Për prindërit

Humor nga vogëlushë të fundshekullit të kaluar - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Kur im bir ishte në moshën 4-5 vjeç, mezi prisja të kthehesha nga puna në shtëpi e të çlodhesha me të. Fillova të mbaj shënime nga jeta e tij në kopësht dhe në shtëpi. Ishin grimca humoristike, xhevahire nga jeta e të vegjëlve. Mbaja shënime se nuk doja t’i harroja.

Mbrëmjeve kur e vija për të fjetur, djali kërkonte t’i tregoja përalla. Mu bë zakon ta pyesja në fund të rrëfimit: Çfarë mësove nga kjo përallë? Një mbrëmje i tregova fabulën e korbit dhe të dhelprës të La Fontenit…

Rrëfenja 1: Korbi këngëtar

“Korbi kishte hipur në një degë peme. Në gojë mbante një copë djathë. Aty pranë kaloi dhelpra. Ajo donte t’ia merrte djathin korbit dhe filloi t’i bënte lajka: “Korb o korb, që je më i bukuri zog i pyllit! Mua më thanë që ti edhe këndon shumë bukur. Pa këndo një herë për mua, se dua të dëgjoj zërin”. Korbit iu bë qejfi që dhelpra e mburri dhe hapi gojën të këndojë. Mirëpo kur hapi gojën copa e djathit ra poshtë drejt e në gojë të dhelprës dhe dhelpra ia dha vrapit. Djali po më vështronte me vëmendje.

- Çfarë mësojmë nga kjo përallë? Djali u mendua pak dhe mu përgjigj.

-… që të mos këndojmë.

Rrëfenja 2: Buka e thartë

Një pasdite kur vajta të marr djalin në kopshët, edukatorja më tha që “ai sot ka bërë një gabim të madh, ka refuzuar të hajë vaktin e pasdites”.

Kur edukatorja e kish për arsyen, ai i qe përgjigjur:

- Buka është e fortë dhe si e thartë.

-U shqetësova shumë, -më tha edukatorja se këtu fëmijët dëgjojnë njeri tjetrin e imitojnë njëri tjetrin.

Dhe ajo si për të ma vërtetuar këtë, iu drejtua vogëlushëve:

-Fëmijë, a është buka e fortë dhe si e thartë?

- Pooooo, u përgjigjen ata në kor. Unë kafshova buzën të mos qeshja.

Përgjigja e vogëlushëve qe kthyer në bumerang.

Rrëfenja 3: Një fëmijë u arratis në Jugosllavi

 Në lagjen tonë ndodhi një ngjarje e hidhur. Djali 13 vjeçar i infermjeres së lagjes kishte shkuar për pushime në Kukës dhe prej andej kishte kaluar kufirin me një shok më të madh se vetja dhe dolën në Jugosllavi. Ato ditë bëhej vetëm ajo bisedë dhe njerëzve u vinte keq për Dijen. Kishte punuar tërë jetën si infermierja e lagjes dhe njerëzit e donin se qe e sjellshme me të gjithë dhe e papërtueshme.  Dolën fjalë që do ta internonin, si nënë tradhëtari.  Djali im duke dëgjuar bisedat e më te rriturve më pyeti se çfarë i kishte ngjarë teta Dijes.

I tregova thjesht e shkurt se çfarë kishte ndodhur, pa qënë e sigurtë se do të kuptonte gjë.

-Po kur do vi Eno në shtëpi, o ma?

 -Nuk e di, zëmër, i thashë. Ai tani është në një vend tjetër

-Çfarë vendi?

-Në Jugosllavi.

-Në gosllavi?

-Po.

-Po s’ka gjë, ai vjen me autobuz

-Nuk vjen dot më zemra e mamit, se nuk e lenë ushtarët.

-Nuk do të kthehet, fare, fare?!  Djali vërtet u duk i dëshpëruar.

-Ushtari me pushkë?

 -Po, ushtari me pushkë. 

