Fëmijët

Don Kishoti përleshet me 8 Viganët e ndërtimeve pa leje

  • Published in Fëmijët

 Nga Vangjush Saro

 

Don Kishoti mbështet demonstratën e fëmijëve, duke u përleshur me 8 Viganët e ndërtimeve pa leje

...Me të thënë këto, zu të vishte parzmoren, rrëmbeu kokoren-legen dhe më së fundi edhe ushtën. Pastaj urdhëroi Sançon të bënte gati kafshët, se lufta ishte ja aty, dy hapa përpara. Muj Kreshnikun e zuri frika se bujtësit po iknin pa paguar.
-Për ku kështu, bre ti? - pyeti ai gjithë lezet.
-Në luftë, miku im, në luftë.
-E ku luftohet kjo luftë?
Don Kishoti tregoi fushën e përbaltur, ku kalamajtë kishin filluar të bërtisnin: “E dum fushën? Po po po! Dum pallate? Jo jo jo!”
Muji u doli përpara kordhëtarëve. 
-Dale, more njerëz, se aty vetëm sa janë tue lujtë kalamajtë… Or ti, Sanço! Osht veç një fushë futbolli dhe aq, mor burrë. Aj Ramadani ka marrë ni leje ndërtimi me bo pallat. Kto kalamajtë nuk kanë ku me lujt. A kupton ti? Andaj po bojnë ashtuna, demënstratë. Kalorës i nderum! - iu vu prapa Don Kishotit i shkreti Muj - Kthene kalin, bre! Do t’na bojsh ndoni hata.
-Hiqu, zoti Muj! - brriti me të madhe Don Kishoti - Hiqu, se do të kthehet mbi ty mëria e kalorësit të arratisur dhe pastaj nuk dihet fundi.
Dhe një t’u lëshuar në xhade, pastaj fill edhe tek fusha e përbaltur.
Por çasti që Don Kishoti kishte zgjedhur për betejë, nuk ishte i volitshëm. Tek ish-fusha e futbollit, ziente puna. Nja katër-pesë pemë që kishin mbetur ende aty rrotull, po i shkulnin. Një betoniere, punë e madhe, oshëtinte sa tundeshin edhe balta e pellgjet me ujë. Më tutje, ngriheshin e fluturonin zgupthi togje me tulla, kurse capet kalamendeshin nëpër ajër duke bërë figura lloj-lloj. Don Kishoti gatiti ushtën dhe ligjëroi kështu: 
-Zot, më jep fuqinë dhe kurajon që të përballoj këtë betejë të lavdishme e të pabarabartë dhe të dal fitimtar mbi të paudhët dhe të pafetë! Le të bien boritë e fitores dhe të ngadhnjimit, se krahu i pathyeshëm i kalorësit famëshumë do t’i lajë njëherë e mirë hesapet me këtë tufë maskarenjsh! Përpara!
Por ndërsa u mat të bënte përpara, Sançoja i urtë i tërhoqi vëmendjen:
-Dale imzot, dale! Druaj se po ngutesh. Ç’është kjo betejë që më thua? Këtu po ndërtohet pallati pa lejë i atij Ramadanit. A nuk ta tha edhe zoti Muj Kreshniku?
-Sanço! Frika t’i ka trazuar mendimet. Përpara nesh, or mik, janë as më shumë e as më pak, por 8 Viganët që kanë bërë aq mëkate, sa meritojnë ndëshkimin më të egër. Pas meje, Sanço!
Dhe u turr i shkreti luftëtar drejt edhe tek shtyllat e betonit. Më t’u përplas atje tek shtylla më e parë dhe ushta iu kthye mbrapsht për faqe të zezë. Por ai nuk jepej. E ktheu Rosinantin besnik sërish dhe sërish u sul përpara me guxim. Dhe veç jepte kushtrim:
-Fundi juaj është i sigurt, kopukë e bij kopukësh! Menduat se do të thyenit vrullin e kalorësit të pamposhtur, por gabuat rëndë. Dale pa do ta shikoni…
Por ishte kalorësi që po gabonte sërish. Përplasja e dytë me shtyllat e betonit, e hodhi përdhe. Kokorja-legen i fluturoi në njërën anë. Ushta e thyer, në anën tjetër. Vetë, t’u ngjesh në një gropë gëlqereje dhe u zbardh e u bë i frikshëm, a thua kaq e pati. Po vdiste.
Këtej sheshit, kalamajtë ngrinin parrullat lart e më lart dhe bërtisnin me të madhe: “Bjeri, xhaxhi! Shëmbi, xhaxhi!” Andej, ca punëtorë lanë veglat edhe po vështronin plot shasti sulmin e tmerrshëm të njeriut të tmerrshëm. Dhe nuk dinin në se duhej të qeshnin apo ta ndalnin këtë betejë të lemerishme. 
-Ç’na bëre, imzot, ç’na bëre! - i shkoi pranë Sançoja dhe zuri ta ngrinte.
-Por ata nuk e dinë… - vazhdonte të bërtiste Don Kishoti, duke fshirë me mëngë fytyrën e gëlqerosur - Nuk e dinë me kë kanë të bëjnë. Hakmarrja ime do t’i shpartallojë…
U afruan edhe ca nga ata punëtorët dhe thirrën një makinë. E ngritën të ziun kalorës, që ishte bërë si mos më keq. Krahun e djathtë nuk e ndjente fare. Këmbën e majtë e kishte ndrydhur. Vraga gjaku i shkonin nëpër fytyrë, përzier me baltë e gëlqere. Lavdi po çfarë lavdie!
E me gjithë këto vuajtje, Don Kishoti nuk ishte thyer.
-Ju do të më shikoni! - çirrej e sokëllinte ai pareshtur - Dale pa të ngrihem. Jua tregoj qejfin unë…
Por nuk mundi t’ua tregonte qejfin i shkreti kalorës, sepse e dërguan me urgjencë në spital.

………………………………………………………………..

Fragmenti është shkëputur nga novela “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri”.