Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 10) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Kacimicrri ha një sallatë me domate të rritura në një kopësht kozmik.

Fiuuu, fiuuu dhe avioni supersonik, sa një gogozhare Korçe, u nis nga Alaska për në Australi, krejt në anën tjetër të globit. Ngjitu e ngjitu lart në qiell, kur fiuuu, fiuuu, avionin na e mbërtheu, si piruni copën e patates së fërguar, një raketë që, me sa dukej, ishte nisur drejt një sateliti në kozmos.

Kjo raketë na paskësh qënë amerikane. Kacimicrri hapi fjalorin dhe i pyeti:

  • Ore, friendsa, ku po më çoni?
  • Të kemi ftuar për drekë, o miku ynë shqiptar se kemi dëgjuar se je çun trim. Do të zbavisim pak. Mjaft ndenje vetëm në tokë dhe në atmosferë. Dil pak edhe në kozmos, atje ku nuk ka ajër dhe ku njerëzit nuk shahen me njëri-tjetrin për punë politike.
  • Po si mund të jetoj unë pa ajër?
  • Vëre në kokë këtë skafandrën me tubin në gojë dhe do të ngopesh me ajër!

Skafandra ishte vërtet e vogël, sa për një Kacimicërr. A thua ta kishin përgatitur vetëm për të? Apo kishte edhe në Amerikë gishto të tjerë? Kacimicrri u gëzua shumë nga kjo dhuratë dhe i falendroi miqtë e tij kozmonautë që i treguan se po të zbrisnin në satelit ai mund ta hiqte skafandrën, pasi aty kishte ajër e mund të bënte qejf sa të donte. Madje mund të hante e të pinte edhe në tryezën e tyre, sa herë që ta merrte uria, sikur të ishte në shtëpinë e vet.

Ngjitu e ngjitu lart në qiell dhe më në fund arritën në një errësirë jo të zezë, por blu të errët. Në avionin e tij kishte ende dritë. Edhe raketa shihej tek po e ngjiste gjithnjë përpjetë e përpjetë.

Fluturo e fluturo dhe më në fund iu afruan një shtëpie të çuditshme që ngjante më shumë me një karkalec prej çeliku, apo prej platini, plumbi ose alumini. Kush e merrte vesh ?! Raketa amerikane iu ngjit shtëpisë kozmike bashkë me gogozharen në bisht. Pastaj…u hapën dy korridore dhe të gjithë pasagjerët u futën në satelit. Mirëpo aty brënda Kacamicrrit i ndodhi një çudi tjetër e madhe. Në shtëpinë kozmike nuk ecej lehtë, si në bulevardin përpara Hotel Dajtit në Tiranë. Njerëzit aty sikur notonin, megjithëse nuk kishte as lum, as liqen dhe as det.

  • Mister Kacimicërr! Ulu pranë tryezës se tani do të hamë drekë. Na ka marrë uria pas gjithë atij udhëtimi të gjatë.

Sillu e përsillu Kacimicrri e nuk po arrinte dot t’i afrohej as tryezës e as karrigeve. Më në fund, tre kozmonautët, duke notuar në ajër, duke u zhytur e duke dalë përsëri në sipërfaqe e ulën mikun e tyre pranë tryezës. E vendosën mbi një filxhan kafeje të kthyer mbrapsht, i cili çuditërisht qëndroi i palëvizshëm mbi mbulesë. Kacimicrrit sikur i erdhi shpirti në vënd. Eh, mendoi me vete. Çfarë nuk kanë shpikur këta amerikanët ! Edhe filxhanin e kafesë e bëjnë kolltuk të rehatshëm që rëndon më shumë se sa vetë trupi i njeriut! 