Në fund, siç e kishim bërë zakon e pyeta se çfarë mësonte nga kjo që i kishte ndodhur Enos.

-Që të mos shkoj pa lejen e mamit në gosllavi!

Rrëfenja 4: Fletorja spiune

Kur djali hyri në klasën e pare, fillova të shkëmbej me mësuesen një fletore korespondence. Ramë dakort që ajo të më shkruante çdo ditë se si ishte paraqitur djali në mësim dhe se si ishte sjellë. Kuptova që batutat e tij, ndonjëherë asaj nuk i pëlqenin megjithëse varionin sipas veprimeve të mësueses. Djali i jepte përgjigjet siç e perceptonte ai realitetin përreth. Mësova gjithashtu që mësueset e fillores punonin me materiale mësimore të vjetra pa e aktualizuar mësimin. Një ditë në klasë mësuesja u qe drejtuar nxënësve.

- Fëmijë shikoni këtu tek zysha. Të gjithë këtu! Mos flisni më me njeri tjetrin, vetëm më dëgjoni mua. Duket nxënësit e klasës së parë e kishin të vështirë të vendosnin qetësinë. Atëhere mësuesja provoi një lëvizje tjetër.

- Fëmijë, unë jam vetëm NJË në klasë, kurse ju jeni dyzet gjuhë! Kur ju flisni të gjithë njëherësh mësuesja s’u dëgjon dot, dhe lodhet. Si thoni ju fëmijë, a nuk kam të drejtë?

Djali im, në rrjesht të parë ngrihet nga banka e tij dhe thotë:

-Po prapë se prapë, ti e ke gjuhën më të madhe sepse ti je më e madhe!

Rrëfenja 5: Autobuzët

Një herë tjetër në fletoren e korespondencës që dikush e quajti “fletorja spiune” mësuesja më kishte shkruar:

-E dashur mamaja e Martit. Sot djali juaj më ka prishur mësimin.

-Oboboo…! Prapë ky lepurushi im! - thashë me vete, pa imagjinuar dot se çfarë xhevahiri tjetër kishte këputur. Vazhdova leximin.

-Sot në arithmetikë kisha për t’iu mësuar nxënësve numrin 10. Doja ta bëja sa më të thjeshtë mësimin dhe vizatova në tabelë 10 autobuza njëri pas tjetrit. Ndër mend kisha që fëmijët ta nxirrnin vetë mësimin duke e lidhur me realitetin. Pasi mbarova me vizatimin në dërrasë u thashë:

-Tani i thoni mësueses se ku shkojnë këta autobuzat në rrjesht njeri pas tjetrit.

Po prisja që klasa të thosh: Në aksionet e rinisë. Mirëpo askush nuk po fliste. Atëhere ngrita djalin tënd, meqënëse është më i shkathëti në klasë me shpresë se do më jepte pergjigjen që kërkoja.

Ai u ngrit nga banka dhe unë përsërita pyetjen

- Ku shkojnë këta 10 autobuzë njëri pas tjetrit Marti?

Djali juaj në fillim filloi të flasë me hezitim:

- Këta 10 autobuzë njëri pas tjetrit, po shkojnë… po shkojnë… po shkojnë…

Unë pohoja me kokë për t’i dhënë kurajo.

Dhe ai e mbylli fjalinë:

- Këta autobuzë në rresht njeri pas tjetrit shkojnë… në varrim!

Klasa qeshi dhe unë e humba toruan. E kuptoni se në ç’pozitë më vuri djali juaj?

Pa dyshim që e kuptova, megjithatë qesha edhe unë madje me zë të lartë. Më shkoi nëpër mend që aksionet e rinisë kishin kohë që kishin mbaruar!  Por autobuzët në rresht njëri pas tjetrit sigurisht që djali im i kishte pare, madje shpesh. Ndërsa mësuesen e kishte lënë koha në vend dhe punonte ende me planet e 6 a 7 vjetëve të mëparshme.

©Albana Lifschin