Nënë Tereza bashkon shqiptarët në Montreal
- Published in Komunitet

Shtatori ka një datë krejt të veçantë për gjithë kombin shqiptar. Është data 5, e njohur edhe si Festë zyrtare në Shqipëri. Vatikani e kanonizoi Nobelisten me origjinë shqiptare, Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhi), më 4 shtator 2016 dhe vendosi përkujtimin e saj si shenjtore në çdo 5 shtator.
Eshtë kjo arsyeja që do t'i mbledhë sëbashku shqiptarët e Montreal-it të shtunën e ardhshme, 8 shtator 2018, në sheshin pranë Stacionit Metro Monk, ku prej 25 Nëntorit 2012 është vendosur statuja e shqiptares më të njohur në planet, burim krenarie kombëtare.
(Statuja vepër e skulptorit Benard Lekgegaj)
Nën kujdesin e Ambasadës të Republikës së Shqipërisë në Kanada, aktiviteti përkujtimor do të organizohet nga dy shoqatat shqiptare, përkatësisht Bashkësia Shqiptare e Quebec-ut Montreal dhe Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal.
Statuja e Shenjtores Nënë Tereza e vendosur në Montreal, në territorin e Bashkisë Le Sud-Ouest, është vepër e skulptorit shqiptar Benard Lekgegaj. Në pllakën tek bazamenti i saj lexohet: “Kjo vepër arti i dhurohet qytetit nga komuniteti shqiptar me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë.” Përurimi i monumentit u bë në datën 25 Nëntor 2012, me prezencën e disa personaliteteve politike federale dhe provinciale, të Kryepeshkopit të qytetit Christian Lépine si dhe të Ambasadores së Shqipërisë në atë periudhe, Elida Petoshati.
Ideatori dhe iniciatori për këtë projekt ka qënë botuesi i Portalit Flasshqip.ca Taulant Dedja, në atë kohë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ të Urbanistikës pranë Bashkisë Le Sud-Ouest Montreal. Me mbështetjen financiare të gjithë komunitetit shqiptar në Montreal, realizimi i projektit u koordinua në një kohë rekord nga drejtuesit e atyre viteve të Bashkësisë Shqiptare të Quebec-ut, Kujtim Ismaili, Besnik Bashi, Fation Luli dhe Eleonora Maxhuni. Kontribuesit kryesorë ishin: Musa Shega, Jorgo Koçiu, vëllezërit Koçiu, Bujar Mujollari, Hysni Marku, Bardh Malaj, Andi Bajraktari, Petrit Xhepaxhiu, Lulzim Laloshi, Sotiraq Shegani, Kujtim Canaj, Mevlan Hasani, Familja Pistoli, Familja Dushaj, Familja Bashi, Nikolin Vukelaj, Sokrat Tarelli etj, si dhe Misioni Shqiptar “Nënë Tereza“ Toronto.
Benoit Dorais
Sigurisht që projekti nuk do ishte bërë realitet pa kontributin e jashtëzakonshëm për kapërcimin me sukses të të gjitha etapave proceduriale nga ana e këshilltares bashkiake, Huguette Roy, dhe Kryetarit të Bashkisë Le Sud-Ouest, Benoit Dorais. Ky i fundit, përveç ushtrimit të këtij funksioni, i votuar masivisht për herë të tretë, aktualisht është caktuar dhe numri 2 i Bashkisë Montreal, në rolin e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të qytetit. Komuniteti shqiptaro-kanadez i Montreal-it dhe jo vetëm, u mbetet përherë mirenjohës Zj. Roy dhe Z. Dorais.
Huguette Roy
@FlasShqip.ca