Për prindërit

Nivelimi i natyrës dhe ndërhyrjes njerëzore - Nga Burim Bardhari

“Çuni i mamasë” dhe mungesa e “baba”-së

Ndoshta sot më shumë se kurrë, djemtë kanë nevojë për model e shëmbëlltyrë mashkulli, pohojnë disa psikologë, jo vetëm për trimëri të vrazhdë burrnore apo dallim detyrash gjinore dhe gjuetarësh, por për guxim shpirtëror dhe pronësim të përgjegjësisë për pavarësim, pasiqë shumë meshkuj mbërrijnë moshën madhore pa u ndarë nga mitra psikologjike e nënës luaneshë, që tërthoras i furr me mbrojtje nga roli evolutiv, dallim të cilin e hetojnë edhe vetë motrat për çunin e mamasë.

Pamohimthi, roli i nënës është i pazëvendësueshëm sepse sipas evolucionit vetjakësisht dhuron dashuri të pakushtëzuar gjenetike dhe “algoritmike” që të mbijetojë lloji i vet dhe jo vetëm nga ndjenjat më të buta, poashtu fëmijët që nuk janë rritur nga dashuria e nënës kujdestare kanë më shumë prirje vesesh e keqsjelljesh kundër-rrymore dhe guxim të mbrapshtë që shpie në vepra kundërvajtjeje. Vajzëria nga ana tjetër shpaloset dukshëm dhe në mënyrë të natyrshme në moshën e mitur ndërsa djalërisë i nevojiten treguesit shembullor mashkullor sepse edhe piqet më vonë. 

Rrjedhimisht, çunat që nuk stërviten e kaliten me përpjekjen për pavarësi e të mbështeten tek vetja e tyre, por sosin shpirtërisht nga mosveprimi e përtacia ose përkdhelitë e tepërta, si pasojë e pritshmërisë së shërbimit të gatshëm ose pasigurisë së tyre për t'iu shmangur realitetit të hidhurëmbël si dhe për t'i shpëtuar rrezikut të përfytyruar, kërkojnë ngushëllim në përqafimin e nënës loke (ose strehim në bodrumin e shtëpisë së prindërve).

Mjerisht ata dalëngadalë hapërojnë mbrapsht në ndrydhje, në rrugën e kthimit drejt ribashkimit me nënën e këndshmërive të foshnjërisë dhe shkojnë deri në përvetësimin e jetesës që kundërshton lidhjet me burrërinë si p.sh. rrugëtimi i patrembur përrallor i Odiseut, mbrojtësi i votrës atdhetare dhe shtëpiake i cili me guximin e tij u dallua edhe shpatarisht edhe mençurisht sepse gjatë lundrimit tij kur kthehej për në vendlindje u përball me djajtë e brendshëm por si shfaqje nga jashtë, nga joshjet e shtojzovalleve të bukura ose nga “ujëzanat” këngëtare etj. Ky “burrë-fëmijë” ndryshon nga “fëmija” brenda vetes sonë të cilin të gjithë dëshirojmë ta zgjidhim periudhtas nga zinxhiri e lëshojmë në hulumtime të patrembura e të shkujdesura për t'u bërë sërish krijues e përjetues i lirë dhe pa kufizime ndërmarrjesh.

Fëmija i nënshtruar nga sindroma e çunit të mamasë gjatë marrëdhieneve me palën tjetër poashtu tejet të rëndësishme, bëhet i paaftë që brenda kornizave të marrëdhënieve familjare ta “ndajë kishën nga shteti”, nga dy “nënat (vjehrrat)”. Megjithatë, kjo nuk nënkupton “bardhezisht dhe mendjeverbërisht” kinse sot shumica e nënave të pamartuara se nuk janë në gjendje të luajnë rol të dyfishtë ose së paku të mundësojnë kushtet për të, madje shumica e tyre e ngasin më mirë përgjegjësinë e prindërimit pa prindin e papërgjegjshëm mungestar. Ndonëse disa me të drejtë ngurojnë ndërhyrjen tek fëmijët për të mos shkaktuar më shumë huti e pasoja nga natyra e cila e ka fjalën e parë (anglisht: “nature versus nurture”) por jo edhe të fundit sepse lejohet ndërhyrja e jashtme, përndryshe do të dështonte “Mëshira Hyjnore” ose nëna Natyrë nëse nguroste veten njëanshmërisht.

Faktikisht, gjenet (lexo udhëzimet gjenetike) vazhdimisht pësojnë ndezje e fikje prandaj më vonë dalin sëmundje të papritura sepse diçka e prek çelësin gjenetik në veprim ose mosveprim, takon ose stakon, kyç e shkyç, rrjedhimisht “ndizet ose fiket” ndonjë proteinë që shkakton pasoja ose përmirësime, prandaj thuhet se ka gjenetikë por edhe epigjenetikë (mbigjenetikë), natyra gatuan fillimisht mirëpo njeriu ndryshon edhe nga ndikimet dhe ndërhyrjet e mjedisit, ushqimet e klima ose edhe sjellja.

Vetë dualiteti ose dysia apo dyanësia në drejtpeshim është arsyeja kryesore se pse fëmijët kanë nevojë për të dy prindërit, të llastohen nga dashuria amnore dhe të trimërohen nga dashuria atnore - që të aftësohen e të dalin jashtë edhe në shkretëtirën shoqërore dhe për të jetuar qëllimisht, synimthi e dëshirimthi në mënyrë që të zbulojnë vetë të vërtetën, të mësojnë e të gëzojnë, të rriten e të përparojnë.

Zgjim e zgjuarsi, mençuri e mbarësi!

© Burim Bardhari