Një ndodhi e bukur - Nga Bamir Bebeziqi
Dje ishte një ditë e mrekullueshme në qytetin tim të vogël. Po qëndroja përpara shtëpisë e po prisja time shoqe, për të bërë ecjen tonë të zakonshmë në pyllin jo larg prej aty.
Nga shtëpia në krahun tjetër të rrugës, dëgjohej zhurma e një topi basketbolli. Vajza e vogël e Zelkos, fqinjit tim kroat, si zakonisht luante me top. Çuditërisht ishte veshur me një fund lëkure e me një këmishë të bardhë, e dukej si një vajzë e madhe, ndonëse nuk është më shumë se dhjetë vjeç. Diçka jo e zakonshme për të, pasi jam mësuar ta shikoj gjithnjë veshur me rrobe sporti.
Ime shoqe vjen, e marrim drejtimin e zakonshëm për në pyll. Pas një ore e gjysëm, duke u kthyer për në shtëpi, në trotuar diçka që shkëlqente më tërhoqi vëmendjen. Ndalova e u përqëndrova. U ula dhe e mora. Ishte një zinxhir floriri qafe. Në mes kishte një emër: “Daniela”.
Daniela? Kush mund të ishte në rrugicën time me atë emër?
-Më duket se njëra nga vajzat e Zelkos e ka emrin Daniela. - i them sime shoqeje dhe hodha sytë nga shtëpia e tij. Asnjë makinë nuk ishte parkuar.
-Kur të kthehet do ta pyes Zelkon, ndoshta është e ndonjërës prej tri vajzave të tij.
Gjatë pasdites, duke punuar për t’i bërë disa shërbime makinës, po prisja edhe Zelkon të kthehej. Prita gjatë. Ai nuk po dukej.
U futa në shtëpi e pas një ore shikoj makinën e tij të parkuar përpara shtëpisë.
Dola jashtë, por po më vinte zor të shkoja e të trokisja tek dera e tij, por aty u gjend një fqinj i imi, i cili po i gëzohej ditës së ngrohtë duke pirë birra pas birrash.
-Skot, a e ke numurin e celularit të Zelkos? - pyeta fqinjin. Kam gjetur këtë souvenir. Ndoshta i ka humbur njërës prej vajzave, se më duket njerën e quajnë Daniela.
-Po, - më thotë Skoti, - Zelko ka një vajzë, Daniela, dhe e kam numrin e tij të celularit.
Skoti i bie numrit e në sekondë Zelko e kapi celularin.
-Zelko, a ju ka humbur ndonjë varëse floriri? E ka fqinji im përbri në dorë e po qëndron përballë shtëpisë sime - i tha Skoti.
-Po, - përgjigjet Zelko - kemi mbi gjysëm ore që po kerkojmë më kot në shtëpi - e s’kalojnë as 10 sekonda, dera e tij hapet dhe vajza e vogël e cila po luante me top në mëngjes, vjen me vrap për tek unë. Zelko u shfaq më pas.
Vajza u afrua. E pyeta se si e kishte emrin:
-Daniela. - më përgjigjet.
I zgjata zinxhirin e sytë e saj ndriçuan në çast. E pashë që u gëzua shumë.
Zelko pas pak erdhi e më shtrëngoi fort dorën.
-Faleminderit shumë. - më thanë babë e bijë e Daniela e vogël shtrëngonte varësen.
-Do të shkonim për vizitë, por nuk kam ç’ti bëj. Edhe veshur me rrobet më të mira, nuk i ndahet basketbollit, e me siguri duke ndjekur topin, do t’i ketë rënë varësja.
Vajza u gëzua, por u gëzua edhe Zelko, edhe Skoti, por edhe unë më shumë se të gjithë.
Për një çast mendova, po sikur ta mbaja varësen për vete? Tek e fundit e gjeta në rrugë.
Por jo. Ajo ndjenjë kënaqësie që mora, nga një detaj aq i vogël, më bëri që edhe sot të ndjehem mirë.
Sa pak iu dashka njeriut për t’u gëzuar!
©Bamir Bebeziqi