Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 11) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Një botë me ushtri mbretërish. Mos qeshën planetet me globin tonë?

Erdhi një orë, një minutë, një sekondë dhe Kacimicrri zbriti në kontinentin australian. Zbriti në një majë mali me dëborë. Nxorri lartometrin, atë aparatin si lodër të vogël dhe mati lartësinë e malit. I ngjau sikur ishte aty afër, afër Korabit në Dibër. Lartësia e këtij mali ishte cik e cik plot dymijë e dyqind e tridhetë e katër metra. Kërkoi hartën për të gjetur emrin e malit. Çuditërisht, hartën e kontinentit australian e kishte harruar! I ra një herë ballit me inat. Pastaj nuk i ra më ballit. Do të thoni ju, pse nuk i ra ballit për së dyti? Po ja, u mendua dhe tha me vete. Do të vijë koha. Kalamajtë do të venë në shkollë. Do të mësojnë gjeografi. Do të mësojnë edhe emrin e majës më të lartë të Australisë. Po more, do të thoni ju përsëri, po sikur kalamajve mos u durohet sot për ta mësuar emrin? Po ja tek e keni dollapin e librave të shtëpisë, do t’u them unë. Aty ka edhe libër gjeografie, ke edhe enciklopedi, ka harta dhe mund ta gjeni vetë. Po mirë, do të thoni ju për të tretën herë, po sikur kalamani mos të dijë ta gjejë emrin e këtij mali? Çdo të bëhet atëhere?

          Eeee, çdo të bëhet… E para e punës, bota nuk do të përmbyset. Kjo ka rëndësi. Gjyshërit, pse janë? Për këto punë… që t’u shërbejnë kalamajve. Fundja, pensionistë janë. Nuk i keni parë atje në Shqipëri? Hamej trastash me ushqime, roje që presin sa të hapen dyert e dyqaneve të bukës, shtytës të karrocave me bebe, dado që ulin e ngrenë breçkat e kalamajve, kur atyre u vjen ajo që s’po ja përmendim emrin këtu… Punëtorë më të mirë se këta gjyshër shqiptarë nuk gjen në botë! Madje janë punëtorë pa rrogë. Jo vetëm pa rrogë, por paguajnë edhe gjysmën e pensionit të tyre për nipër e për mbesa. Kësaj i thonë të punosh e të paguash pse po punon!

          Kur unë, babushi mora vesh se Kacimicrri ishte nisur pa hartë, u lidha me teleradio me të dhe me enciklopedi në dorë, i tregova ca gjëra shpejt e shpejt.

-Dëgjo këtu, Kacimicërr! Ruaju se mos bie në rrjetë! Ajo Australia është pak e ngatërruar.

-Po pse, mor babush?

Dhe babushi nisi tregimin e vet… Është një vend i madh, shumë i madh. Ndoshta një mijë herë më i madh se Shqipëria, kurse banorë mund të ketë pesë ose gjashtë herë më shumë se tek ne. Ruaju mirë nga tre rreziqe, veç të tjerave. Mos gabo të lahesh në det apo oqean se ai ngandonjëherë shkon gjer në pesë mijë e tetëdhjetë metra i thellë. Aty peshkaqenët që të kollufisin me një kafshatë janë si mizat e lisit tek ne. Mos gabo të flasësh me çdo njeri, pasi atje fliten aq shumë gjuhë, saqë nuk të mjafton as një bibliotekë e tërë me fjalorë për t’u marrë vesh. Mos gabo të ecësh vetëm nëpër pyje se mos të del përpara ndonjë njeri me hark e shigjeta ose një fis indigjenësh të egër…

Këtu Kacimicrrit nuk ju durua, pasi në atë kohë po fluturonte përmbi qytete fantastike. Qytetet kishin pallate të larta me kësula prej resh, drita që të verbonin sytë, makina që nuk mund t’i numuronte as matematicieni më i madh i botës.

