Fëmijë diaspore

Një ëndërr e çuditshme e Enos

Nga Bedri Dedja - Kallëzimi i pestë i Gjyshe Pastërtores 

Enua kishte kohë që flinte.
Por, për çudi, atij ju duk sikur u zgjua dhe sikur hapi sytë i tmerruar. Po e mundonin dhimbje të mëdha në gojë, në sy dhe nëpër faqe.
Enua nisi të qante përsëri dhe të thërriste mamanë duke u ngashëryer. Por çuditërisht, kësaj rradhe nuk ju përgjigj askush. As mamaja e tij nuk hyri në dhomë dhe as u dëgjuan lëvizje në korridoridorin jashtë saj.
Atë çast ndodhi diçka e pazakontë : përpara syve të Enos doli një bubazhel i vogël e i bardhë. Ai kërceu menjëherë në majë të hundës së tij dhe ja dha të qeshurit duke vënë duart në ije !
« - Hi-hi-hi ! Enua po qan ! Po kërkon mamanë ! S’ka mama, s’ka, ska ! Unë jam Sklepi, Princi Bardhosh…. Skle-pi !---Shëëëët, sus ! Sytë do ti verboj, se jam Sklepi, unë punoj. Sus ! »
Enos ju zu gryka. Nuk fliste dot. Goja i kishte mbetur hapur nga dhimbja e dhëmbëve dhe dhëmballëve. Madje brënda saj, dikush kishte marrë një turjelë në dorë dhe po i shponte dhëmbët me zell, një nga një duke thërritur :
« - Unë jam Princ Thërmia e çokollatës, me kobure në brez dhe me turjelë në dorë. Unë çuk-çuk-çuk, zhëë-zhëëë-zhëëëë, dhëmbët dhe dhëmballët do ti brej, çuk-çuk-çuk, do ti thërmoj ! »
Enua e dëgjonte këtë zë, por Princin Thërmia çuk-çuk-çuk nuk e shihte. Donte të ulërinte nga dhëmbja por nuk kishte zë. 
Pas pak, për çudinë e tij të madhe, mbi faqet e Enos nisi vallja. Bubazheli i vogël, Princi Bardhosh Sklepi zuri për dore Princin Zijosh Zhuli dhe nisën të kërcejnë duke kënduar :

Sytë e Enos ti verbojmë,
poret n’faqe t’ja mbulojmë !
Hidhu, Zhul !
Hidhu, Sklepë !
Vallen tonë mos ta pushojmë !

Por ja që i erdhi rradha çudisë së tretë dhe më të madhe. Atë çast u hap sirtari i komodinës dhe u dëgjuan zërat e burisë dhe të një trumpete : « Ta-ta-taaaa ! Pum-pum, pum-pu-ru-pum ! »
Me sa dukej, po vinte ushtria për shpëtimin e Enos.
Në krye marshonte Furça legjendare e armatosur deri në dhëmbë me pastë dhëmbësh. Pas saj, me hap ushtarak, vinte Pasta e dhëmbëve. Ajo mbante kapelen në dorë dhe qëndronte gati për të furnizuar Furçën me municion. Kjo ishte kompania e parë e ushtrisë së shpëtimit. Kompania e dytë udhëhiqej nga Sapuni trim dhe përbëhej nga tri bataljone sapllakësh me ujë që hynë me solemnitet nga dera e madhe e dhomës. Në fund vinte kompania e tretë, e përbërë nga një Peshqir e një Legen.
Ushtria marshonte në drejtim të krevatit duke kënduar :

Përpara o trima,
së bashku të shkojmë,
që Enon e vogël
ne sot ta shpëtojmë !

Një, dy, një, dy…
marshon ushtria jonë,
që Zhulin dhe Sklepën
ta mposhtë përgjithmonë!

Sapo dëgjoi marshin luftarak, Princi Thërmia e çokollatës zuri pozicion në llogoret që kishte hapur nëpër dhëmbët e dhëmballët e Enos. Ndërsa Princi Bardhosh Sklepi u fsheh në pyllin e dëndur të qerpikëve. Në të njëjtën kohë edhe Princi Zijosh Zhuli zuri pozicion në vrimat e veshëve dhe në qafë, poshtë jakës së bizhamave të Enos. 
Lufta filloi. Beteja u ndez e ashpër.
Furça e dhëmbëve, me një trimëri të rrallë u sul kundër Princit Thërmia e çokollatës. Fërkoi me pastë të gjitha dhëmbët dhe dhëmballët, tetë herë me rradhë nga jashtë, tetë herë nga brënda dhe tetë herë nga sipër, deri sa mbrriti tek mishi i dhëmbëve. Princi Thërmia e çokollatës, me kobure në brez e turjelë në dorë, u shtri i plagosur për vdekje. Sapuni dhe uji me shkumë të bardhë arritën të rrethojnë Zhulin dhe Sklepin. Pasi pastruan të gjitha poret e faqeve dhe të qafës, u ngjitën deri tek veshët dhe qerpikët e syve. Në fund, Peshqiri dhe Legeni mblodhën robërit e luftës.
Kështu, beteja mbaroi. Lufta u fitua dhe Enua u rehatua.