Fëmijët

Kapitulli 5. Takimi i kalamajve të Tokës me Presidentin e Planetit të Kuq

  • Published in Fëmijët

 

 

Kapitulli 5 –Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq”

Takimi i kalamajve të Tokës me Presidentin e Planetit të Kuq

 

Nga: Bedri Dedja

Ju nuk e dini se si zgjohet nga gjumi Presidenti i Planetit të Kuq. Nuk dini as çfarë bën para se ta zërë gjumi. Po në ç’orë fle dhe në ç’orë zgjohet ai?

Kjo punë është pakëz e ngatërruar. Një ditë e një natë në Mars, nuk është njëzet e katër orë në Tokë, por njëzet e katër orë e tridhjetë e shtatë minuta. Një orë atje nuk ka gjashtëdhjetë minuta, por pak më shumë se gjashtëdhjetë e një minuta e gjysmë.

Kur themi se dy presidentët, ai i Tokës dhe ai i Marsit zgjohen më gjashtë të mëngjesit, kjo do të thotë se presidenti i Marsit zgjohet një minutë e tridhjetë e pesë sekonda më vonë se ai i Tokës.

Oh sa i çuditshëm ishte ky presidenti i Planetit të kuq! Çfarë nuk bënte para se ta zinte gjumi!

Pas darkës, në fillim dëgjonte me kufje muzikë popullore dhe klasike. Kjo ia çlodhte nervat dhe ia bënte si ata qefujt e freskët të detit të Shëngjinit. Pastaj hapte intersatin dhe lexonte lajmet e planetëve të sistemit diellor. Lexonte edhe artikujt kryesorë të gazetave të Marsit e të Tokës si dhe një gazetë misterioze me titull “Venera”. A botohej ajo në planetin me të njëjtin emër apo ishte shpikje e mafies kozmike, kjo ende nuk dihet.

Ora më e bukur për presidentin para gjumit ishte nga njëmbëdhjetë e tridhjetë e katër minuta e gjysmë e natës deri më dymbëdhjetë e tridhjetë e shtatë minuta, kur ai lexonte vëllimet me përralla të kalamajve. Vëllime që ishin botuar në kryeqytet, në kryeqendrat e provincave dhe në qendrat industrialo-bujqësore të planetit. Titujt e këtyre vëllimeve ishin shumë të bukur: “Përrallat që zbresin nga ylli polar”, “Na ishte njëherë një shofer taksie kozmike”, “Tomi dhe Xherri në Neptun dhe në Pluton” et., etj. Por presidentit i kish pëlqyer më shumë libri i një marsiani 3-vjeçar me titullin “Përrallat që tregojnë se si mund të gatuhen ëmbëlsirat pa sheqer në planetin Mars”.

Fiks në orën dymbëdhjetë e tridhjetë e shtatë minuta të natës në të dy veshët e presidentit dëgjohej një si zile që tingëllonte: “Stop, stop, stop!” dhe ai menjëherë fluturonte në flatrat e një gjumi që nuk ia prishte dot as tërmeti dhjetë ballësh.

***

Në mëngjes në kryeqytet zbardhte një agim artificial. Në lindje niste të ngrihej dalëngadalë një diell elektrik, gjithashtu artificial, i cili edhe ndriçonte, edhe të ngrohte me rrezet e tij. Stinët, dita dhe nata, të ftohtët dhe të nxehtët, moti i mirë dhe moti i vrenjtur, shiu dhe bora, flladi dhe era në kryeqytet dhe në të gjithë krahinat e nëndheshme të Planetit të Kuq drejtoheshin me telekomandë nga Qendra Planetare e Motit. Aty punonin tre robotë, që merrnin urdhra nga Presidenca.

Ta zëmë se marsianëve të vegjël në mes të verës së nxehtë u tekej të rrëshqitnin me patina në akull. Ç’ndodhte? Presidenti i vogël i kalamajve i telefononte presidentit të madh dhe i shprehte dëshirën e shokëve të tij. Ky i fundit nuk ua bënte dysh fjalën të vegjëlve. U jepte menjëherë urdhër me mesazh nga kozmofoni i vet robotëve të Qendrës Planetare të Motit. Në çast ndodhte çudia: dielli elektronik artificial zhdukej, qielli vrenjtej, fushat e blerta ktheheshin në fusha të akullta, frutat e pemëve, mollë, dardhë, qershi e ftonj, fluturonin në fabrikat e plehut bimor dhe drurët zhvisheshin; kalamajtë me patina, me qindra e me mijëra, derdheshin mbi fushat e akullta.