-Ç’flet kështu, mor babush? Mos kujton kohërat e vjetra?

-Dëgjo babushin dhe ruaju se mos bie në rrjetë.

Dhe tregimi vazhdoi… Ore, çuni i babushit, po ti nuk e di që Australia u zbulua për herë të parë nga anglezët vetëm dyqind e njëzet e dy vjet më parë. Ti nuk e di as që, jo më shumë se një shekull e gjysëm më parë, gjithë territorin e Australisë, pra, që nga jugu e perëndimi, me Tasmanì e Viktorì, anglezët e kishin si burg për të internuar njerëzit e dënuar. A ke dëgjuar ndonjëherë ti që pasuritë më të mëdha të atij kontinenti, edhe sot e kësaj dite i kanë vetëm pesë burra që nuk e quajnë veten njerëz, po kanë shpikur emrin e përbashkët Monopol ? Sepse anglezët e pasur, së bashku me disa ushtarë të verbër i vranë e i çfarosën dikur banorët vendas. Kurse ata që shpëtuan, i dëbuan e i çuan në tokat më të këqia ose nëpër pyje…

-Po ç’flet mor babush ! Ky është shtet demokratik. E kupton ti se ç’do të thotë demokraci?

-Babushi e kupton demokracinë e Australisë… Është si sheqeri i ëmbël dhe si pelini i hidhur. Dhe mos harro se më e madhja e asaj toke ka qënë dhe është mbretëresha e Anglisë, që e ka pallatin mbretëror në Londër…

Në këtë çast, në këtë minutë e në këtë sekondë Kacimicrri e vuri gishtin përësi në kokë. Deshi një herë të thërrasë me zë aq të lartë, sa të dëgjonte gjithë globi. Dhe thërriti. Po vallë, e dëgjoi globi zërin e tij ?

Ndoshta, po. Ndoshta, jo.

Po çfarë tha kur thërriti ?

-Ç’duhej kjo mbretëreshë, more, në këtë Australi ?!? Ajo jeton me mijëra kilometra larg. Pastaj, ç’ështe kështu me gjithë këtë ushtri mbretërish ? Mbret në Angli, mbret në Suedi, mbret në Irlandë, mbret në Hollandë e në Belgjikë, mbret në Spanjë…e ku ta di unë se ku. Përse duhen gjithë këta mbretër? Apo për të ruajtur pasuritë e tyre përrallore në demokraci ?

-Babush !

-Urdhëro !

-Ç’të bëj tani ?

-Të shkosh në Sidnej dhe në Kambera. Ndoshta edhe në Gildebrandt, ku ka një pallat të bukur që quhet Belvedere. Në Sidnej mos harro të takohesh me Shtatë të Varfërit... Ndoshta ata ndodhen ende atje dhe tregojnë historira nga më të çuditshmet dhe më të pabesueshmet. Unë e di që sot, në Australi qumështi i dallandyshes prodhohet me kompjuter, por mos i harro edhe ata të shtatë. Mos harro as të bësh një triko për vete dhe një për babushin me lesh australian. Ai është më i bukuri në botë. Kur të të shohin përsëri Xhixho Xhanburaska, Robin Patatja dhe Taotao, do të çuditen… Nejse, si i thonë asaj fjalës së urtë popullore, dëgjo se ç’thonë dhjetë vetë dhe më pas bëj si di vetë !

Lidhjet e teleradios u ndërprenë. U ndërprenë për një kohë shumë të gjatë. A shkoi, apo nuk shkoi në Sidnej, në atë qytetin e madh, i cili natën dukej si qielli me yje dhe hënë ? Nuk di të them. A i takoi, apo nuk i takoi Shtatë të Varfërit e Sindejit[1], të përrallëtares Kristina Sted ?! Po ashtu, nuk di t’i përgjigjem as kësaj pyetjeje, se për ta nuk më foli asnjëherë. Vonë, tepër vonë, babushi mori vesh se ç’kishte ndodhur më tej me Kacimicrrin në Australi…

Kacimicrri e tregoi kështu historinë. Po kësaj radhe, nuk i besova dot historisë së tij.

