Toronto mbledh në ekspozitë profesionistë dhe amatorë të pikturës
- Published in Komunitet
Pas pak javësh, Toronto do të jetë qyteti mikpritës i një evenimenti të rëndësishëm kulturor shqiptaro-kanadez. Nga data 13 deri më 24 Nëntor 2018, plot 21 piktorë shqiptarë do të hapin një ekspozitë të përbashkët në ambientet e ARTUSIASM ART GALLERY (1684 St. Clair Avenue West, Toronto). Momenti është përzgjedhur enkas sepse Nëntori, përveç kontekstit historik që mbart, njihet edhe si muaji i trashëgimisë kulturore shqiptare në provincën e Ontarios.
Organizatorët kanë zgjedhur ta quajnë evenimentin “Frymëzimi i Artistëve Shqiptaro-Kanadezë”. Në ekspozitë do të paraqiten mbi 80 punime të madhësive, teknikave dhe zhanreve të ndryshme. Lista e artistëve ka një shpërndarje gjeografike që fillon nga provinca e Nova Scotia, duke vazhduar me Quebec dhe Ontario.
Nga Halifax do të marrin pjesë Arbër Rexhepi dhe i mirënjohuri Zeqirja Rexhepi me origjinë nga Kosova. Nga Montreal Entela Konomi, Gent Bejko, Rapi Sota dhe Kastriot Dervishi. Nga Greater Toronto Area (GTA) Adriana Graceni, Albana Canga, Ardian Radovicka, Arjan Bafa, Brian Balili, Dhurata Sahatçija, Elis Tarelli, Ermal Xhixha, Jeronim Dyrmishi, Kristaq Turtulli, Petro Dhimitri, Rei Misiri, Robert Simoni, Vilma Saraçi Mebelli dhe Ylli Radovicka. Në ekspozitë do të vendosen gjithashtu edhe disa punime nga skulptori dhe piktori i paharruar Hytbi Tarelli, një ndër artistët më aktivë dhe më të vlerësuar ndër vite të komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto.
Ekspozita e parë e përbashkët e artistëve shqiptaro-kanadezë që banojnë në Toronto ka qenë hapur më 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo e sivjetshmja është pra e dyta e këtij lloji, me pjesmarrje më të madhe dhe shtrirje më të gjerë gjeografike.
Kujtojmë që përurimi zyrtar i ekspozitës, do të zhvillohet ditën e premte 16 Nëntor 2018, në ora 7 p.m. në adresën 1684 St. Clair Avenue West, Toronto.
@FlasShqip.ca