Për prindërit

Princi i lodrave - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Siç mund ta dini ka fëmijë që kërkojnë të blejnë ndonjë lodër të re sa herë që dalin dyqaneve, dhe prindërit ua blejnë. Por a luajnë këta fëmijë me të gjitha lodrat që koleksionojnë në dhomën e tyre? Disa përfundojnë në baule, disa nëpër sirtarë, ca nëpër kosha, dhe pak fare rrinë të gatshme në vendin e lojës. Normal, kanë pajisjet elektronike që zëvendësojnë çdo lojë apo jo?

Ka prindër që mendojnë të bëjnë spastrime e të bindin fëmijët për të bërë dhurime lodrash të tepërta. Kjo është gjë e mirë. Por ka fëmijë që me zor pranojnë ose le të themi që nuk e çojnë nëpër mend të japin as një makinë të vogël e të lodhur nga përdorimi. Kam një përrallë të bukur për këtë rast, që mendoj se funksionon me këta fëmijë. Dikush mund të thotë pse t’ua prishim qejfin fëmijëve e t’ua marrim lodrat vetëm për hir të hapësirës? Jo, nuk është vetëm kjo arsyeja. Lexoni përrallën dhe do e kuptoni ku dua të dal.

Na ishte njëherë një princ i vogël shumë tekanjoz. Ai kërkonte çdo ditë një lodër të re dhe përveç kësaj mërzitej nëse dikush tjetër e blinte para tij. Po ta merrte vesh një gjë të tillë princi, urdhëronte ushtarët ta gjenin lodrën dhe t’ia merrnin fëmijës që e kishte. Kështu që qytetarët duke e ditur këtë huq të princit, kur blinin një lodër për fëmijën e tyre, blinin edhe një tjetër për madhërinë e tij. Eh, ç’e pyet, harxhime dyfish për një kapriço.

Një ditë kjo histori ra në veshin e një krijuesi lodrash, i cili vendosi të shkonte në oborrin mbretëror e të ofronte çdo ditë një lodër të re për princin. Sa u gëzua princi i përkëdhelur, fluturonte nëpër pallat. Por lodrat e shpikësit kishin një sekret.

-Madhëria juaj, lodrat e mia kanë një të veçantë. Ato kërkojnë që ti të luash çdo ditë me to, e kam fjalën secila prej tyre kërkon t’i kushtosh vëmëndje çdo ditë.

-Oh, po kjo është fantastike!-tha princi. Të luaj është gjëja që dua më shumë në botë.

Dhe kështu kaluan 7 ditë, princi kishte shtatë lodra. Kur erdhi dita e 20-të, princi filloi të lodhej pak. 20 lodrat e rrethonin dhe i kërkonin të luante me secilën. Pastaj u bënë 30 lodra, më vonë, 60. Princi këputej për gjumë, rraskapitej duke luajtur me secilën nga 60 lodrat, 61, 73, 85….Ohhhhhhh….!

Princi i alarmuar nuk po dinte si t’i shpëtonte kësaj torture. Papritur i shkrepi një mendim, kur dëgjoi disa zëra fëmijësh jashtë pallatit. Urdhëroi rojet t’ia sillnin fëmijët në dhomë.

Pas pak minutash u paraqitën kokë ulur e të trembur dy djem moshatarë me princin.

-Mirëse erdhët -u tha Princi. A doni të luani me këto lodra?

Dy djemtë u çuditën. Ata kishin kujtuar se Princi do t’u merrte atë gurin me të cilin po luanin aty jashtë. Por jo, puna ishte ndryshe. Princi i ftonte të luanin. Pse jo? Kështu që të tre së bashku u hodhën në kapicën e lodrave të reja dhe u kënaqën pa fund. Pasi u lodhën, princi i lejoi djemtë të shkonin në shtëpitë e tyre duke ua mbushur duart plot me lodra dhe duke u thënë që të nesërmen të vinin sërish dhe të merrnin edhe shokë të tjerë.

Ajo ishte dita më e bukur e Princit të lodrave. Pas saj, pallati mbretëror dukej si kënd lojërash që gumëzhinte me zëra fëminorë. 365 lodrat e reja të prodhuara enkas për princin, tashmë ishin shpërndarë prej tij në duart e fëmijëve të qytetit.

Këtu misioni i shpikësit të lodrave mbaroi. Ai lajmëroi princin se do nisej për udhë.

Duke u përshëndetur me shpikësin e lodrave Princi tha: "Nuk e dija që mund të kënaqesha kaq shumë me pak lodra. Tani e mësova sekretin. Lodrat blihen për të luajtur me to, përndryshe bëj dikë tjetër të lumtur me një lodër që ti e ke pluhurosur në harresë".

 

Përrallën “Princi i lodrave” mund ta dëgjoni në këtë podcast që kemi prodhuar sot për herë të parë. Në ditët në vazhdim do të rregjistrojmë përralla të tjera. Nëse keni ndonjë preferencë mund të na shkruani kërkesat tuaja, por edhe sugjerime.  

Podcast-Dëgjo një përrallë

 

*Bazuar në motivet e një përralle spanjolle

 ©FlasShqip