6. Kreu që tregon se çfarë u fol midis presidentit të Planetit të Kuq dhe kalamajve të Tokës

Kapitulli 6 –Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të kuq”
nga Bedri Dedja
Presidenti i Planetit të Kuq i priste drutë shkurt. Ai nuk e zgjaste bisedën tërkuzë siç bëjnë ca pleq matufë që mund të pyesnin: “Po si jeni, more pëllumba? Po kur keni ardhur? A ju lodhi rruga? A ju pëlqeu kryeqyteti ynë? Po sa keni qejf të rrini? Po ku do t’i kaloni pushimet? A keni oreks për të ngrënë? Po gjumin e bëni rehat?...”
Jo, kalamajve që kishin ardhur mysafirë nga Toka ai u tha menjëherë:
-Kam, o kalamaj, dy dëshira që nuk më shqiten nga shpirti. A më kupton ti, profesor Kriosi?
-Po.
-Po këta nxënësit e t’u më kuptojnë?
-Po, president!
Ai vazhdoi të fliste:
-Dëshira e parë është të dëgjoj gjithmonë përrallat tuaja në festival. Por pasi dëgjoj këto përralla, më lind dëshira e dytë: dëshira që t’ju rrëfej edhe unë fëmijëve tregimet e mia. A kam të drejtë?
-Poooooo!...
-Shkëlqesia juaj, president!- ndërhyri profesor Kriosi. –Ne jemi gati të dëgjojmë jo vetëm një, por edhe njëqind tregime tuajat, në rast se keni dëshirë. Për një hop presidenti i Planetit të Kuq heshti. Lëvdata i erdhi papritur dhe ai nuk i pëlqente lëvdatat. Pastaj shtoi:
-Unë do t’ju tregoj vetëm një, por me kusht që ta mbani sekret, që të mos u vejë në vesh njerëzve të mafies kozmike. Përndryshe plani ynë prishet. Dakord?
-Dakord!
Në zyrën e presidentit u fikën dritat dhe u ndez ekrani i madh kozmotelevizor. Në ekran u duk një planet i madh me breza ngjyrë portokalli dhe të bardhë, i mbuluar nga një rreth hijeje të errët, pak më i vogël se sipërfaqja e tij. Rreth planetit vinin rrotull gjashtëmbëdhjetë satelitë, të cilët lëviznin në drejtime të kundërta. Këta ishin si hëna e Tokës.
-Eh more kalamaj! -nisi tregimin e vet presidenti. Fjalët e tij rridhnin butë-butë si pikat e vesës së mëngjesit apo gurgullima e një vije të vogël uji malor. –Kjo histori ndodhi pesë vjet më parë. Me një raketë u nisa vetëm drejt një planeti. Ai quhej Jupiter dhe është fqinji ynë i parë, siç është Marsi për Tokën tuaj…A doni të dini më shumë për këtë planet gjigand? Sikur Toka juaj të ishte një kokërr mollë, atëherë mendoni se Jupiteri është sa treqind e tetëmbëdhjetë kokrra të mbledhura së bashku në një mollë të vetme. Kaq i madh është Jupiteri! Ai do dymbëdhjetë vjet të rrotullohet rreth diellit dhe jo një vit si Toka. Satelitët e tij janë lozonjarë dhe duken sikur lozin basketboll midis tyre. Jupiteri është si një valltar i shkathët dhe rrotullimi i tij nuk zgjat njëzet e katër orë si ai i Tokës, por dhjetë minuta më pak se dhjetë orë. Në garat e vrapimit midis planetëve të sistemit diellor ai gjithnjë ka fituar vendin e parë dhe medaljen e artë. Të gjitha këto i zbulova duke e ndjekur Jupiterin nga pas një vit me rradhë me raketën time, duke e vëzhguar me teleskop duke mbajtur shënime. Do të kisha vazhduar edhe më tej, sikur të mos më ndodhte një e papritur e madhe….( vijon)
©FlasShqip.ca