Fëmijët

Kapitulli 4. Festivali i Përrallave në Planetin e Kuq

  • Published in Fëmijët

Kapitulli 4 i Romanit për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq”  nga Bedri Dedja

Kreu i Festivalit të përrallave në Planetin e Kuq

Ishte dhe nuk e merrni dot me mend se si ishte…

  

Republika e marsianëve kishte një president, i cili drejtonte të gjitha punët e Planetit të kuq. Po si ishte ky president?

Një burrë i gjatë me mustaqe? Një burrë i shëndoshë me bark të madh? Një kauboj me pesë kobure në brez? Një njeri i ngrysur që nuk i qeshte buza kurrë dhe vishte pantallona xhins? Një grua me një okë tualet dhe me flokë të prerë shkurt, gati gjysëm centimetri të gjatë? Apo një njeri që i mbante sytë vetëm përpjetë dhe nuk shikonte asnjëherë përtokë? Jo, jo! Një mijë herë jo! Nëse keni durim, do ta merrni vesh shpejt se kush ishte dhe si ishte ky president. Ai ishte njeriu më i dashur dhe më i qeshur i planetit. Kishte shoqëri edhe me kalamajtë.  Sikur në çdo orë të trokiste në derë një kolopuç parashkollor për t’u ankuar për dy zevzekë që ia kishin prishur balonën dauke, ai do ta priste me respekt në zyrën e vet. Do ta dëgjonte me vëmendje dhe do t’u vinte një gjobë të majme prindërve të zevzekëve.

Pale kur priste të rritur dhe pleq! Pleqve u dilte përpara te porta e katit të parë të rrokaqiellit të Presidencës. U hidhte krahun, i hipte në ashensor dhe pastaj i ulte në kolltukun përkarshi fronit ku ulej vetë. Presidenti ishte në të njëjtën kohë dhe Kryetari i Asamblesë së Madhe të Deputetëve të Planetit të Kuq.

Mjaftonte një njeri për këto dy poste, pasi përndryshe, po të ishin dy do të rrinin pa punë dhe do të thyenin arra tërë ditës. Asambleja e Madhe kishte dy parti: njëra quhej “Partia e të Urtëve”, me pleq, burra e gra, (që nuk ishin të gjithë të urtë, pasi kishte edhe grindavecë midis tyre); partia tjetër ishte e kalamajve dhe quhej “Ardhmëria e Planetit të Kuq”. Kjo asamble deputetësh nuk ngjante me asambletë e planeteve të tjerë, të cilat kishin deputetë nga 101 parti me emra nga më të çuditshmit. Për shembull: “Partia e Mbretit tonë që ka jetuar para krishtit”, “Partia e ngrënësve të fasuleve me spec të kuq e sallam”, “Partia e barinjve të lepujve”, “Partia e plehraxhinjve”, “Partia e hajdutëve me çizme e pa çizme”, “Partia e të drejtave të burgaxhinjve”, “Partia e kobureve me fishekë dhe pa fishekë” etj, etj. Në Mars kishte dhe një parti të tretë, por ajo mbahej sekret dhe mbrohej, sidomos nga dembelët. Kjo parti, e cila kishte kryetar Presidentin e Planetit të Kuq, dhe zëvendëskryetar një vajzë me emrin Dea, quhej “Bashkimi i Shkencëtarëve të vegjël për zbulimin e të fshehtave të Jupiterit dhe Saturnit”. Kjo puna e partive në planetët e sistemit diellor në të vërtetë ishte pak e ngatërruar. Por tani kjo nuk është me shumë rëndësi, pasi dalë-ngadalë do të sqarohet.

***

Nuk keni harruar se fjalën në fillim e kishim te Presidenti i Planetit të Kuq, që ishte edhe kryetar i Asamblesë së Madhe të Deputetëve të Marsit.

Presidenti i thoshte gjithnjë deputetëve të Asamblesë së Madhe: “Mësoni nga kalamajtë, se ata janë të mençur. Kur ne bëjmë gabime, ata na i thonë troç në sy!” Atij i pëlqenin sidomos përrallat që tregonin të vegjlit në festival. Sipas mësimeve që nxirreshin nga përrallat e tyre, ai dhe Asambleja e Madhe e Marsit hartonin ligjet e planetit.

Kudo që ndodhej, presidentit i pëlqente shumë të përsëriste këto fjalë: “Po të mos u vinim vesh këtyre përrallave të kalamajve, ky sistemi ynë diellor nuk do të rregullohej asnjëherë.”

***

Të nesërmen, në sallën e madhe të Asamblesë së Deputetëve nisi Festivali i Përrallave të Kalamajve.

Po ç’përralla u treguan dhe cilat u pëlqyen më shumë?

Doli në tribunë një marsian 3-vjeçar, një pëllëmbë e gjysmë mbi tokë dhe tregoi këtë përrallë:

-Na ishte njëherë një baba. Ky baba ishte babai im. Ai donte të më fuste ushqimin në gojë fiks fare në atë orë, në atë minutë dhe në atë sekondë që kishte vendosur ai vetë. Unë nuk doja të haja sipas llogarisë së tij. Unë doja të haja kur të më merrte uria, por babait tim nuk ia mbush dot mendjen njeri. Më thoni tani, a nuk ka rrezik që babai im të bëhet diktator?

Salla duartrokiti gjatë.

Doli në tribunë një marsian 5-vjeçar dhe tregoi një përrallë.

-Na ishte njëherë një mami. Kjo mami ishte mami im. Një ditë ajo donte të më vishte me xhup, ndërkohë që temperatura në kryeqytetin tonë ishte 25 gradë. Mua me xhup më shkonin djersët çurg, kurse ajo më thoshte se kisha rrezik të ftohesha! Unë ngulja këmbë të dilja me bluzë, ajo ma vishte xhupin me zor. Më thoni tani, a nuk ka rrezik që një ditë mami im të bëhet diktatore?

Salla u ngrit në këmbë dhe thirri në kor:

-Poshtë diktatorët në planetin Mars!

Pas kësaj u bë një zhurmë aq e madhe, saqë ishte e pamundur të dëgjoheshin përrallat e tjera të marsianëve të vegjël. Por pak më vonë ra heshtja dhe nuk pipëtiu njeri.

-Me leje!- foli një kalama.

Ishte një nga kalamajtë që kishin ardhur me autobusin kozmik nga Toka në planetin Mars.

-Si t’ia bëjmë ne?

-Çfarë halli keni? -ushtoi salla.

-Na ishte ç’na ishte…Ne kemi një president demokrat të Republikës së Përrallave, të cilin e kemi zgjedhur vetë. Por na qenka ç’na qenka! Na kthehet përsëri mbreti i vjetër Shtatë Pëllëmbë Mjekrra e Tri Pëllëmbë Shtati dhe na thotë: Dua të bëhem përsëri mbret, se tani jemi në demokraci dhe me vota unë mund të rrëzoj presidentin tuaj demokrat. Dhelprat dhe lepujt i kam bërë për vete, bashkë me bufat e natës, që nuk shohin ditën dhe nuk dinë se ç’emër prishin në fletën e votimit…” Nesër do të jetë ç’do të jetë! Ky mbret do të kërkojë referendum. Po ne çfarë do të bëjmë?

Salla buçiti njëzëri:

Mjekrën e gjatë mbajeni në kopshtin zoologjik! Atë as kafshët nuk kanë për ta zgjedhur. Rroftë Republika Demokratike e Përrallave! Rrofshin përrallëtarët kalamaj-shkencëtarë!

(vazhdon...)