Gjuhë & Letërsi

Kapitulli 7 –Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të kuq”

nga Bedri Dedja

-Një ditë prej ditësh unë u zgjodha presidenti i Planetit të Kuq. Të gjithë kalamajtë që kishin të drejtë për të votuar qysh nga mosha pesë vjeç, votat e tyre m’i dhanë mua njëqind për qind. Kështu që me votat e kalamajve, të pleqve dhe barinjve unë fitova me 85%...Ju mund të pyesni si munda të fitoja votat më të shumta. I fitova sepse gjatë fushatës elektorale premtova se do t’u jepja një zhvillim të madh përrallave të kalamajve se përrallat e tyre do t’i dëgjoja me vëmendje. Premtova gjithashtu se ligjet e parlamentit do t’i hartoja sipas mësimeve të përrallave të tyre. Nuk kaloi shumë kohë dhe unë u ula në karrigen e presidentit të Planetit të Kuq. Erdhi sekretari dhe më dorëzoi një kuti të vogël, të veshur me kadife të kuqe. Brenda saj gjendeshin të shkruara në një pergamenë amanetet e presidentit të mëparshëm. Unë e hapa kutinë në mesnatë.

Presidenti i mëparshëm më kishte lënë me shkrim një mesazh të çuditshëm, të cilin e lexova me shumë kureshtje…Duhej të shkoja në Shpellën e Sekreteve të Planetit Mars, që gjendej e kyçur nën themelet e kryeqytetit. Brenda në shpellë, në një kasafortë hekuri, ndodhej i fshehur sekreti më i madh i planetëve të sistemit tonë diellor.

U futa vetëm në shpellë. Gjeta kasafortën dhe e hapa me çelësin që më kishte lënë paraardhësi im. Brenda ndodhej një kompjuter, ekrani i të cilit donte gjashtë muaj të ndizej. Kështu, gjersa u mbushën gjashtë muaj, çdo natë pas orës dymbëdhjetë unë futesha në shpellë.

Në ditën e fundit të gjashtë muajve, që më kujtohet mirë se ishte e shtunë, ekrani i kompjuterit u ndez dhe unë lexova: “O njeri i mirë i planetit Mars! O president i Planetit të Kuq, që je zgjedhur në mënyrë të ndershme dhe jo me manipulime e vjedhje votash. Në ekran do të gjesh rrugën për të udhëtuar në planetët e tjerë. Por ki kujdes, o njeri i Planetit të Kuq! Sapo të marrë vesh mafia kozmike se ti ke dalë në kozmosferë, do të vërsulet për të asgjësuar anijen tënde. Mafia kozmike kërkon që hekurin dhe silikatet që ndodhen me bollëk në Jupiter, t’i grabisë dhe t’i shesë në galaktikat e tjera. Por mafia ende nuk ka arritur të depërtojë përtej hidrogjenit të lëngshëm dhe heliumit të Jupiterit për të grabitur mineralet e çmueshme. Kujdes! Ajo ka lënë rojë atje një gjarpër përvëlues, i cili djeg shkrumb e hi këdo që do t’i afrohet Jupiterit nga Marsi dhe Toka…”

Dhe kjo që po ju tregoj ndodhi me të vërtetë. Një ditë, kur unë po i sillesha përreth Jupiterit, dallova një qënie të tmerrshme, që po i afrohej anijes sime kozmike. Ishte ai gjarpri gjigand përvëlues. Siç thuhej në mesazhin që kisha lexuar në kompjuter, gjarpri do të më digjte me gjithë anije dhe do të kthente në pluhur kozmik. Në këtë çast të rrezikshëm unë manovrova me shpejtësi dhe e ula anijen në atmosferën e Jupiterit, ku temperature ishte njëqind e pesëdhjetë gradë nën zero. Kështu, shpëtova nga gjarpri misterioz i mafies kozmike.

Jupiteri ishte planet shumë i mençur. Ai menjëherë më thithi në një fushë magnetike. Me valë radioelektrike më la të kuptoja se kësaj rradhe shpëtova, ndaj dhe duhej të kthehesha në Mars përkohësisht. Unë, të them të drejtën, nuk e mora vesh se kush m’i dërgoi këto mesazhe. Planeti apo njerëzit e tij, që ende nuk njihen nga ne?

I dërgova edhe unë një mesazh radioelektrik Jupiterit. Ai m’u përgjigj negativisht. Mesazhi më porosiste edhe një herë të kthehesha në Mars për të mos u kthyer në pluhur kozmik. U përgjigja përsëri: “Kam një mision të rëndësishëm. Më duhet të shkoj në satelitin tuaj me emrin Kalisto. Pastaj në satelitët e grupit të tetë, që luajnë basketboll me satelitët e grupit të dytë. Atje ndodhet sekreti i luftës kundër mafies kozmike, e cila synon të shuajë diellin para kohe, të hedhë sistemin tonë diellor në errësirë dhe ta vërë atë nën pranga, që të sundohet nga galaktika X-qorr-beta… A mund të lejojmë ne që sistemi ynë diellor t’i nënshtrohet kësaj galaktike qorre?” –“Ejani një herë tjetër! Ejani një herë tjetër!”—m’u kthye mesazhi radioeletrik nga Jupiteri.

Presidenti heshti për një hop. Pastaj iu drejtua kalamajve të Tokës:

-Po ju a do të vini në ekspeditën tonë të ardhshme për të mbrojtur sistemin tonë diellor nga robëria që e kërcënon?

Kalamajtë tanë që shkuan në Mars ishin jo vetëm “burra” të mirë, por edhe trima, ndaj dhe u përgjigjën me një zë.

-Po, po, po! Rroftë atdheu ynë sistemi diellor! Poshtë galaktikat pushtuese! (vijon)