Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 14) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Në Azi, në Arabi, në Afrikë dhe në Meksikë.

Iku dhe Spanja. Iku Barcelona. Mbetën të dyja prapa, buzë Detit Mesdhe. Iku Olimpiada. Në stadium kishte nisur festa e natës. Kërcenin e këndonin njerëz nga e gjithë bota. Thërrisnin “Rroftë Olimpiada! Rroftë paqja! Rroftë qetësia dhe gëzimi në globin tokësor!“, “Mirëupafshim në olimpiadën tjetër, pas katër vjetësh në Atalanta!“

Kacimicrri ishte ngritur lart në qiell mbi detin Mesdhe me avionin e vet sa një gogozhare Korçe. Unë, babushi u bëra merak, pasi ai nuk më tha gjë se për ku ishte nisur. Shkela sustën dhe i dola në ekranin brënda në avion.

  • O bir i babushit! Për ku je nisur?
  • Në Azi.

Azia ishte ai kontinenti i madh, ku jetonin miliarda e miliarda njerëz që quheshin kinezë, vietnamiezë, japonezë dhe koreanë, indonezianë dhe indianë, iranianë dhe afganë, pakistanezë dhe tajlandezë. E ku i gjendej fundi Azisë… 

  • Kacimicërr!
  • Urdhëro, babush!
  • Hap sytë ! Po e pe ngushtë, mos zbrit në tokë se nuk i dihet si vete puna. Shetit nëpër qiell si shqiponja që vjen rrotull dhe nuk e lë vetëm folenë e vet. Shiko e mëso ! Po deshe, edhe me kamera filmo ! Por mos e pëso ! Ku je tani ?
  • Mbi Afganistan.
  • Mos zbrit! Vetëm shiko!

Çudi! As në ëndrra këto nuk i kishte parë njeri. Tokat dhe malet ishin të shkretuara. Karvane shumë të gjata me njerëz ktheheshin në kasollet e rrënuara. Kur ecnin, kishte raste që u pëlcisnin minat nën këmbë. Disa vriteshin e disa mbesnin sakatë pa këmbë e pa duar, pa një dorë e pa dy këmbë, pa dy duar e pa një këmbë. Njerëzit mjekoheshin e kuroheshin e nuk e ndalnin ecjen me paterica nën sqetulla drejt kasolleve të tyre.

Kur kishte filluar lufta dymbëdhjetë vjet më parë… njëlloj sikur fëmija që kishte lindur atëhere, të kishte mbaruar klasën e gjashtë, - kjo tokë minohej e bombardohej nga ushtarët e Rusisë dhe nga mbreti i Afganistanit që quhej Naxhibullah. Bombat shkatërronin e digjnin nga lart poshtë. Minat e fshehura nën dhé digjnin e shkatërronin nga poshtë lart. Të mbjellat përvëloheshin, digjej gruri e misri e njerëzit iknin; iknin nëna e fëmijë, iknin pleqtë e të moshuarit, kurse burrat e djelmoshat luftonin… E keni dëgjuar fjalën refugjat? I keni parë në televizor ata që më dy korrik ikën nga Shqipëria se donin punë e bukë [1]? Nga Afganistani ikën refugjatë sa një Shqipëri e tërë dhe treçerek më shumë…

Lufta mbaroi. Një milionë e ca afganë po kthehen në kasollet e tyre të shkatërruara, në gërmalla e pranë gurëve të djegur. Ca kthehen me kuaj e me gomerë, ca me karroca, ca me paterica pa një këmbë, pa dy këmbë, me një dorë e pa dy duar. Prapa zvarrisin ca bagëti. As rrugët e as kanalet e vaditjes nuk duken më se ku kanë qënë…

Një plak i mënçur, flokëbardhë e zemërbardhë, kishte thirrur diku në botë:

  • Ndihmoini afganët! Ndihmoini afganët! Jepuni dollarë!

Po ende askush nuk është ndjerë.

Kacimicrri, kur dëgjoi këtë zë që ende thërriste dhe asnjeri nuk përgjigjej, u bë gati të zbresë në kryeqytetin që quhej Kabul. Donte edhe ai të thërriste, me shpresë se mos e dëgjonte njeri: “Ndihmoni afganët !“ Por sa u ul nja dyqind metra mbi shtëpitë, dëgjoi krisma armësh. U vranë dhjetra e dhjetra vetë. E ti shihje se si ishin prishur shtëpitë se tani luftën e kishin ndezur partitë. Kokë më vete njëra e kokë më vete tjetra. Njëra parti me mbretin dhe tjetra me varfanjakët. Eh, këto partitë! Harrojnë se për faj të tyre, njerëzit mund të vriten si bagëtitë…

Kacimicrrit iu kujtua porosia e babushit, u ngrit përpjetë dhe u drejtua për në Arabi.