-Mos e ke parë në ëndërr, Kacimicërr ?

-Të betohem për këtë kokën time që e kam sa një lajthi ! Unë, vërtet kam kokë të vockël, por ama, ajo kokë kaq e vockël nuk e lë kurrë gojën time të gënjejë.

-Mos ka ecur koha prapa ? Për shembull, në vënd që të vinte ajo që quhet neser, ka qënë një ditë tjetër që quhet dje e kështu me rradhë pardje, tjetërpardje, tjetërtjetërpardje, stërpardje, etj., etj. ?

-Ndoshta, por kjo nuk është histori e largët.

Dhe kështu nisi historia australiane e Kacimicrrit… Ja, ta zemë se unë u ktheva dhjetë vjetë prapa. Ja, po e pranoj që jam kthyer njëzet vjetë prapa. Po të betohem se më shumë se tridhjetë vjetë prapa, nuk jam kthyer asnjë ditë. Në daç më beso, në daç mos më beso ! Koka e Kacimicrrit nuk e la asnjëherë gojën e Kacimicrrit të gënjejë. Unë nuk jam si Pinoku, që kur gënjente i zgjatej hunda prej druri. Kur gënjejmë ne shqiptarët, na shkurtohen këmbët… A nuk e sheh që nuk më janë shkurtuar ? Po deshe merr edhe metrin dhe mati këmbët ! Asnjë milimetër nuk më janë shkurtuar !

Dhe Kacamicrri e vazhdoi tregimin e tij.

Unë po fluturoja me avionin tim për në qytetin tjetër të madh që e ka emrin Melburn. Kësaj radhe po fluturoja ditën. Po fluturoja ngadalë. Qyteti i madh Melburn të verbonte me rrezatimet e xhamave të ndërtesave të tij. Të dukej sikur dielli u kishte vënë flakën xhamave dhe ato po digjeshin. Kur, papritur, shoh një aeroplan sportiv australian vetëm me një pilot brënda, i cili po fluturonte mbi pyjet e dendura. Kushedi se ç’zbulime bënte ky pilot ! Pra, qerratuci dukej si pilot, po me siguri do të ishte ndonjë shkencëtar, mendova me vete. Po sikur t’i vihem prapa ? Dhe pa një, pa dy, iu vura prapa. Po, ama, iu vura prapa ashtu e kështu që të mos më vinte re. Eh, thashë me vete, ku do t’i shkojë në mëndje shkencëtarit australian që edhe unë, Kacimicrri shqiptar jam shkencëtar…Se kam shpikur një avion supersonik sa një gogozhare Korçe. E ku e njeh ai gogozharen e Korçës ! Shumë-shumë, avioni im atij mund t’i duket si një zog i kuq. Kaq dhe do të më lërë rehat se, për hall, vetëm viza australiane më mungon në pasaportë. Më mungon bashkë me hartën. E kisha vendosur tanimë, të vinte si të vinte kjo punë…

Kur papritur, avioni sportiv nisi të ulej në një çeltinë midis pyjeve të dendura, ku lëvrinin ca njerëz gjysmë të egër e gati lakuriq. Unë fillova të vij rrotull, lart mbi çeltinë, si ndonjë skifter e po vështroja se ç’po bëhej poshtë.

