Gjuhë & Letërsi

Tani dhe Larani - Nga Dritëro Agolli

1.

Në një fshat ku bredh mbi male

Hëna natën si ogiç

Mama Klara lindi djalë,

Mama Lara polli viç.

Çdo mama e mburr të birë

Dhe nga gazi s’mbahet dot;

Mama Lara qesh me brirë,

Mama Klara qesh me lot.

Djali emrin e ka Tani,

Viçi emrin thjesht Laran.

Edhe Tani dhe Larani

S’blejnë qumësht në dyqan;

Se mamatë kanë gjinjtë,

Dy burime pa shterrim;

Gjinjët rrjedhin në turinjtë,

Kur i thithin me përtim.

Miturakët hapin gojën

Dhe secili vetëm pi;

Dhe një lloj e kanë bojën

Të dy qumështet në gji;

Veç se njërin e bën Lara,

Kurse tjetrin teta Klara!

2.

Sa çudira ka kjo jetë!

Moshatarë djalë e viç,

Viçi bredh me vrap si qetë,

Djali s’lot nga djepi hiç!

Viçi lind e drejt në këmbë

Tek një dardhë, tek një plep;

Djali lind pa fjalë e dhëmbë

Dhe pelena ka në djep.

Sa çudira ka kjo botë,

Një Laran dhe tjetri Tan!

Njërin qimja e mban ngrohtë,

Tjetri s’ngopet me jorgan!

Sepse njërin e lind Klara,

Kurse tjetrin e pjell Lara.

3.

Lari shkon në djep çdo ditë

Dhe nxjerr gjuhën e përqesh:

-Je i vockël sa një mizë

Dhe nga bota nuk merr vesh.

Ka kaq dit’ që kemi lerë,

Ti s’lëviz nga djepi hiç;

Unë u ngrita menjëherë,

Unë u ngrita se jam viç!

S’ma kalon në qumësht mua!

Ti me zor pi një filxhan,

Kurse unë po të dua

Mund të pi dhe një kazan.

Vetëm sot s’kam pirë shumë,

Një kusi edhe një tas!

Mama Lara tha se unë

Krejt oreksin po humbas!

E mbaroj sa t’i ve hundën

Atë qumësht që pi ti;

Ti nuk fle po nuk të tundën,

Unë fle se s’jam njeri;

Sepse unë jam i Larës,

Kurse ti i teta Klarës!

4.

Mama Klara ngre të birë

Dhe në gji me këngë e mban:

-Shih Larani sa ka pirë,

Ndofta, ndofta një kazanë!

O laran, mor laraman,

Leri Tanit një filxhan!

Shko i thuaj mama Larës:

Jepi qumësht teta Klarës!

Ah, o viç që kokën kruan

Tek një dardhë, tek një plep,

Disa vite po kaluan

Do ta shohësh ç’bën ky djep!

Nga ky djep prej copash pishe,

Ku hap sytë ky njeri,

Pak më i gjatë se një shishe,

Ti ç’do dalë nuk e di!

Nga ky djep do dalë burri, që do ngrerë gjer në re

Pirgje muresh gur pas guri,

Diga plot betonarme.

Do të tundë mal e kodër

Edhe tokë e oqean;

Për atë do jesh si lodër

Ti i bukuri Laraman!

Po ahere do jesh plakur

Nëpër brazda plis më plis;

Do përtosh të hash një lakër,

Të ngresh bishtin në kurriz.

Ballin tënd do ta lëmojë:

“Eh, u plake, o qyqar,

Ti je ka e s’flet me gojë,

Po shko çlodhu pak në bar”!

Ah, o viç që kokën kruan

Tek një dardhë, tek një plep,

Disa vite po kaluan

Do ta shohësh ç’bën ky djep!

Nga ky djep i lashtë, i hijshëm

Del një div i plotfuqishëm!

©Dritëro Agolli 1976