Komunitet

Ja si do të kremtohet Pashka nga shqiptarët në Toronto

  • Published in Komunitet

Jemi në javën e Pashkës, festës më të rëndësishme të Kristianizmit. Ajo përkujton ringjalljen e Jezusit që sipas Testamentit të Ri, ndodhi të pasnesërmen e Pasionit ose të Premten e shenjtë, kur Jezusi u kryqëzua.

Kjo festë do të kremtohet edhe nga komuniteti shqiptar në Toronto sipas një traditë disa vjeçare. Për ata që nuk e dinë, në Toronto janë dy komunitete të krishterësh shqiptarë te organizuar zyrtarisht. I pari ai katolik, me emërtimin Misioni Katolik Shqiptar “E lumja Nënë Tereza”, që mban emrin e Nobelistes dhe Shenjtores shqiptare Gonxhe Bojaxhiu. Organizimi i dytë, është Kisha Ungjillore Shqiptare e drejtuar nga Pastori Endrit Mullisi.

Katolikët do të kenë dy mesha këtë javë, nën drejtimin e famullitarit shqiptar me origjinë nga Kosova, Dom Ambroz Demaj. E para zhvillohet të shtunën 31 mars në mbrëmje, ora 10:00 p.m, ndërsa e dyta të dielën 1 prill, ditën e Pashkës, ora 12:30 p.m në ambientet e Our Lady of the Miraculous Medal Catholic Church, në adresën 739 Brown's Line, Etobicoke, ON.

Nga ana e tyre, besimtarët e Kishës Ungjillore Shqiptare do të takohen për të festuar të dielën më 1 prill, ora 4:00 pm, në Trinity Grace Church, adresa 826 Eglinton Avenue East, Toronto.

Pastori i Kishës Ungjillore, Endrit Mullisi, me origjinë nga Elbasani, u ka drejtuar edhe një mesazh bashkatdhetarëve nga profili i tij në rrjetin social Facebook.

“Jeni të mirëpritur me miqtë tuaj në takimin e Pashkës. Bëji nder dikujt tjetër dhe sille apo ftoje.  Mund të jetë ditë jetëndryshuese. E ku ka më mirë ta festosh Pashkën me komunitetin e njerëzve që duan Jezusin, qendrën e Pashkës dhe arsyen e vërtetë të festimit”- ka shkruar ai.

Edhe FlasShqip i uron me këtë rast të gjithë besimtarët e krishterë kudo në Kanada, Gëzuar Pashkën, festën e ringjalljes së Jezu Krishtit!

                                                                Famullitari Katolik Dom Ambroz Demaj

 

    Pastori i Kishës Ungjillore Endrit Mullisi