Fëmijët

Bisedë me mbesën - Nga Tasim Gjokutaj

  • Published in Fëmijët

1.

Unë s’kam qenë gjithnjë gjyshe,
flokëbardhë me syze në sy,
moj mbesëz, kam qenë dhe
ndryshe,
e vogël, e vogël sa ti.

Kam pasur ca shoqe në fshat,
si shoqet e tua, të mira,
gëzime dhe bukë kishim pak,
po kishim një mal me dëshira.

Dhe kukullat i donim, i donim,
po s’patëm një kukull, të
shkretën,
me lecka e pecka sajonim
ca kukulla të varfra si veten…

Kam pasur një shoqe, moj Edë,
Burbuqen, të bukur si nuri,
me sy të kaltër si deti,
me flokët të artë si gruri.

Me çapin të lehtë, thëllëzë,
oh, lëre se ç’vajzë që ishte,
s’arriti ditëzeza të bëhej
as nuse, as nënë, as gjyshe.

Si iku? As unë s’e kuptova,
dy ditë në lojë pat munguar,
ndaj shkova me vrap e kërkova,
më thanë: “Te halla ka shkuar!”

Më thanë: “Te halla ka shkuar,
në fshatin pesë male kaptuar…”
E prita në lëmë te ledhi
një ditë, dy ditë… po s’erdhi.

Malli më piku, letra nuk bënim,
se shkronjat, moj mbesë, s’i
dinim,
ndaj dilja çdo mbrëmje te lëmi
të pyesja gjithë zogjtë që vinin.

Ata s’më tregonin asgjë…
Ç’u bë ajo vajzë, ç’u bë?

2.
Kur oxhakët villnin tym
mbi kasolle, si çibukë,
dhe dëbora me thëllim
mbuloi fshatin pup e pup!

Erdh’ një lajm i zi si nata,
që të gjithë i mallëngjeu:
“Burbuqen me flokë të arta,
thonë lumi e rrëmbeu”.

Kur e thanë atë me emër,
qysh u mbajta, nuk e di,
si një thikë e fortë në zemër
më goditi lajmi i zi.

Mora rrugën për në lumë,
lumi rridhte tatëpjetë,
thithte borë e nxirrte shkumë
dhe nxitonte për në det…

“Ndal, o lumë, ndal, moj borë!
Ndal, pa ndal dhe ti, moj erë!
Shoqen time, kush e mbyti?
Hë pra, flisni, po ju them!”

Lumi rend me vrap si kalë,
bora bie pa pushim,
ndërsa era nëpër mal
ulërin e ulërin…

3.
Një djalë nga fshati
lajm tjetër përhapi:
“Vajzën e filanit
nuk e mbyti lumi,
E mbyti Kanuni!”

Kanuni s’qe lumë,
as pushkë, as litar
Kanuni qe libër
i ngopur me fjalë.

Ti, Eda, ke sot
plot libra të bukura
me yje, me zogj,
me trena, me flutura.

Si librat e tua
Kanuni nuk ishte,
ai brenda kishte
ligje te çuditëshme:

“Gruaja të heshtë,
gjuhën ta shtrëngojë
nën thundrën e burrit
gjithë jetën të rrojë!

Të punojë më shumë
sesa një gomar,
se ajo ha bukë,
gomari ha bar!

Të shitet, të blihet
si lopa në treg,
të fejohet foshnjë,
që kur është në djep!”

4.
Nxitur nga Kanuni,
një plakut iu tek
që një nuse tjetër
ta blinte me lek.
Dikush i kish thënë
se larg… në një fshat
është një vajzë si hënë,
me flokët e artë.

Është pak e parritur,
e quajnë Burbuqe…
Plaku nisi mblesër
ta kërkojnë për… nuse.

Mblesët, si nepërkat,
ditë e natë s’u ndalën,
një ec e një eja,
gjersa morën fjalën.

“Vajza është e vogël,
do prisni dy vjet!”
“S’ka gjë, do ta marrë
ta ketë për hyzmet!”

Baba përtyp dhembje,
nëna përtyp lotë…
“Kjo martesë do të bëhet,
Kanuni e thotë!”

5.
Dhe një natë me hënë,
me yje të rralla,
e nisën Burbuqen
gjoja për te halla.

Plaku shkon përpara,
Burbuqja në mes,
prapa katër krushq,
prapa katër mblesë.
Vellon ku e ka?
Vello… nata e zezë!

Hëna, sipër reve,
Sikur pikon lot,
plaku thotë me vete:
“Lekët s’vanë kot.

Paskam blerë një nuse,
të bukur si ylli…”
Plaku lëpin jargët,
si jargë kërmilli.

E dëgjoi Burbuqja,
iu bënë faqet prush,
tani e kuptoi
të gjithë atë kurth.

Me kë të fjaloset?
Sytë i hedh përreth,
natë e zezë u nxi,
Burbuqja u zverdh.
Lumi ndënë urë
grindet e bën zhurmë…

Ajo fluturoi
e u hodh mbi dallgë,
lumi e mbështolli
me vello të bardhë.

Kështu shkoi Burbuqja,
Burbuqja që s’çeli,
dhe në mendjen time
si legjendë ngeli…

Tasim Gjokutaj 1983