Komunitet

Komuniteti shqiptaro-kanadez në 12 muaj

  • Published in Komunitet

Përgjatë 12 muajve të vitit 2019 që lamë pas, diaspora shqiptaro-kanadeze nuk ka ndenjur duarkryq në aspektin e aktivizimit komunitar, zhvillimit kulturor e artistik. Aktivistët, artistët, publicistët, shkrimtarët kanë qenë produktivë duke dhënë kontribut të vyer jo vetëm për rrethin e tyre të ngushtë familjar e shoqëror, por edhe për komunitetin e gjerë. FlasShqip ka pasqyruar ngjarjet më të rëndësishme të fushave të ndryshme si dhe ato më origjinalet që kanë sjellë risi gjatë 2019.

Kështu në fillim të vitit 2019, në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Ottawa u çel ekspozita e artit figurativ “Diplom’Art” me pjesëmarrjen e katër artistëve nga Montreali; Entela Konomi, Rapi Sota, Kastriot Dervishi dhe Gent Bejko. Kjo ekspozitë u organizua nga Galeria e Artit “Ambigu” në bashkëpunim me përfaqësinë diplomatike shqiptare.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare të shpallur nga UNESCO në ambientet e Universitetit të Regina-s është organizuar një event ku kanë performuar grupe të 20 kombësive të ndryshme, mes tyre edhe fëmijët shqiptarë! 

11-vjetori i Pavarësisë së Kosovës dhe 107 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë mblodhi shqiptarët e Kanadasë në Queen’s Park, Toronto, sheshin përpara Parlamentit provincial.

Pas një pune intensive më shumë se njëvjeçare dhe pas angazhimit me kontribut vullnetar të shumë anëtarëve të komunitetit shqiptar, më 31 Mars në Hamilton-Ontario u inaugurua Qendra Komunitare “Shtëpia Shqiptare”, i pari investim madhor i këtij lloji realizuar nga shoqatat shqiptare të krijuara në Kanada pas vitit 1990.

Muaji Prill solli Vendimin e Këshillit të Ministrave pas propozimit të Ministrit të Disporës që Adriana Fishta-Bejko dhe Ardian Radovicka të caktoheshin anëtarë nga 19 të propozuarit nga shoqatat shqiptaro-kanadeze për të përfaqësuar diasporën e Kanadasë, në Këshillin Koordinues të Diasporës (KKD).

Në Kanada veprojnë disa shoqata me fokus gjithëpërfshirës, por në fund të Majit u krijua në Ontario, për herë të parë në historinë e emigrimit të shqiptarëve në Kanada, Shoqata e Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë. Me nismën e 3 juristeve të reja u mblodhën bashkë në Toronto prakticienët e ligjit, studentët e drejtësisë, por dhe të tjerë të interesuar.

Nën drejtimin e Dr. Kozeta Miliku edhe shqiptarët e provincës së Manitobës u organizua në shoqatë e madje shumë shpejt drejtuesit mundën të hapnin shkollën shqipe për fëmijët e komunitetit. Në Kitchener-Waterloo gjithashtu u riorganizua gjallërisht komuniteti dhe shoqata përkatëse nën drejtimin e Klara Serjani Bejleri.

Me nismën e Ajet Nuros në Montreal u organizua aktiviteti “Krenari Shqiptare” gjatë të cilit u vlerësuan arritjet e shqiptarëve të suksesshëm në provincën e Quebéc-ut nga fusha dhe profesione të ndryshme.

Nën kujdesin menaxherial të Mishel Koçiut dhe Entela Konomit, Galeria “Ambigu” në Montréal ka organizuar nga data 22 deri më 30 Qershor ekspozitën “L’été en couleur”. Disa herë në vit, "Ambigu" u ofron mundësinë artistëve të kombësive e shtetësive të ndryshme të regjistrohen kundrejt asnjë tarife pjesëmarrjeje.

Inxhinierja Anila Erindi nga Montréal hap ekspozitën e saj të fotografisë “Upside down” me fotografi të vendosura me kokë poshtë.

Ambasada Shqiptare në Ottawa mblodhi në fund të qershorit anëtarë të komunitetit në sallën e Galerisë së Arteve për të parë së bashku filmin shqiptar “Bota” në kuadër të javës festive “Welcoming Ottawa week”.

Disa nga shoqatat e komunitetit shqiptaro-kanadez në provincat Ontario, Nova Scotia, Alberta e Saskatchewan përkatësisht kanë zhvilluar zgjedhjet e reja për kryesinë dhe kryetarin. Në Hamilton u zgjodh kryesia e re dhe kryetari i ri Fatmir Laçi. Ramazan Këllezi, drejtuesi i Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze e Torontos gjatë tre viteve të fundit, është tërhequr nga rikandidimi dhe kryesia e zgjedhur votbesoi në këtë detyrë Bujar Zejnullahun, i cili ka qenë zv.kryetar i shoqatës në mandatin e mëparshëm dy vjeçar. Në London, Besnik Rexhvelaj është rizgjedhur për një mandat tjetër në funksionin e kryetarit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria”. Në Halifax Ardian Hasanaj nuk ka rikandiduar dhe kryetar i ri është zgjedhur Esad Rexhepi. Pas dorëheqjes së Lejdi Agos për shkak te transferimit në Ontario, në drejtimin e shoqatës në Regina është rikthyer Ajdin Kozmaqi ndërsa në Edmonton, kryetar është zgjedhur Shkumbin Pllana.

