Këshilli Koordinativ i Diasporës: Plotësohet lista e kandidatëve në Toronto dhe Montreal
- Published in Komunitet

Emrat e rinj: Në Toronto Alban Merepeza, Julian Dyrmishi, Ruki Kondaj dhe Anton Brunga. Në Montreal Nehat Kaloshi. Vetëm ACE Society nuk bën publikë kandidatët e propozuar
15 gushti ka qenë afati i fundit për dërgimin e propozimeve pranë Ambasadës shqiptare në Ottawa për 2 vendet që i takojnë diasporës shqiptaro-kanadeze në Këshillin Koordinativ të Diasporës që do të krijohet së shpejti dhe do të zyrtarizohet për herë të parë në takimin që do të zhvillohet në muajin dhjetor në Tiranë.
Lista e kandidatëve është pasuruar ditët e fundit me disa emra të rinj nga Toronto dhe Montreali. Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze e Torontos ka konfirmuar tre emra kandidatësh për Flasshqip.ca: Alban Merepeza, Julian Dyrmishi dhe Rukije Kondaj.
Alban Merepeza, i njohur më shumë si mjek chiropractor, i diplomuar pranë Canadian Memorial Chiropractic College por edhe si psikolog pranë Trent University Ontario, përveç ushtrimit të profesionit të chiropractor në klinikën e tij në Port Hope, prej vitit 2008 ka asistuar si i tillë shumë sportistë kanadezë dhe shqiptarë në Lojrat Olimpike apo kampionate botërore. Në të njejtin rol edhe ekipin kombëtar të futbollit të Shqipërisë deri në pjesmarrjen për herë të parë në Kampionatin Europian Francë 2016. Ai drejton aktualisht grupin e punës për realizimin e projektit “Shtëpia e Shqiptarit” në Toronto.
Julian Dyrmishi, me profesion inxhinier dhe Registered Condominum Manager, një nga menaxherët shqiptarë me karrierë më të suksesshme në Toronto, aktualisht kryen funksionin e District Manager pranë DEL Property Management, një ndër kompanitë më të mëdha në Ontario në fushën e menaxhimit të godinave condominium. Aktiv në të gjitha organizimet komunitare ai eshtë dhe kontribues veçanërisht për punësimin e anëtarëve të komunitetit.
Ruki Kondaj, kandidatja e tretë e SHBSHK Toronto, me profesion farmaciste, ka kryer për dy mandate me radhe funksionin e kryetares të kësaj shoqate. Mban gradën doktore e shkencave farmaceutike, fituar pranë Universitetit të Tiranës. Burime nga SHBSHK deklarojnë se znj. Kondaj nuk ka karrierë profesionale në Kanada dhe kontributi dhe aktiviteti i saj ka qenë kryesisht i fokusuar në drejtimin e shoqatës së Torontos. Ndërkohë, është e vetmja kandidate nga lista e Kanadasë që ka patur për një periudhë edhe aktivitet politik në Shqipëri duke bërë pjesë në grupin e këshilltarëve të Kryeministrit Fatos Nano si dhe duke kryer për një periudhë edhe detyrën e sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Toronto ka ofruar edhe një kandidat nga fusha e jurisprudencës. Ai është avokati Anton Brunga, i propozuar nga RH Scholarship. Brunga fillimisht është diplomuar jurist në Universitetin e Tiranës dhe ka qenë pedagog i lëndëve “E drejta e krahasuar” dhe “E drejta e detyrimeve” në Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkodrës. Pas emigrimit në Kanada ai diplomohet gjithashtu në vitin 2007 pranë Osgoode Hall Law School në Toronto. Është themeluesi dhe drejtuesi i Studios Ligjore “Brunga Law”, Toronto, më një staf të kualifikuar thuajse 100 përqind shqiptar prej 13 vetësh. Ka qënë anëtar i kryesisë së SHBSHK Toronto dhe aktualisht anëtar i kryesisë të Misionit “E Shenjta Nënë Tereza”. Njihet gjithashtu si filantrop dhe donator në të gjitha aktivitetet e komunitetit shqiptar në Toronto.
Ndërkohë në Montreal është propozuar edhe një emër i ri. Përmes faqes zyrtare në Facebook, Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze ka publikuar emrin e kandidatit të saj. Ai është kryetari prej 3 vitesh i kësaj shoqate, Nehat Kaloshi, drejtues i një kompanie private në fushën e sigurisë dhe investigimit me qendër në Montreal.
Nga të gjitha shoqatat shqiptare të regjistruara në Kanada, e vetmja që ka refuzuar të bëjë publike kandidaturat është Albanian-Canadian Excellence Society. "Ky fakt ndofta lidhet edhe me krizën që po kalon kjo organizatë pas largimit të një pjese të drejtuesve për arsye së kryetari ka refuzuar të organizojë zgjedhjet, që sipas legjislacionit të Ontarios për organizatat jofitimprurësë duhet të zhvillohen brenda tre vjetësh nga themelimi", shprehen për FlasShqip ish-themelues të kësaj shoqate. Ne faqen Web të shoqatës gjenden të gjitha informacionet, ndërsa në seksionin “Our team” lexohet shënimi “Webpage under maintenance, coming soon”.
Në varësi të informacionit që do të kemi në dispozicion, deri në fund të muajit gusht kur mbyllet afati për përcjelljen e kandidaturave pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko nga Ambasadori Ermal Muça, ne do të publikojmë profilet e të gjithë kandidatëve, për t’u krijuar mundësi të barabartë të gjithëve të shpalosin idetë dhe vlerat e tyre.
Ndërkohë shpresojmë se nga ana e ambasadës do të ketë sërish një konsultim transparent me shoqatat duke bërë të njohur dhe emrat që do të përcillen. Kujtojmë qe procedura ligjore parashikon dërgimin e jo më pak se 4 emrave dhe nuk ka kufizim për numrin maksimal. Me mënyrën si është zhvilluar procesi deri tani, komuniteti shqiptaro-kanadez ka dhënë një shëmbull të jashtëzakonshëm transparence dhe përgjegjshmërie duke ofruar një liste më të vertetë cilësore dhe përfaqësuese.
Ja dhe lista e plote e 16 kandidatëve:
Shoqata London: Lulzim Rrafshi;
Shoqata Hamilton: Shani Pnishi;
SHBSHK Toronto: Alban Merepeza, Julian Dyrmishi, Ruki Kondaj;
RH Scholarship Toronto: Anton Brunga, Ardian Radovicka, Augustin Simoni, Genc Tirana;
SHBSHK Montreal: Nehat Kaloshi;
Shoqata Kulturore Montreal: Gjergji Hasa;
Shoqata Halifax: Mira Shehu;
Shoqata Regina: Kostandin Ristani, Zeqirja Rexhepi;
Shoqata Calgary: Adriana Bejko
Shoqata Vancouver: Ardian Lagji;
FlasShqip@ca