Komunitet

Land Korçari: I lumtur që këndova me legjendën Sabri Fejzullahu

  • Published in Komunitet

Para pak kohësh, këngëtari i njohur jo vetëm për komunitetin shqiptaro-kanadez, Lorandi Jazexhi, me banim në Mississauga të Ontario-s, ose siç jemi mësuar ta thërrasim, Land Korçari, ka realizuar një projekt të cilin kish vite që e ëndërronte, një bashkëpunim me legjendën e këngës nga Kosova, Sabri Fejzullahun. Bashkëpunimi solli për publikun këngën “Kam merak” me tekst dhe muzikë të Adrian Hilës. Në një komunikim të shkurtër me Flasshqip Land Korçari rrëfen përjetimet e tij.

Flasshqip: Si lindi ideja për këngën me Sabri Fejzullahun?

L. Jazexhi: Unë jam rritur me kënget e Sabriut, ka qenë dhe është një ndër këngëtarët më të preferuar për mua. Unë i bera ftesë për një bashkepunim dhe i dërgova disa materiale në mënyrë që ai të njihej më mirë me vokalin tim. U lumturova kur ai e pranoi me kënaqësi propozimin tim për të kënduar sëbashku, ndaj dhe i jam shumë mirënjohës.

Flasshqip: Cilat janë mbresat nga ditët që punuat për realizimin e Videoklipit?

L. Jazexhi: Mbresat e kohës që kaluam me këtë legjendë do të mbeten të pashlyera nga kujtesa ime. Sabriu është një artist klasi, njeri i shkëlqyer dhe me zemër të madhe, por mbi të gjitha patriot i vërtetë. Kënga që realizuam është kompozim i Adrian Hilës, i cili është njëherazi edhe autor i tekstit.

Flasshqip: Si është pritur kënga nga publiku?

L. Jazexhi: Kënga është pritur vërtetë mirë dhe kam marrë pa fund mesazhe urimi nga miqtë dhe simpatizantët. Është vlerësuar si një duet shumë i goditur. Natyrisht këtu merita i shkon në radhë të parë Sabriut dhe kompozitorit. Unë personalisht përjetova emocione të papërshkruara. Sabriu për mua ishte i përkryer në vokal dhe në interpretim. Ky projekt i realizuar mbetet unikal për mua.

Flasshqip: Falemnderit Landi dhe suksese në projektet e ardhshme!

 

©Flasshqip.ca