Komunitet

Toronto-Ministrat e Diasporës shqiptare Majko e Gashi takohen me kryesinë e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze

  • Published in Komunitet

Më 7 mars në Toronto, në ambientet e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze, janë takuar drejtues të saj me dy Ministrat e Diasporës së Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht Pandeli Majko dhe Dardan Gashi, të shoqëruar nga Ambasadorët Muça dhe Hiseni.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryetari i Shoqatës, Ramazan Këllezi. Ai e vlerësoi si të rëndësishme prezencën e dy anëtarëve të qeverive respektive të dy shteteve shqiptare që po vizitojnë Kanadanë. “Këto takime,-theksoi ai, do ti shërbejnë shumë njohjes më nga afër të diasporës së këtushme dhe organizimit të saj, por mbi të gjitha njohjes së preokupimeve të saj në raport me shtetin amë”.

Nga ana e tyre, ministrat folën shkurtimisht për strategjinë e përbashkët Tiranë-Prishtinë në raport me diasporën dhe e vlerësuan bashkëpunimin me të si një nga prioritetet më të rëndësishme të së ardhmes.

Në takim u diskutua në veçanti edhe për projektin e Qendrës Komunitare “Shtëpia e shqiptarit”, iniciativë kjo e Shoqatës së Torontos, për realizimin e të cilës është krijuar edhe një komision i posaçëm i drejtuar nga Dr. Alban Merepeza.

Dy Ministrat Majko dhe Gashi e kanë vlerësuar me entuziazëm këtë iniciative madhore dhe kanë konfirmuar që ky projekt do të jetë në vëmendje të dy qeverive si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë.

©FlasShqip.ca