Për prindërit

Pse Web shton rrezikun e abuzimit seksual me fëmijët? - Nga Artan Fuga

Artan Fuga

Kërkimi shkencor perëndimor ka bërë një përkujdesje të veçantë metodologjike për të vënë në dukje që abuzimi seksual me fëmijët në Web ose edhe në teknologjitë e reja të telekomunikacionit nuk duhet të trajtohet si një vazhdim i thjeshtë i abuzimit seksual me fëmijët offline. Sigurisht midis të dy realiteteve, njeri empirik dhe fizik dhe tjetri virtual e digjital, ka lidhje, ndërkalime dhe ndërvartësi të cilat sigurisht duhen mbajtur shumë parasysh. Por, realiteti i keqbërjes seksuale ndaj fëmijëve në Web, madje edhe sjellja e keqbërësve në Web, pra sjellja e tyre digjitale, është krejt tjetër nga ajo offline, sidomos kur është fjala nga teknikat e përdorura për t’ia arritur qëllimit.

Në një prej studimeve shkencore përkatëse, theksohen se cilat janë karakteristikat dhe mundësitë që jep teknologjia e Web-it dhe si e përcakton ajo sjelljen e abuzuesve seksualë me fëmijët në Web (Petter Gottschalk, Characteristics of the Internet Child Abuse, Op. Cit.). Vihet re një listë tiparesh dhe mundësish që e lehtëson dhe e zgjeron këtë abuzim:

Web-i realizon atë që quhet “disconnecting”, pra shkëputjen e komunikimit sy më sy midis abuzuesit dhe të abuzuarit. Disa shprehje ose propozime që komunikimi ballëpërballë i bën të vështira nga turpi ose për arsye të tjera, komunikimi në Web duke realizuar shkëputjen fizike të keqbërësit dhe viktimës, i bën të mundura.

Web-i është një teknologji e ndërmjetësimit, ai realizon lidhje mes abuzuesit dhe viktimës si me tekst, ashtu edhe me zë, ose me figurë nëpërmjet webcam-eve, visio-komunikimeve, etj. Pra, nuk ka rëndësi vendi ku ndodhen ata.

Universaliteti, çka do të thotë që Web-i lejon të realizohen komunikime dixhitale nga çdo vend i Planetit duke realizuar atë që quhet një kriminalitet të ndërfutur midis hapësirave ligjore të vendeve të ndryshme.

Web-i sidomos në rrjetet sociale lejon që krimet dhe abuzimet seksuale digjitale të sjellin pasoja nga të cilat të përfitojnë pafundësisht abuzues duke bërë që fëmija të abuzohet mijra e dhjetra mijra herë, pra aq herë sa klikohet mbi imazhin e tij.

Web-i luan edhe një rol ekspresiviteti të vetes të navigatorit, por edhe një rol instrumental. Pra, nëpërmjet website-ve krijohen me imazhet e abuzimit me fëmijët, ose nëpërmjet manipulimit të tyre duke i bërë viktima të seksualitetit offline, të cilët kthehen në kanale shpërrndarjeje për qëllime fitimi. Pra, fëmija i abuzuar kthehet në një mall për trafikun ilegal ndërplanetar.

Web-i është “time moderator”, që do të thotë se realiteti digjital në formën e një videoje, fotoje, a gjithçkaje tjetër që realizohet mund të konsumohet në çdo orë të ditës dhe të natës. Kështu edhe viktima mund të ngacmohet në çdo sekondë nga keqbërësi jo vetëm sepse Web-i mund të përdoret kështu në kohë reale, por edhe sepse mesazhet që lihen në të ushtrojnë presion gjatë gjithë kohës mbi viktimën.

Komunikimet në Web janë “low cost” dhe nuk u kërkojnë shpenzime suplementare për çvendosje në territor abuzuesve, as pagesa hotelesh, konsumimi produktesh ushqimore përgjatë çvendosjeve të tyre, etj.

Abuzuesi realizon atë që quhet “dyfishim elektronik të vetvetes”, pra të paraqitet jo sikurse ai është në të vërtetë, por sikundër ai dëshiron të paraqitet fillimisht për të vendosur kontaktin me viktimën e vet.

Madje krijohet mundësia për “manipulimin elektronik të dyfishtë” si nga ana e abuzuesit, i cili zakonisht paraqitet si dikush tjetër, si bashkëmoshatar, me viktimën, por edhe vetë viktima, që hyn në lojë, edhe ajo mund të paraqesë veten jo sikundër është në realitet.

Komunikimi në Web nuk e thyen madje në disa drejtime e shton atë që quhet “asimetri e informimit”, sepse ka shumë mundësi që abuzuesi të fshehë të gjithë informacionin e vërtetë për veten e tij, ose ta paraqesë të deformuar atë, kurse viktima është e shfaqur me shumë elemente njohëse në rrjetet sociale. Për të abuzuesi mund të dijë shumë.

Web ka kapacitete virtuale të pafundme, mundësi për t’u shprehur me të gjitha kodet multimediale digjitale, ka mundësi të realizojë përpunim të videove, të zërit, të regjistrojë, të rrisë në mënyrë të konsiderueshme pixel-in e fotove dhe imazheve të lëvizëshme, të bëjë montazh fotosh, etj.

Komunikimi në Web ka pavarësi ndaj kohës dhe hapësirave reale fizike.

Web-i krijon atë që quhet cyberspace në kuptimin që ky realitet virtual nuk është thjesht një dyfishim i realitetit fizik, por është në vetevete një realitet më vete. Abuzuesi nuk ka medoemos nevojë të dalë jashtë hapësirës virtuale të komunikimit për të marrë kënaqësitë e veta seksuale. Përkundrazi ai luan atje erotikisht me viktimën e tij.

Web-i ka fuqi të ndërtojë edhe rrjete që janë shumë dinamikë, pra të përcjellë produktin e komunikimit në komunitete me sjellje seksuale abuzuese të ndryshme lidhur me viktimizimin e fëmijëve, vuajeristë, dhunues seksualë, fetishistë digjitalë, turistë seksualë, etj.

Web-i karakterizohet për t’a bërë të gjithëpranishëm abuzuesin pranë viktimës kudo që kjo e fundit të ndodhet. Sidomos nëpërmjet navigimit digjital në Web nëpërmjet telefonisë mobile, viktima ndiqet kudo që ai të jetë, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, etj.

Web ka mundësi t’i dërgojë mesazhet në audienca të pafundme duke abuzuar masivisht me fëmijën, duke ushtruar presion mbi të dhe duke e dhunuar moralisht viktimën përpara opinioneve publike shumë të gjera.

Web-i realizon interaktivitetin e komunikimit duke bërë të mundur që në kohë reale abuzuesi të ushtrojë influenca të padëshirueshme mbi viktimën e tij.

Të gjitha këto karakteristika bëjnë që të ndryshojë tipologjia e vendeve ku ndodhin abuzimet seksuale me fëmijët. Dikur ato bëheshin në bodrume, wc publike, stacione autobuzësh a depo periferike, kurse në Web ato ndodhin edhe brenda banesave të fëmijëve.