Pandeli Majko viziton “Shtëpinë Shqiptare” në Hamilton-Ontario
- Published in Komunitet
Në Qendrën Komunitare të Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit, më 7 mars 2018 qëndroi për vizitë delegacioni qeveritar nga Republika e Shqipërisë me në krye Ministrin e Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, i shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Kanada, Ermal Muça. Delegacioni nga Tirana zyrtare u prit nga një grup aktivistësh të shoqatës si dhe kryetari i saj, Refki Sertolli. Ministri Majko, u shpreh i entuziazmuar kur mësoi që Shoqata e Hamiltonit tashmë ka siguruar objektin e saj të blerë me kontributin e anëtarëve si dhe me financim nga të ardhurat e krijuara prej aktiviteteve që organizohen rregullisht. Ai u premtoi drejtuesve të shoqatës mbështetjen e shtetit shqiptar në drejtim të ruajtjes së identitetit kulturor e gjuhësor dhe të dhënies së informacionit te domosdoshëm për diasporën shqiptare në Kanada.
Sipas tij, projekti që ka përpiluar Ministria e Diasporës e Shqipërisë ka për qëllim të mbështesë dhe inkurajojë angazhimin dhe rritjen e kontributit të komuniteteve shqiptare jashtë vendit në dobi të zhvillimin të atdheut, duke krijuar një herazi më shumë mundësi për përfshirjen e diasporës në vendimmarrje. Ideja e fundit nënkupton dhe projektin për përfshirjen e emigranteve në votime.

Shoqata Shqiptare e Hamiltonit është krijuar në vitin 2010 dhe deri tani është e vetmja shoqatë shqiptare në Kanada pronare e objektit të saj komunitar. Rinovimi i ambienteve të asaj që tashmë është pagëzuar si “Shtëpia e Shqiptarëvë” të Hamiltonit, po realizohet me kontribut vullnetar të anëtarëve çdo fundjavë. Inaugurimi pritet të bëhet së shpejti. Kujtojmë që komuniteti shqiptar në Hamilton ka në shumicë shqiptarë nga Kosova, të cilët u vendosën aty në kohën e konfliktit të vitit 1999 dhe krizës që u pasua me zhvendosjen e mbi 600.000 refugjatëve në shumicë dërrmuese drejt Shqipërisë. Kjo është dhe arsyeja që Pandeli Majko, kryeministri i atëhershëm që administroi krizën, mbetet gjithnjë një figurë shumë popullore dhe që gëzon simpatinë e veçantë të shqiptarëve të Kosovës.
©FlasShqip.ca