Ata njerëzit që takoi pilot-shkencëtari australian, vërtet kishin qënë të egër e merreshin vesh me të jo me fjalë, po me shënja. Dy orë më vonë, shkencëtari arriti tu mbushë mëndjen me shumë vështirësi nja tre prej tyre që të hypnin në avionin e tij. Të tjerëve u fali ca dhurata, si të them, ca xhingla-mingla. Pastaj e ndezi përsëri avionin, u ngjit në qiell dhe u nis drejt qytetit Melburn. Ai fluturoi dhe unë fluturova në distancë prapa tij, gjersa arritëm në aeroportin e qytetit. Pasi zbrita me të shpejtë nga avioni im, u kapa fort te prapakolpi i një makine, ku hypën shkencëtari dhe tre njerëzit e çveshur gjysmë lakuriq.  

Ç’kishte ndodhur ? Një natë dhe një ditë buçitën radiot dhe televizorët në Australi se na qënkesh zbuluar një fis i panjohur më parë njerëzish të egër. Gjithë australianët u ulën para ekranëve dhe vështronin ata tre njerëz të çveshur e me pupla në kokë që, për çudi, nuk e prishnin gjakun fare. Ata rrinin të qetë, ashtu siç rrinin në xhunglën e pyllit. Më pas, në një sallë të madhe u mblodhën gjithë ata shkencëtarë, sikur të ishin mbledhur për të parë çfaqje. Tre njerëzit e xhunglës rrinin të qetë, të qetë, sikur të ishin në çeltinën e tyre, në mes të pyllit.

Me sa ma preu mua kjo koka ime, si Kacimicërr, shkencëtarët kishin vendosur t’i çudisnin njerëzit e pyllit me mrekullitë e botës së tyre. E çfarë nuk u treguan atyre… Por avionin, makinat dhe pallatet e larta, këta njerëz i njihnin më parë. Prandaj, për t’i çuditur, në fillim u treguan një hekur me korent. E vunë në prizë. Hekuri u nxeh dhe me të hekurosën dy këmisha dhe dy palë pantallona të zhubrosura. Këto rrobe, ua dhanë për t’i veshur dy prej mysafirëve të pyllit, bashkë me dy kollare ngjyra-ngjyra. Të hutuar, dy njerëzit gjysmë lakuriq nuk pranuan. Pastaj sollën një frigorifer dhe një shishe qumësht. Të posaardhurit e provuan që qumështi ishte i vakët. Më pas, shishen e futën në frigorifer. E lanë një orë dhe pastaj ua dhanë atyre për ta provuar të ftohtë. Ata përsëri qëndruan të qetë, si në çeltinën e pyllit, pasi atje e pinin qumështin gjithnjë të freskët.

Shkencëtarët filluan të habiten, të hutohen e të mërziten.

Më pas sollën një radio. E ndezën dhe filloi muzika. Hiç.

Sollën një telvizor. E ndezën. Po transmetohej një ndeshje futbolli midis Australisë dhe Zelandës së Re. Hiç. Tre njerëzit e xhunglës që nuk kishin parë kurrë as hekur korenti, as frigorofer, as radio dhe as televizor, vazhduan të qëndronin të qetë, pa e lëvizur as qerpikun.  

Më në fund, njëri nga shkencëtarët u mërzit kaq shumë, sa nxorri paketën dhe ndezi një cigare me një fije shkrepse. Këtë çast ndodhi çudia më e madhe. Sapo panë fijen e shkrepses së ndezur, tre njerëzit e pyllit u ngritën rrëmbimthi dhe ja rrëmbyen atij kutinë nga dora. Të gjithë mbetën me gojë hapur. Njeriu ishte ngjitur në kozmos, kurse këta “njerëz të egër“ mu në zemër të Australisë, ende nuk kishin mësuar të ndiznin zjarrin !

Kacimicrrit nuk iu durua pa thënë:

-Ç’bën kështu, more glob ! A je në vete ti, moj botë ?!?!

 

Shpjegime:

[1] Shtatë të vafrit e Sidneit (1934) është romani i parë i shkrimtares australiane Christina Stead (1902-1983), ku gjejmë një portretizim të shkëlqyer të varfërisë dhe trazirave sociale në Sidnejin e viteve 1920.

(Vijon...)

Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.