Komunitet

Arnisa Morina – Refugjatja 3 vjeçare sot studente e Osgoode Hall Law School

Nga: Shani Pnishi

Historitë e emigrimit të shqiptarëve nga të gjitha trevat tona drejt Kanadasë, janë nga më të ndryshmet, nga më mbresëlënëset apo më prekëset. Shumë nga ata, me prejardhje nga Kosova, kanë kujtuar në këto ditë marsi përjetimet dramatike të kohës së Luftës të vitit 1999, kur mijëra prej tyre, fati i solli këtej Atlantikut nën kujdesin e drejpërdrejtë të shtetit Kanadez.

Plot 19 vjet kanë kaluar nga ai vit i vrullshëm, kur Arnisa Morina 3 vjeçare, erdhi sëbashku me familjen e saj në token kanadeze për t’u vendosur në Brantford të Ontarios, vetëm pak kilometra larg Hamiltonit.  “Prej asaj kohë, Kanadaja ka qenë një strehë e sigurt për mua dhe familjen time. Ashtu si çdo viktimë e luftës në Kosovë, ne patëm humbur të drejtat tona, lirinë, sigurinë dhe lumturinë tonë. Mbi të gjitha, une e humba babain tim në masakren e Gullobovcit. Do të jetë gjithmonë humbja ime më e madhe në jetë”- shkruante ajo sot në një status që vështirë se mund të lerë ndokënd indiferent, kur e lexon në rrjetin social Facebook.

Edhe pse kujtimi i luftës është gjithmonë i dhimbshëm për Arnisën, e cila sot është studente në vitin e dytë të Osgoode Hall Law School në York University-Toronto, duket se Kanadaja i ka dhënë asaj dhe familjes shumë arsye për të qenë të lumtur megjithë fatkeqësitë e të kaluarës. Ajo veçanërisht vlerëson përkushtimin dhe sakrificën e nënës së saj, Miradije Morina, e cila ja doli të rriste e vetme 6 fëmijë.

Suksesi i Arnisës falë motivimit, këmbënguljes dhe përkushtimit të saj, nuk ka nevojë për shumë koment. Pas përfundimit të Bachelor në Kriminologji pranë Wilfrid Laurier University, ajo ia ka dalë të pranohet në një nga fakultetet më të mira të drejtësisë në Kanada ku dhe pret të diplomohet juriste vitin që vjen, çka do t’i mundësojë asaj të realizojë ëndrrën e jetës, ushtrimin e profesionit të avokates.

“Kanadaja më ka dhënë mundësinë të bëj diçka të rëndësishme me jetën time, për të treguar se sakrifica e babait tim nuk shkoi kot” – është shprehur ajo.

Arnisa, përveçse studente e shkëlqyer është edhe aktiviste komunitare. Ajo ka dhënë kontributin e saj vullnetar në ndihmë të Shkollës shqipe në Hamilton, sikurse vazhdon të jetë e angazhuar edhe pranë Albanian Canadian Excellence Society në Toronto.

@FlasShqip.ca