Komunitet

Publikohet vëllimi me tregime “Vizita e fundit”, me autor Arben Kallamata

  • Published in Komunitet

“Vizita e Fundit” titullohet vëllimi me tregime i shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur shqiptaro-kanadez me banim në Toronto Arben Kallamata, publikuar këto ditë në Shqipëri nga Botimet Jozef. Vëllimi është organizuar në tri pjesë: “Të ëmbla”, “Të kripura” dhe “Djegëse”.

Pjesa e parë hapet me tregimin e gjatë “Imoniku” dhe përmban krijime me tematikë nga Shqipëria e viteve -70të e 80-të. Është konsideruar si pjesa e “ëmbël” e vëllimit, pasi ngjarjet janë bazuar në kujtime të fëmijërisë dhe të rinisë së autorit, të risjella me një dozë të lehtë humori.

“S’besoj se është e nevojshme të shtoj këtu që pallati ishte më i riu, më i larti dhe më i bukuri në gjithë qytetin. Por ndoshta është e nevojshme ta përmend. Sepse për kohën, ishte një nga pallatet më të bukura në të gjithë vendin, i ndërtuar me një stil krejt ndryshe, me fasadë të ndritshme, të suvatuar dhe të lyer bukur, që bënte kontrast me tullë-kuqët përreth. Aq i bukur ishte, saqë arkitekti që e kishte projektuar përfundoi në burg. Në atë sistem, njerëzit që krijonin gjëra të bukura shkonin burg.”

(Fragment - Llastiqet)

Te “të kripurat” janë përmbledhur disa skica humoristike që kanë lidhje me gjuhën shqipe.

“- Edhe vish shoshonkat se është llapavec jashtë. Do marrësh ndonjë plevit që të çuditesh.

- Shoshonkat nuk i vesh se dukem si dudum. Këpuckës sapo ia sheshova një peronë që më vriste gishtin.

- Epo dil me lepitka e me benevrekë, atëherë.

- Jo po si ti që gajase dynjanë duke gjezdisur me penuar dhe fëshfëshe në mes të dimrit.

- Pika që s’të bije. Unë më mirë dal gollomesh se të vë fëshfëshkën.” 

(Fragment - Taqka i Lenkës)

Pjesa e tretë e përmbledhjes me tregime titullohet “Djegëse”, si një paralajmërim për lexuesin, që të jetë i kujdseshëm nëse nuk ka stomak të fortë. Në të është edhe tregimi që i jep titullin vëllimit dhe që në formën e tij të plotë është: Vizita e Fundit e Shën Kollit në Parajsë. Pjesa “djegëse” operon kryesisht me sarkazëm duke synuar të nxisë një vështrim të ftohtë, realist dhe deri diku filozofik të miteve që rëndom merren si të mirëqëna dhe pranohen pa vështrim kritik.

“Shën Kolli hynte në Oborrin Hyjnor për të 1674-tën herë, duke ndier të njëjtën pasiguri, të njëjtën mahnitje, të njëjtën ndjenjë adhurimi e magjie, si në të parën. Një kor gjigand krijesash hyjnore, me krahë përsosmërisht të bardhë, zinte në formë gjysmëharku thuajse dy të tretat e Oborrit dhe nuk reshtte së kënduari lehtaz, aq lehtaz, sa mund të thuhej se ishin në kufijtë e mërmëritjes. Gjysma e tyre lëviznin gishtat ngadalë, por saktësisht, në disa harpa të vogla, ndërkohë të tjerët përplasnin duart e tyre të vogla thuajse të tejdukshme me një ritëm gati të paperceptueshëm. Kënga e përjetshme ishte një përzierje e melodisë së pastër me harmoninë e pacënuar. E njëjta këngë këndohej dhe luhej pambarimisht, nga një përjetësi në tjetrën, por dukej qartë që të gjithë, pa përjashtim ndiheshin të kënaqur dhe të plotësuar prej saj, aq hyjnor ishte krijimi. Askush nuk mërzitej, askush nuk lodhej, të gjithë dukeshin përjetësisht të lumtur. Asnjëherë nuk kishte pasur qoftë edhe një kërkesë të vetme për ndryshim repertori.”

(Fragment - Vizita e Fundit e Shën Kollit në Parajsë)

“Vizita e Fundit” është vëllimi i parë me tregime i Arben Kallamatës, që vjen pas tre romaneve, “Kronikë Bastardësh” (1997), “Hijet e Muzgut” (2019) dhe “Un Mort” (2022).  Ai mund të gjendet në libraritë Adrion dhe Art’s në Tiranë, Dyrrahu në Durrës si edhe në Korçë e Pogradec. Së shpejti pritet të vijë edhe në Kanada.

© Flasshqip.ca