  • Mister Kacimicërr! Dreka është pak e çuditshme… Quhet drekë kozmike…

Dhe çudia vazhdoi. Kozmonautët thanë se do të hanë vetëm nga një pjatë sallatë me domate. Këto domate, vërtet janë të gjelbra, po ama, nuk janë pa shije. I kemi rritur këtu, brënda satelitit tonë që ndodhet në kozmos…

Pas sallatës, morrën edhe nga tre tableta njëra pas tjetrës dhe me kaq, dreka morri fund. Tableta e parë ishte supë me rrepa të kuqe e me lakër. Tableta e dytë kishte shijen e një bifteku viçi me patate të skuqura. Kurse tableta e tretë ishte kremkaramele.

Të jenë vërtet kështu, pyeti veten Kacimicrri?! I provoi tabletat një nga një dhe, për çudinë e tij, ato iu dukën në gojë e në stomak tamam si supa, bifteku dhe kremkarameli i vërtetë.

Ndenjën sa ndenjën, biseduan sa biseduan dhe pastaj kozmonautët kënduan për Kacimcrrin një këngë të njohur amerikane që quhej “Mr Sun, Sun, Mister Golden Sun“. Kacimicrri hapi fjalorin e tij shumëgjuhësh në kapitullin e gjuhës angleze dhe e perktheu kështu titullin e këngës :  “Z. Diell, Diell, Zoti Diell i Artë“, fjalët e së cilës nisi t’i përsërisë së bashku me miqtë e tij kozmonautë. Më pas, u premtoi edhe ai t’u këndonte një këngë nga Shqipëria. Po cilën të zgjidhte ? Nëse duhej të tregonte për udhëtimet e tij në shtatëqin vjet, duhet të gërmonte në folklorin shqiptar… Iu kujtua një këngë përmetare që kishte dëgjuar dikur në Festivalin e Këngëve në Gjirokastër, me titull “Qeraxhi që nget karvanë“. Kozmonautët gati sa nuk qanë kur dëgjuan këtë këngë. Ku nuk ishin shpërndarë nëpër botë shqiptarët e shkretë, për të fituar bukën e gojës… Edhe Kacimicrri vetë u përlot duke kënduar.

  • Tani ka ardhur koha që të kthehem, - u tha ai kozmonautëve pasi i falenderoi për pritjen e ngrohtë. – Por puna është se unë nuk di si të zbres përsëri në Tokë!
  • Pse nuk qëndron edhe një javë me ne, Mister Kacimicërr? Vështirë se do të bjerë përsëri rruga të vish këtu…

Kacimicrri hapi përsëri fjalorin dhe u tha:

  • Thank you, por kam pak punë në Australi… e më pas në ca vënde të tjera. Duhet t’i mbaroj shpejt këto punë se më ka marrë shumë malli për Shqipërinë… Por nuk di si ta gjej rrugën këtu ku jam.

Kozmonautët qeshën aq shumë, sa u duk sikur u lëkund sateliti. Pastaj i shpjeguan se avioni supersonik do të pajisej me një parashutë që të hynte ngadalë në atmosferën e globit. Sepse po të mos hynte ngadalë, mund të digjej e të bëhej shkrumb e hi. Kur sateliti të fluturonte mbi Australi, ata do ta lëshonin avionin e Kacimicrrit me parashutë, gjersa mbi kontinent ta vazhdonte rrugën vetë.

Dhe vërtetë, kështu ndodhi. Tamam si në përrallë…

Edhe një herë fiuuu e avioni u nis në drejtim të kontinentit të panjohur.

Kur nisi të zbriste, Kacimicrri e vuri gishtin në tëmthin e kokës dhe nisi të mendohej. E ç’po mendonte, do të pyesni ju, ku i shkoi mëndja?

Orééé, pa ta njohim një herë këtë botë, se ca njerëz që nuk na duan të mirën mbetën duke na sharë… Thonë se paskemi mbetur prapa nga Evropa! Thonë se paskemi mbetur prapa nga bota! O burra, të vrapojmë të arrijmë Evropën ! Mos u mërzisni, tha Kacimicrri, do t’i arrijmë, po jo duke vrapuar me këmbë zbathur… Së paku, të veshim nga një palë atlete, apo adidase, siç i thonë tani… Vetëm ulni pak çmimin, o tregëtarë të tregut të lirë!

( Vijon...)

 Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.