Komunitet

Toronto RH Scholarship, jo vetëm bursa për studentët më të mirë...

  • Published in Komunitet

Në Toronto, nxënësit dhe studentët shqiptarë kanë një strehëz të quajtur “RH Scholarship”, që jo vetëm u vjen në ndihmë me bursa por edhe me aktivitetet sociale e kulturore. Bashkëthemeluesit e organizatës jofitimprurëse “RH Scholarship”, janë Rej dhe Tea Haxhillari. Që prej vitit të krijimit në 2013, kjo organizatë ka mbështetur me bursa 34 nxënës dhe studentë me rezultate të shkëlqyera si dhe ka promovuar ekselencën akademike në rradhët e nxënësve dhe studentëve të rinj të komunitetit shqiptaro-kanadezë.

Përmes dy aktiviteteve të mëdha të organizuar një në fillim viti ku prezantohen kriteret e përzgjedhjeve dhe tjetri në fundviti, ku shpallen fituesit, “RH Scholarship”, është kthyer kështu në busullën orientuese të rinisë shqiptare të posaardhur në Toronto, Ontario.

Këto aktivitete nuk janë vetëm për të shpërndarë bursa, por thelbësorja është dhënia e ndihmës ndaj rinisë shqiptare-kanadeze për t’u lidhur me komunitetin e tyre, duke inkurajuar pjesëmarrjen e nxënësve të prejardhjes shqiptare që vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për t'u shoqëruar dhe për t'u njohur me njëri-tjetrin më mirë e për të ruajtur kulturën e traditat shqiptare.  

Kjo u vërejt në ceremoninë e shpalljes së fituesve të bursave të datës 20 tetor, prezantuar nga Marisa Muçollari dhe Ami Bujari. Entuziazmit të studentëve fitues Alma Stafa, Gynter Kotrri, Foti Vito, Denis Qeska, Enes Spahiu iu bashkangjitën emocionet artistike të sjella me delikatesë nga pjesëmarrja e artistëve shqiptaro-kanadezë si; violinistit Augustin Simoni, pianistes Anila Toka, aktorit Artan Sejko, shkrimtarit Përparim Kapllani dhe piktorit Robert Simoni.

Në aktivitetet e “RH Scholarship” kanë qenë vazhdimisht të pranishëm edhe autoritete politike të nivelit lokal, provincial e federal si i ndjeri Rob Ford, ish-kryetar i Bashkisë së Torontos, ish-Ministri i qeverisë së Ontarios, Tony Ruprecht dhe deputetë të tjerë të legjislaturës provinciale, mes të cilëve më aktivi mbetet Ivan Baker. Në 18 nëntor të vitit të kaluar, Kryeministri kanadez Justin Trudeau e përshëndeti gjithashtu përmes një letre zyrtare mbrëmjen vjetore të shpalljes së studentëve fitues, duke e vlerësuar iniciativën e RH Scholarship si “frymëzuese për gjeneratën e re të liderëve komunitarë”.

©FlasShqip