Për prindërit

T’ua themi fëmijëve sekretin e Babagjyshit?

Nga: JETA DEDJA

Pas Babagjyshit të Krishtlindjeve apo Vitit të Ri fshihen prindërit apo jo? T’ua themi fëmijëve këtë? E kam fjalën për fëmijët deri në moshën 7-vjeçare, ja po e shtyjmë deri në 9. Më tej është e vështirë të zgjatet miti i Babagjyshit, pa u zbuluar se ku fshihet magjia. Shumë prej nesh kujtojnë me dashuri periudhën e dhuratave modeste poshtë bredhit, po aq modest të Vitit të Ri. Meqenëse për rreth çerek shekulli, në Shqipëri nuk festohej publikisht Krishtlindja, miti Santa Claus, apo Saint Nicholas apo thjesht Santa ishte zhvendosur në natën e ndërrimit të viteve. Me ato kufizime dhe mundësira për të krijuar pak magji feste, shqiptarët nuk mbeteshin pas miqve perëndimorë. Mungesat e produkteve ose njëllojshmëria e tyre në dyqane nxisnin më tepër aftësitë krijuese të prindërve për të sajuar diçka origjinale. Mami im thurte triko, shalle e papuçe me motive, larg syve të fëmijëve. Nuk e di se ku e gjente këtë aftësi të mbinatyrshme për të mos u zbuluar ajo mami. Babi kishte siguruar blerjen e librave që herët për secilin prej nesh. Institucionet ku ata punonin, gjithashtu u kishin dhënë lodra për fëmijët si shpërblim për festë. Me pak gjë, krijonin atmosferë dhe na ushqenin fantazinë se, kur të gdhinte Viti i Ri do na kishte lënë dhurata poshtë bredhit (i siguruar ky i fundit me mundim nga ndonjë shofer që kishte thyer ligjin mjedisor në emër të interesit më të lartë të fëmijëve) me emra të shkruar sipër tyre. Motrat e mëdhaja sigurisht që nuk e besonin mitin, por me kënaqësi bëheshin bashkëpunëtore në këtë skenar dhe merrnin pjesë me entuziazëm. Fatkeqësisht panorama nuk përmbante oxhaqe nga do zbriste babagjyshi, meqenëse apartamenti nuk kishte një të tillë, por si një Spiderman ai do hynte nga dritarja që enkas ishte lënë hapur, bashkë me dritat ndezur dhe tryezën e shtruar për të. Kjo ishte për mua mrekullia e festës, fakti që për disa vjet prindërit kishin arritur të mbanin gjallë mitin e babagjyshit. Ashtu siç ka patur dilema mes të rriturve në atë kohë, lidhur me legjendën e babagjyshit edhe sot diskutohet gjerësisht mes prindërve. A t’ua themi fëmijëve kush i sjell dhuratat poshtë pemës?? A quhet gënjeshtër po tu themi se i sjell babagjyshi? Po kur të rriten a do na falin që i kemi gënjyer? 

Kritikët ndaj mitit të babagjyshit, mund të thonë se vitet e mbushura me një gënjeshtër dëmtojnë zhvillimin e fëmijës dhe marrëdhëniet me prindërit, me argumentin se nuk është mirë ti gënjesh fëmijët që gjasme një figurë magjike shpërndan dhurata nëpër botë. Kjo gënjeshtër në një të ardhme do zbulohet dhe do të bëjë që fëmija të humbë besimin tek prindërit. Madje disa mund ta quajnë gënjeshtër manipuluese po tu thuhet fëmijëve se babagjyshi u sjell dhurata atyre që sillen mirë. Në këtë pikë unë jam dakord. Fëmijët nuk duhet të motivohen për sjelljet e tyre duke i asociuar me dhuratat. Dhuratat e festave nuk duhet të jepen si shpërblime për sjelljen e mirë apo të mos bëhen dhurata si dënim për shkak të sjelljes së keqe. Ndërsa për mitin e babagjyshit mendoj se fantazia nuk i bën dëm askujt, aq më tepër fëmijëve. Ajo është pjesë e shëndetshme e zhvillimit. Fëmijët kalojnë shumë kohë gjatë rritjes së tyre duke luajtur me gjasme, sidomos gjatë moshës 5-vjeçare. Ata rregullisht janë të ekspozuar ndaj filmave ku kafshët apo makinat flasin, njerëzit, fshesat apo qilimat fluturojnë. Sigurisht që edhe një tufë drerësh mund të fluturojë. Më pas në moshën 7-vjeçare deri në 9 të menduarit magjik venitet. Fëmijët fillojnë të bëjnë natyrshëm dallimin mes fantazisë dhe realitetit. Ata bisedojnë me shokët, përballin tregimet e prindërve me faktet. Ata bëjnë pyetje dhe këmbëngulin. Ata i shohin prindërit me sy dyshues dhe emocionohen kur i afrohen të vërtetës duke i nxjerrë të rriturit zbuluar. Por kjo nuk ua trondit besimin, dhe as nuk u shkakton traumë zbulimi i së vërtetës. Kjo bën tu shtohet admirimi ndaj prindërve për përkushtimin e tyre për t’i dhënë magji një feste duke mbushur botën e fëmijëve me fantazi. Pas kësaj, sekretzbuluesit do të dëshirojnë të bëhen pjesë e skenarëve meagjikë, për të kënaqur motrat apo vëllezërit më të vegjël.

Personalisht mendoj se legjenda e babagjyshit edhe pse ndonjëherë besoj se ka më tepër qëllime tregtare, për shkak të vrullit të shit-blerjeve kudo në botë, realizimit të plot filmave, botimit të miliona revistave, krijimit të mijëra personazheve, duhet të vazhdojë. Pak pluhur magjik na duhet të gjithëve hera-herës. Është ndjesi e bukur dhe të mbush me shpresë dhe mirësi, sidomos kur dhuron dhe i gëzon të tjerët me dashurinë që festat shpërndajnë.