Për prindërit

Ç’lloj prindi jeni?

Stilet e prindërimit janë përkufizuar si sjellje specifike që prindërit përdorin për rritjen e fëmijëve të tyre. Janë katër stile të prindërimit të përcaktuar, si: stili autoritar, stili indiferent, stili liberal dhe stili me autoritet.

Prindërit autoritar karakterizohen si tepër kërkues, ushtrojnë kontroll të fortë mbi sjelljet e fëmijëve dhe i detyrojnë të zbatojnë kërkesat e tyre me kërcënime dhe ndëshkime. Shumica e fëmijëve të prindërve autoritarë nuk përgjigjen mirë ndaj këtij trajtimi. Fëmijët e prindërve autoritarë shqetësohen kollaj, duke shfaqur sjellje të paqëndrueshme, agresivitet dhe probleme të tjera të sjelljes. Prindërit autoritarë ka gjasa të rrisin fëmijë që në përgjithësi kanë shprehi të dobëta komunikimi dhe janë të ngrysur, të tërhequr dhe mosbesues. Prindërit me këtë stil janë ndëshkues, refuzues dhe qortues, ndërkohë që pikëpamjet e fëmijës nuk i marrin në konsideratë.

Prindërit që karakterizohen nga stili indiferent, në kontrast me prindërit autoritarë, nuk vendosin rregulla dhe kufizime për  fëmijët  e tyre. Ata  gjithashtu japin shumë pak vëmendje, interes ose mbështetje emocionale. Stili prindëror indiferent nuk nxit zhvillim të mirë social. Fëmijët e prindërve indiferentë kanë tendencë të jenë kërkues, të pabindur dhe kanë prirje të mos marrin pjesë efektive në lojë dhe në bashkëveprimet shoqërore. Fëmijët e prindërve indiferentë kanë prirje të jenë tej mase të hallakatur, u mungojnë shprehitë sociale dhe vetëkontrolli. Prindërit neglizhues nuk e shprehin atashimin emocional ndaj fëmijës së tyre.

Prindi i stilit liberal është jondëshkues, jo kërkues, jo kontrollues, ai lejon fëmijën të jetë përgjegjës për veprimet dhe vendimet e veta. Autonomia e fëmijës shihet më e rëndësishme se bindja. Prindi liberal priret më shumë të jetë i ndjeshëm sesa kërkues, për këtë arsye shpesh shmang konfrontimin me fëmijën. Prindërit liberal pranues, pohues dhe me shumë pak kërkesa ndaj fëmijëve të tyre, të cilët nuk vendosin standarde, mund të “prodhojnë” fëmijë me prirje drejt drogave dhe alkoolit.

Prindërit me autoritet përfaqësojnë stilin më të suksesshëm prindëror. Ata janë të dashur dhe të kujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre, por ata vendosin kufizime të qarta dhe i mbajnë në një mjedis të parashikueshëm. Stili prindëror me autoritet  i ka efektet më pozitive në zhvillimin e hershëm social. Fëmijët e këtyre prindërve  zakonisht janë më kureshtarë, më me besim në vetvete, më të pavarur dhe të përgjegjshëm nga pikëpamja shoqërore. Prindërit me autoritet i dëgjojnë mendimet e fëmijëve dhe iu japin shpjegime për vendimet e tyre, por është e qartë se janë ata që e bëjnë dhe i vënë në zbatim rregullat.

©FlasShqip.ca