Në vitin 2019 me iniciativën e ish-ambasadorit të Kosovës Lulzim Hiseni u bë e mundur që një rrugë në Ottawa të mbajë emrin "Parasol-Kosovo". Ndërkohë, Shoqata Shqiptare “Iliria” në Regina të provincës Saskatchewan, çoi përpara përpjekjet për t’i vendosur një rruge në qytet emrin “Rruga Zeka” si dhe qeveria e provincës me kërkesën e saj shpalli Nëntorin si muajin e Trashëgimisë shqiptare.

Në kuadrin e 20-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, përfaqësitë diplomatikë të Republikës së Kosovës në Kanada në bashkëpunim me institucione kanadeze organizuan veprimtari përkujtimore.

Ndërkohë në Halifax, Nova Scotia u përkujtua 20-vjetori i mbërritjes në Kanada të refugjatëve nga Kosova. Aktiviteti u organizua nga Muzeu Kanadez i Emigracionit Halifax, Ambasada e Republikës së Kosovës dhe artisti Zeqirja Rexhepi.

Një grup prej 17 personalitetesh dhe aktivistësh të diasporës shqiptaro-kanadeze, i dērguan më 25 Gusht një letër Presidentit të International Economic Forum of the Americas, Nicholas Rémillard, në shenjë reagimi për pjesëmarrjen e Kryeminstrit Edi Rama në aktivitetin Toronto Global Forum. Letra shprehte veçanërisht shqetësimin për situatën e rëndë politike në Shqipëri. Theksojmë që ky ishte rasti i parë që nga radhët e diasporës shqiptaro-kanadeze u reagua në mënyrë të organizuar ndaj krizës politike shqiptare. Si përfundim, kryeministri shqiptar e anuloi pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet për arsye të panjohura.

Krijuesit shqiptaro-kanadezë kanë qenë mjaft produktivë gjatë 2019. Kështu gazetari i njohur i TVSH Avdulla Kënaçi boton librin e tij të dytë me tregime “Autokritika”.  

Shkrimtari Vangjush Ziko, i pranishëm rregullisht kryesisht me lirikat e tij në FlasShqip ka publikuar librin e tij “Përsiatje”, një përmbledhje me studime, esse dhe kritika.

 “Amnezia fatale” dhe “Rutina Perfekte” janë dy botimet e fundit të Artan Gjyzel Hasani, poetit, publicistit dhe shkrimtarit të njohur me banim prej vitesh në Toronto.

Gazetari i mirënjohur Arben Kallamata solli për lexuesit librin e tij të parë “Hijet e Muzgut”, një botim i "Toena", i cili u prezantua në Nëntor në Panairin e Librit në Tiranë.

Në lëmin e muzikës, një koncert bamirësie në ndihmë të shqiptarëve mblodhi në një skenë artistët shqiptaro-kanadezë dhe në publik bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në Kanada. Organizatorët e këtij aktiviteti producentja Lindita Meço dhe regjisori Ervin Meço u frymëzuan prej emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” të teologut dhe humanistit Elvis Naçi dhe artistit Sidrit Bejleri.

Më 2 Nëntor u interpretua muzikë shqiptare në Toronto nga një orkestër sinfonike falë muzikantit shqiptar Qazim Kallushi, ish-drejtues i orkestrës sinfonike të RTSH, prej vitesh i vendosur në Kanada, aktualisht Drejtor Artistik i Filharmonisë së GTA.

Këngëtari Lorandi Jazexhi, me banim në Mississauga të Ontario-s, ose siç jemi mësuar ta thërrasim, Land Korçari, ka realizuar një projekt të cilin kish vite që e ëndërronte, një bashkëpunim me legjendën e këngës nga Kosova, Sabri Fejzullahun. Bashkëpunimi solli për publikun këngën “Kam merak” me tekst dhe muzikë të Adrian Hilës.

Tragjedia e fund Nëntorit në atdhe preku zemrat e shqiptarëve kudo në botë. Kush mundi ofroi ndihmë dhe kontribut material. Diaspora shqiptaro-kanadeze dhuroi më së shumti në faqen e mbështetur nga Ambasada Shqiptare në Ottava, të tjerë të organizuar sipas shoqatave. Në nivelin spiritual Pastori Endrit Mullisi, i cili ka drejtuar dhe Kishën Ungjillore Shqiptare në Toronto për disa vjet, ftoi shqiptarët e Torontos në një takim reflektimi dhe lutjeje për bashkëatdhetarët që humbën jetën si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit.

Përpos aktiviteteve të organizuara nga shoqatat, bizneset, apo artistët të pasqyruara e të përzgjedhura në bazë të cilësisë, impaktit dhe vlerave, Flasshqip ka intervistuar gjatë 2019 mjaft personalitete të diasporës shqiptaro-kanadeze, duke u munduar t’u japë hapësirë mediatike njerëzve me kontribute të vyera për atdheun dhe komunitetin ku ata jetojnë. Të njëjtin objektiv do të vazhdojë të ketë edhe përgjatë vitit 2020, duke u mbështetur gjithashtu në bashkëpunimin e çmuar me njerëzit e letrave të diasporës dhe vendit amë. Ata janë shtylla qendrore e FlasShqip.ca dhe meritojnë një falenderim e mirënjohje maksimale.

©FlasShqip.ca