Fëmijë diaspore

Fjalë për bijën time!

Nga: Iliaz Loku 

Vogëlushja ime Rona, sapo mbaroi vitin shkollor javën që kaloi dhe shkëlqeu për nga dëftesa, ndërsa mua si baba mu bë zemra mal kur pashë se në matematikë ishte shumë e fortë. Të tjerat nuk më shqetësojnë aq shumë.

I bleva një trëndafil që ta përgëzoja dhe t’i transmetoja një mësim madhor jetik. I thashë se ka logjikë pse trëndafili është lule e veçantë, sepse atë, Zoti ose Natyra, e kanë bërë të veçantë që të mos e hajë as gomari dhe as derri i egër, ngase kërcellin e ka ngjeshur me gjemba dhe janë  gjembat ato që  sigurojnë  rritjen e lules së kuqe si kurorë, e cila ka domethënien e vet, përveç bukurisë  dhe erës së  këndshme.  

Kështu edhe ne prindërit të mbrojmë ty derisa të rritesh e të bëhesh e pavaruar- i thashë. Ne jemi si ata gjembat që kujdesemi që ti të rritesh dhe ti njëlloj si trëndafili do të dish t’i përdorësh për vetëmbrojtje, pa ndihmën tonë.

Duke e përcjellë ditën e fundit për në shkollë e urova “Ditë të mbarë trëndafili im”, ndërsa ajo ma ktheu ashtu siç e meritoja, - “Edhe unë ty të uroj ditë të mbarë gjembi im”. :)

Mirëpo pasdite, ime bijë më futi në mendime kur përmendi se bleta dhe flutura kanë gjuhëza me të cilat thithin nektarin e trëndafilit.

Atëherë më duhej të përpunoja metaforën time, duke I thënë se: “Zoti ose Natyra nuk diskriminon as gomerët dhe as derrat e egër, pasi ata mund edhe ta hanë kërcellin pa u pjekur nektari dhe pa nektar as bleta nuk do të mund të riprodhonte më shumë vlerë dhe as flutura nuk do të  mundej të  përcillte polenin tek bimët e tjera. Kur të rritesh duhet ta dish se ka më shumë gomerë dhe derra se sa bletë e flutura, prandaj mba mend që trëndafilin duhet ta këpusë vetëm dora që  e meriton!

Tagged under Rona Loku Iliaz Loku