zgjidhje. Ajo u nis të kthehej drejt shtëpisë së saj.

Por, e gjeni dot se çfarë ndodhi? Ajo gjeti bishtin e vjetër në anë të rrugës. Ai ishte tharë e bërë pis. Prapëseprapë hardhuca e mori e lumtur që e kishte gjetur.

Ec e ec, rrugës takoi një bretkosë, e cila e pyeti e çuditur.

“Për çfarë të duhet ai bisht i shëmtuar dhe i tharë?

Ngaqë harxhova kohë duke kërkuar atë – u përgjigj hardhuca.

Vërtet- i tha Bretkosa, për këtë gjënë e shëmtuar humbe kohën tënde?

Epo, -tha hardhuca, më parë nuk ishte kaq keq…

Ju hardhucat jeni të çuditshme. Nuk ju kam kuptuar kurrë - tha bretkosa para se të hidhej në pellg.

Duke parë bishtin e vjetër dhe të tharë në dorë, hardhuca vendosi ta hidhte atë, duke hedhur pas gjithë shqetësimet e kaluara. Ajo vazhdoi rrugën e lumtur, duke marrë me vete vetëm mendimet pozitive për të ardhmen.

 

Përshtati në shqip: Jeta Dedja

©FlasShqip.ca