Si mbaronte kjo histori, ata kërkonin vapë korriku. Donin të laheshin në liqen, se ishin djersitur nga rrëshqitja me vrull në akull. Kjo punë vazhdonte për një kohë të gjatë. Marsianët e vegjël fillonin të llastoheshin. Ca thërrisnin: “Sot duam pranverë që të mbledhim lule për festën e mësuesve”, ca të tjerë: “Duam vjeshtë, se na ka vajtur mendja për rrush”.

Kalamajtë si kalamaj që janë, e tepronin. Kokat elektronike të robotëve të Qendrës Planetare të Motit nisnin të nxeheshin nga stërmundimi. Ishte punë e lodhshme të plotësoje tekat e tekanjozëve të vegjël. E thënë me një fjalë më popullore, kosi në planetin Mars kishte filluar të thartohej.

Atëherë edhe presidenti i Planetit të Kuq thërriste duke përsëritur po ashtu disa fjalë popullore: “Ndalu beg se ke hendek! Nesër të mblidhet Asambleja e Madhe e Planetit për të vendosur rradhën e ndërrimit të stinëve!”

Sapo presidenti hapi sytë pas gjumit, përballë shtratit të tij u shfaq një tabelë e madhe elektronike, si ato të stadiumeve, që tregojnë rezultatin kur zhvillohen ndeshjet e futbollit. Në tabelë tregohej plani i punës së presidentit për atë ditë, në mënyrë që ai, si plak që ishte, të mos harronte se ç’duhej të bënte. Ishin planifikuar aq shumë punë, sa mund të thoshe: “A merr frymë ky njeri, a pushon gjatë ditës për të ngrënë diçka apo për të pirë një kafe?”

Dy pikat e para të planit të asaj dite në tabelë ishin:

  1. Mbledhja e Asamblesë së Kalamajve për të vendosur rradhën e stinëve. Si mund të plevitoset një kalama, i cili luan futboll me kanotierë dhe pas një ore kërkon dimër që të rrëshqasë në akull i djersitur, po me kanotierë? Tekat e fëmijëve janë sëmundje e rrezikshme ngjitëse e planetëve të sistemit diellor. Votimi i rezolutës se Presidentit të Planetit të Kuq.
  2. Takimi i Presidentit me kalamajtë e Tokës, që kanë ardhur në Mars me autobus kozmik.

Filloi dita artificiale në kryeqytet. Më pas nisi Asambleja e Kalamajve nën drejtimin e presidentit. U mbajtën njëqind e dy fjalime. Në fund u votua rezoluta për tekat e kalamajve. Me pesëqind vota pro tekat u dënuan rëndë dhe u vendos që ato të futen në një thes dhe me një sondë kozmike të hidheshin në planetin e fundit të sistemit diellor, në akullin e Plutonit. Vetëm dyzet kalamaj, tekanjozët më të tërbuar të galaktikës, të cilët donin që çdo ditë të kishte katër stinë, votuan kundër. Këta, jotekanjozë, por stërtekanjozë, donin që gjithë ditën të hanin gjëra hafife, të pinin lëng frutash, të rrëshqitnin në akull, të luanin futboll e tenis, të shikonin nga katër a pesë orë në ditë filma vizatimorë e të mos hapnin asnjë libër as në shkollë dhe as në shtëpi.

Asambleja e Kalamajve vendosi që dyzet stërtekanjozët të çoheshin me ekspeditën e parë të marsit në Jupiter që të riedukoheshin duke parë mrekullitë e këtij planeti.

Në orën dymbëdhjetë e tetëmbëdhjetë minuta e gjysmë, që në planetin Mars donte të thoshte dymbëdhjetë fiks, presidenti u takua në zyrën e vet me kalamajtë e Tokës.

Si i takoi presidenti i Planetit të Kuq kalamajtë e Tokës?

Megjithëse plak, presidenti ishte shumë i fuqishëm dhe i takoi të gjithë me rradhë. I kapi me të dyja duart, i ngriti përpjetë mbi kokë, i përqafoi dhe pastaj i uli në tokë e i pyeti për emrat:

-Si quhesh ti?

-Fatbardh Pikaloshi.

-Po ti?

-Teodor Metalori.

-Po ti?

-Agim Galica.

-Po ti?

-Ardita Jashari.

-Po ti?

-Ilir Gjirokastriti.

***

Pastaj u hap një vitrinë me të gjitha frutat dhe ëmbëlsirat.

-Hani, hani! Qerasuni, qerasuni!

Pak më vonë u hap një vitrinë tjetër, plot shishe e gota, me të gjitha llojet e lëngjeve të frutave.

-Pini, pini, miqtë e mi të vegjël!- u tha presidenti. 

( vijon..)