Borëbardha
Na ishte një herë një mbret dhe një mbretëreshë!
Ata e donin shumë njëri-tjetrin, por ishin pak të trishtuar sepse nuk kishin ende një fëmijë. Një ditë të bukur dimri mbretëresha ishte ulur pranë dritares me kanate të hapur dhe qepte, kur papritur u shpua me gjilpërë dhe tri pika gjaku ranë në dëborë. Mbretëresha ofshau:
- Ah sikur të lindja një vajzë të bardhë si dëborë, me buzë të kuqe si gjaku e flokë të zeza si korbi. Dhe e besoni dot? Disa muaj më vonë ajo lindi një vajzë me lëkurë të bardhë si dëbora, buzët e kuqe si gjaku dhe flokët e zeza si korbi. Mbretëresha u lumturua për lindjen e vajzës dhe ia vuri emrin Borëbardha. Mirëpo pas pak kohe mbretëresha u sëmur rëndë, mjekët nuk mundën dot ti gjenin ilaçet dhe kështu shpirti i saj i bukur u detyrua të ngjitej në qiell, nga ku do kujdesej për së largu për bijën e saj. Por Borëbardha kishte nevojë për një nënë që të kujdesej kur ajo të kishte nevojë në shtëpi, kështu që mbreti u martua. Mirëpo mbretëresha e re e kishte mendjen vetëm tek një gjë: Tek bukuria e saj. Ajo kishte një pasqyrë magjike, të cilën e pyeste çdo ditë:
- Pasqyrë, moj pasqyrë, aty në murë ku je, më thuaj kush është më e bukura mbi këtë dhe?
- Ti mbretëreshë, ti je më e bukura mbi këtë dhe!- i përgjigjej pasqyra magjike.
E kështu kaluan disa vite, pasqyra përgjigjej njëlloj. Por një ditë pasqyra e ndryshoi përgjigjen e saj.
- Mbretëresha ime e bukur je ti, por Borëbardha është e bukur si një hyjni!
Kur dëgjoi këtë mbretëresha u tërbua fare dhe urdhëroi një gjuetar të oborrit ta shfaroste Borëbardhën nga faqja e dheut. Ajo i kërkoi atij ti sillte zemrën e saj. Ndërsa Mbretit i tha se e bija ishte arratisur nga shtëpia dhe kishte dërguar ushtarë ta kërkonin. Dhe mbreti e besoi gënjeshtrën e gruas së tij. Gjuetari e çoi Borëbardhën në pyll, por nga pafajësia dhe ëmbëlsia e saj ai u prek dhe ia fali jetën. Në vend të saj ai vrau një dre, zemrën e të cilit ia çoi dhuratë Mbretëreshës së ligë. Borëbardha vrapoi pyllit të dendur e të errët të largohej sa më shumë prej pallatit mbretëror. Ajo vrapoi e vrapoi derisa u ndal para një shtëpize. Hyri Brenda dhe aty u mrekullua nga gjërat e vogla që pa. shtatë krevat të vegjël, tavolinë të vogël të shtuar me shtatë pjata dhe shtatë gota. Borëbardha hëngri pakëz ushqim nga çdo pjatë dhe u shtri aq sa mundej në krevatët e vegjël. Pas pak shtëpiza u bë e zhurmshme. Erdhën pronarët e saj që ishin 7 xhuxhmaxhuxhë punëtorë. Doktori, Nevriku, Gjumashi, Teshtima, i trashi, Gazmori dhe Hutaqi. Xhuxhi i madh i quajtur Doktori tha:- “Karrigia ime paska lëvizur nga vendi”.
Mmmm-Kush paska ngrënë pjatën time?–tha nevriku. Aaaaapshu---teshtiu xhuxhi Teshtimë ndërkohë që pyeti se kush ia kishte pirë lëngun. Borëbardhën kjo teshtimë e zgjoi dhe ajo hapi sytë e bukur dhe i përshëndeti me ëmbëlsi të shtatë xhuxhat. Ajo i tregoi se kush ishte dhe nga vinte dhe xhuxhët e pranuan si motrën e tyre. Ndërkohë që Borëbardha argëtohej dhe qetësohej në shtëpinë e saj të re, në kështjellë mbretëresha zemërkeqe pyeste pasqyrën magjike:
- Pasqyrë, moj pasqyrë, aty në murë ku je, më thuaj kush është më e bukura mbi këtë dhe?
E pasqyra iu përgjegj:
-“ Mbretëreshë, ti je më e bukura në oborr, por Borëbardha që jeton në anën tjetër pyllit, në kasollën e xhuxhëve, është më e bukura në botë ”.
Mbrëtëresha nuk u besoi veshëve. Ajo e pyeti e ripyeti pasqyrën dhe sërish merrte të njëjtën përgjigje. E zemëruar në kulm ajo u maskua si një plakë, veshi rroba të leckosura dhe u nis të gjente Borëbardhën. Dhe shumë shpejt arriti në shtëpizën e drurtë dhe trokiti në dritare. Borëbardha zemërmirë e ftoi brenda të ligën dhe plaka përfitoi nga rasti ti ofronte një mollë të helmatisur. Borëbardha për mirësjellje e pranoi mollën e saj dhe e kafshoi. Menjëherë bukuroshja e pafajshme ra përtokë pa ndjenja. Shtriga plakë u largua menjëherë sapo dëgjoi dhe këngën e xhuxhëve që po ktheheshin në shtëpi. Kur xhuxhët hynë brenda panë Borëbardhën të shtrirë. i trashi kujtoi se ajo po flinte, ndërsa Nevrikut iu prish terezia, por Gazmorit i iku gazi nga fytyra kur pa mollën me helm në dorën e Borëbardhës. Ata e kuptuan se Mbretëresha e ligë kishte helmuar Princeshën. Ata të zemëruar u nisën në ndjekje të të ligës e cila ra në humnerë e frikësuar kur pa xhuxhët ti afroheshin. Por sërish as fundi i merituar i Mbretëreshës së keqe nuk ia lehtësoi dhimbjen xhuxhëve të mirë. Atyre iu kthye trishtimi i madh dhe ashtu të pafjalë e me lot në sy i përgatitën një krevat të qelqtë e të praruar princeshë Borëbardhës për ta patur gjithmonë pranë e për ta përshëndetur edhe pse ajo nuk ia kthente dot. Kaluan ditë e muaj, kur një Princ i hijshëm që po kalonte pyllit, pa Borëbardhën në krevatin e qelqtë iu afrua dhe u mahnit nga bukuria e saj. Ai iu afrua ta puthte lehtë në ball dhe papritmas Borëbardhi hapi sytë dhe u duk sikur kishte qenë për shumë kohë në një gjumë të thellë. Princi i lumtur e mori me vete në pallatin e tij dhe aty bënë një dasmë të madhe. Të gjithë u gëzuan nga kthimi i Borëbardhës. Mbreti i kërkoi falje të bijës për vuajtjet që ajo kishte kaluar, ndërsa Xhuxhët e shoqëronin të gëzuar princeshën në këtë ceremoni, madje dhe Nevriku nuk ishte aspak nevrik në dasmën e saj. Dhe kështu të gjithë jetuan të lumtur e në paqe!
Përshtati në shqip: Flasshqip.ca