Arabi, moj Arabi! Fytyra nga baruti dhe lufta t’u nxi!

Kur po fluturonte lart-lart në qiell, Kacimicrri pa dy lumej të gjatë. Hapi pakëz dritarëzën e avionit për t’u freskuar, por habitërisht jo që nuk u freskua, por kulloi në djersë. Flladi i Arabisë nuk ishte si puhiza e maleve të Shqipërisë, po si avulli i nxehtë që dilte nga furra.

  • Babush! - thirri në teleradio. – Si quhen këta dy lumenj?
  • Tigri dhe Fufrati… Bo-bo-bo, Kacimicërr, hapi mirë sytë ! A e di ku ke arritur?
  • Ku, babush?
  • Ai shteti poshtë quhet Irak. Kryeqyteti quhet Bagdat. Babushi ka qënë njëherë atje…

Kur ishte babushi, irakienët natën dilnin rrugëve për të kërcyer, kënduar e brohoritur. Kishin bërë revolucion dhe kishin fituar lirinë. Po përsëri, çdo ditë vriteshin njerëz se ata donin t’u ndanin tokën fshatarëve, po bejlerët nuk pranonin. Nuk pranonin as ushtarët e mbretëreshës së Anglisë që e kishin mbajtur Irakun me takën e këpucës në grykë. Tani ata kishin ikur me bishtin nën shalë… Besoj se e kuptoni se njerëzit nuk kanë bisht nën shalë, po kështu thotë populli kur pushtuesit ikin me vrap e me frikë… Babushi u kënaq shumë atëhere me irakenët, të cilët e donin shumë jo vetëm se e kishin mik, por edhe pse ky shqiptar e kishte emrin myslyman, si ata. E ku nuk e kishin shëtitur! Në rrënojat e Babilonisë së lashtë. Në Kirkuk, në një qytet ku gazi i naftës vazhdonte të digjej që prej dy mijë vjetëve si një qiri i madh sa shtylla e telefonit. Në Kurdistan, ku malësorët hidhnin valle tamam si malësorët në Shqipëri. Babushi ka ruajtur edhe një fotografi me presidentin e revolucionit Kerim Kasem, të cilin e vranë pasanikët e mëdhenj sepse nuk kishte frikë e dilte vetëm rrugëve me makinë e pa roje. Edhe një kujtim tjetër nuk i shlyhej nga mëndja babushit. Nga klima e nxehtë, rrushi piqej atje që në muajin qershor dhe kastraveci të vihej përpara në pjatë së bashku me frutat e jo me zarzavatet…

  • O biri im! – thiri babushi kur u përmënd nga kujtimet. – Ik me vrap nga ajo hapësirë!
  • Pse, o babush ?

Pse dhe pse? Po ja, sepse… Atje sundon tani ai i Tmerrshmi, mbreti Hysen Terrorhysen. Ai i gjakosi ushtarët e vet se donte medoemos të mbante të pushtuar një shtet të vockël të pasur me naftë. Ai e lëshoi naftën në det e mbyti miliona peshq dhe shpendë të pafajshëm. Në fund, ai u vuri flakën puseve të naftës, për të cilën ka aq shumë nevojë bota që të ecin kamionët e veturat. Atij të tmerrshmit me mustaqe nuk i prishej oreksi se prishej pasuria e gjithë botës. Ai i tmerrshmi me mustaqe ndodhet edhe sot atje, në Bagdat. Kështu që edhe sot mund të kërcasë pushka në çdo moment.  

  • Ik, Kacimicërr, se mos ai, i tmerrshmi me mustaqe të zeza të lëshon ndonjë raketë nga ato që mban fshehur në xhep e të bën pluhur e hi!
  • Po avioni im është i vogël sa një gogozhare Korçe… Ku e sheh dot ai?!
  • Dëgjo, Kacimicër ! Ai është aq i tmerrshëm sa… po të gjendej ndonjë trim në këtë botë… dhe ky trim t’i shkulte ndonjë qime nga mustaqet e tij në gjumë… Pastaj këtë qime ta lëshonte diku, lart-lart në qiell… Kur të zgjohej mbreti Hysen Terrorhyseni, do ta shihte që i mungonte një qime në mustaqe, do urdhëronte gjithë ushtarët e tij ta kërkonin e ta gjenin qimen e mustaqes së tij në tokë ose në qiell… do ta gjente, do ta zbriste në tokë dhe do ta ngjiste përsëri në vëndin ku ishte shkulur. E sa kohë që t’i ketë të gjitha qimet e mustaqeve të paprekura, nuk do të gjindet burrë në botë që ta heqë atë nga froni ! Kështu mendon ai e kështu i duket.[2]
  • Ik, o Kacimicërr! Ik sa nuk është vonë!

