Një film shqiptar në Ottawa
- Published in Komunitet
Nismës festive të bashkisë së Otavës “Welcoming Ottawa week”, qëllimi i së cilës është celebrimi dhe respektimi i kulturës dhe traditave të çdo komuniteti iu bashkua edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada.
Një sallë kinemaje në Galerinë e Arteve të Otavës mblodhi bashkë në mbrëmjen e 29 Qershorit pjesëtarë të diasporës shqiptaro-kanadeze. Para se filmi “Bota” të shfaqej për publikun shqiptar dhe disa të ftuar kanadezë, përfaqësues bashkiakë e dashamirës të Shqipërisë, ambasadori Ermal Muça mbajti një fjalë të shkurtër mirëseardhjeje për të pranishmit.
Filmi u prit me dashamirësi nga publiku për vetë faktin që ishte një prodhim shqiptar dhe që shërbeu si një sebep për t’u mbledhur bashkë anëtarë të diasporës që jetojnë e punojnë në provinca të ndryshme të Kanadasë. Ambasadori Muça e shfrytëzoi këtë event edhe për të ndarë çmimet “Ambasador i Kombit” akorduar për disa aktivistë të diasporës shqiptaro-kanadeze gjatë Samitit të Dytë të Diasporës mbajtur në Tiranë më 28 shkurt deri më 2 mars 2019.

Punonjësit e ambasadës dhe bashkëshortja e ambasadorit ishin kujdesur në detaje për organizimin e eventit duke mos munguar dhe dekorimi i sallës me simbolet kombëtare dhe ekspozimi i fotografive me pamje të mrekullueshme të natyrës e qyteteve shqiptare.

Gjatë kokteilit të pranishmit patën mundësi të shkëmbenin mendime dhe eksperienca emigrimi me njëri-tjetrin si dhe të vendosnin kontaktet me bashkëatdhetarët e tyre që mund t’i takonin për herë të parë ose u rigjetën pas ca vitesh.

Fotot e realizuara nga Faje Sina
©FlasShqip.ca












