Komunitet

Bedrije Rexhepi gjen shijen e Kosovës në Halifax

  • Published in Komunitet

Bedrije Rexhepi ish-aktorja gjilanase, e cila banon në Halifax ka zbuluar një mënyrë interesante për të shijuar Kosovën e saj në Kanada. Ajo ka marrë me vete fara speci djegës ose zharrana duke ia dhënë për kultivim një fermeri në Halifax. Kështu, Bedrija dhe familja e saj do të mund të shijonin si në Kosovë fasulet dhe turshitë. Dhe mesa duket speci i Kosovës ka gjetur një terren të mirë për t’u rritur dhe ja që ideja e Bedrijes pati sukses. Tashmë kultivuesit e kontaktuar nga artistja shqiptare, kanë kërkuar t’i vendosin një emër produktit shqiptar, i cili do të shitet në tregun e provincës kanadeze. Shqiptarët në Nova Scotia, por edhe të tjerë eksploratorë të kuzhinës do të mund të përgatisin turshitë ose specat me ajkë aq të famshme në Kosovë e Shqipëri.

“Kur je në kurbet- thotë Bedrija, kërkon diçka që të heqësh mallin e vendlindjes, në mënyrë që jeta larg vendlindjes të bëhet edhe më e lehtë”.

Përveç mallit të shprehur në vargje a teatër, janë edhe gjërat e vogla me të cilat shqiptarët kudo që ndodhen mund të përpiqen të marrin me vete pjesëza shqiptare. Diku speci e diku rakia, emërtesa “origjina Shqipëri” të bën të ndihesh ngrohtë edhe mes dëborës kanadaze.  

©FlasShqip