Dhe Kacimicrri e dëgjoi babushin e sa hap e mbyll sytë u gjend mbi Piramidat e Egjyptit, në atë shtetin tjetër që si kryeqytet kishte Kajron, që ndryshe quhej Parisi i Afrikës.

  • Këtu, po. Këtu mund të zbresësh, Kacimicërr !
  • Jo, nuk zbres! – u përgjigj ai. – Paskan ardhur shumë turistë dhe qënka shumë rrëmujë. Pastaj unë erdha që të shoh Sfinksin[3], aty përpara piramidave… Por qënka në remont. Pas mijëra vjetëve që është ndërtuar, tani ka nisur të fundoset pak nga pak nga njëra anë dhe ka rrezik të shembet…
  • E di çfarë ? Po shkoj në Somali. – tha më në fund ai.

Kështu vendosi Kacimicrri. U tha, u bë ! Por sa u afrua atje, një zë i panjohur i tha :

  • Kthehu! Zonë e ndalar!
  • Pse?
  • Edhe këtu kërcet mitrolozi natën e ditën. Nuk ke çfarë të hash e s’kemi ku të gjejmë ilaçe për ty, nëse sëmuresh. Pastaj, kemi frikë se mos marrësh infeksion nga ndonjë sëmundje që bredhërin këtej, nëpër Somali e sa të shërohesh, të skadon viza e pasaportës dhe nuk arrin të vizitosh vëndet e tjera të botës.
  • Atëhere po nisem për shumë larg. Po shkoj në Meksikë, të shoh pistat e raketave të lashta, siç thonë përrallëtarët. Të shoh edhe stadiumin ku u zhvillua atëhere kampionati botëror i futbollit[4]… Këtu në Meksikë, Kacimicrri zbriti fillimisht në stadium, për t’u qetësuar pak nga krismat e mitrolozëve në Azi dhe në Afrikë. Stadiumi ishte krejt bosh. Avioni supersonik zbriti në mes të fushës, te pika e bardhë, aty ku vihet topi i futbollit përpara se të fillojë ndeshja. Kacimicrri doli nga avioni, u shtri në qylymin e gjelbër të fushës dhe vështroi qiellin e kaltër. “Këtu Argjentina mundi Brazilin e doli kampione“, pëshpëriti ai dhe iu kujtuan artikujt e bujshëm të gazetave të asaj kohe që shkruanin se tangoja e ngadaltë argjentinase mundi lambadën e shpejtë braziliane…

  

Shpjegime:

[1] Më 2 korrik 1990, në Tiranë ndodhi ngjarja e pazakontë e hyrjes së rreth 5 mijë qytetarëve nga e gjithë Shqipëria në ambasadat e huaja, kryesisht në ato perëndimore, duke shënuar kështu, fillimin e ndryshimit politik në Shqipërinë komuniste. 

[2] Sadam Hysein ka ka qënë Presidenti i Republikës së Irakut nga viti 1979 deri në 2003. Sundimi i tij diktatorial është i njohur për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për krime mizore, vrasje të shumta dhe për gjenocid. Ai u ekzekutuar me varje në 30 Dhjetor të viti 2006 në Bagdad. Megjithatë, edhe pas rrëzimit të tij, Iraku është rrënuar edhe më shumë dhe vazhdon të përjetojë një paqëndrueshmëri të madhe politike dhe ekonomike.

[3] Sfinksi është një statujë që qëndron përpara piramidave të mëdha të rrafshnaltës së Gizës, në Egjiptin e Poshtëm. Kjo skulpturë monumentale që është më e madhja në botë (me një gjatësi prej 73,5 metrash, me gjerësi prej 14 metrash dhe me një lartësi prej mbi 20 metrash) është realizuar përpara 2500 vjetësh dhe i kushtohet njërit prej faraonëve të dinastisë së 4-të, faraonin Keops.

[4] Kampionati i 13-të Botëror i Futbollit, në të cilin Kupën e Botës e fitoi skuadra e Argjentinës, u mbajt në Meksikë nga 31 maji deri më 29 qershor të vitit 1986.