Fëmijët

Fëminia, prologu që projekton jetën - Nga Vangjush Saro

  • Published in Fëmijët

Meditim në Ditën Botërore të Fëmijëve

Fëminia është prologu që projekton jetën; është modeli që merret me vete kudo e kurdoherë. Ajo shkon për dore me njeriun dhe e trazon atë vazhdimisht: me brishtësinë dhe madhështinë e vet, me të qarat, të qeshurat, rrëfimet e prindërve e gjyshërve, lodrat dhe lojnat sipas kushteve e moshës, episodet e gjithfarshme dhe dramat e familjes e të fqinjëve. Është kaq e bekuar dhe inspiruese; ose... peng për më tej. Fëminia krijon njeriun, gruan dhe burrin, të bukurit dhe të zakonshmit, të famshmit dhe më pak të njohurit, artistët dhe politikanët, sportistët dhe biznesmenët; fëminia të ndjek gjatë jetës si një film që shfaqet pareshtur në ekranet e kohës, në beze, në lëndina, në dete, në qiej...

Fëminia është një leksion për përshtatjen dhe relativitetin. Sot, njerëzit duken më të kulturuar, por janë më konfuzë; duken më të lumtur, por vuajnë më shumë; duken formalisht më të lirë, por janë më të kufizuar, përkatësisht më të varur: nga ndotja mjedisore e akustike, nga lobet e monopolet, nga tregu i paqendrueshëm, nga elektronika, nga e nesërmja, nga e panjohura. (Shkova padashur te "thelbi" i romanit tim “Misioni”, botimi II: “Misioni i z. Ndrio”.) Por, gjithsesi, më thoni që kjo varësi nuk është dhe e mbylla me kaq...

Fëminia bën pakt me kohën. Ne shkonim për t’u larë - për plazh(!) - në pritkat e Mborjes, që ishin pellgje me ujë; por ja edhe në Pogradec, kush ishte me fat në Durrës. Tani, një pjesë e madhe - le të themi sërish kush është me fat - shkon në Meksikë, në Itali, në Greqi, në plazhet më të mira të Shqipërisë. (Por prapë, ajo pellgaçja është me ty, të ka dhënë imazhet e para dhe të ka bërë të ëndërrosh; ju keni bërë një “kontratë”...)

Fëminia është sa intime, aq edhe e hapur. Mund të bësh krahasime në kohë e vende, në familje e jashtë saj; por nuk mund të anosh në mënyrë shteruese andej apo këtej. Çdo episod ka vlerat dhe përparësitë e veta: E djeshmja të donte nën kontroll, ndonjëherë të shtypte; por prapë nxiste fantazinë, vetëveprimin, ishte më “bio” në çdo pikëpamje. E sotmja, përveç lirisë me shumicë, ofron mundësi të tjera, më e pakta një mirëqenie në masë, pastaj pozon pareshtur informacion, edhe pse shpesh i kontestuar. Por në thelb, fëminia është një e njësoj: Prologu që projekton jetën.

©Vangjush Saro