Komunitet

SPECIALE COVID-19: Si po përjetohet situata nga shqiptarët e Kanadasë - Nga Vancouver na shkruajnë Vangjush Saro, Bujar Llapaj e Ardian Lagji

  • Published in Komunitet

Në koherencë të plotë me misionin e tij, Portali Flasshqip.ca po ndjek me shumë vëmendje situatën e pazakontë të krijuar nga pandemia COVID-19. Si një urë lidhëze virtuale mes shqiptarëve në Kanada, nga njeri oqean në tjetrin, vendosëm t’i kushtojmë një cikël special kësaj teme, duke sjellë informacion, përjetime e mbresa nga qytetet e provincat kanadeze ku jetojnë bashkëkombasit tanë.

Nga Vancouver na shkruajnë sot tre personalitete të mirënjohura, shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro, sëbashku me dirigjentin Maestro Bujar Llapaj dhe kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në British Columbia, Ardian Lagji. Të tre kontribues të çmuar në Flasshqip.ca qysh nga dita e parë e rrugëtimit tone. Për fat, sipas informacionit që vjen prej tyre, deri tani asnjë i testuar pozitiv nga komuniteti ynë atje.

 Vangjush Saro

Në lidhje me situatën këtej, siç edhe e ndiqni në medie, pak a shumë është po ajo e provincave të tjera në Kanada. Ka një rritje të numrit të të prekurve nga virusi në fjalë; janë 9 pacientë të vdekur, kurse është raportuar për 348 të sëmurë në të gjithë Provincën. 6 të sëmurë janë shëruar, një pjesë tjetër e të prekurve janë në kurim intensiv. (Problemi i këtushëm ishte sidomos një shtëpi të moshuarish (‘Valley Care Centre’ - North Vancouver); por si kudo, raste ka edhe gjetkë, veç nën kontroll gjithnjë.

Institucionet e rëndësishme, si qeveria e provincës, entet e saj dhe politika në përgjithësi, janë të njëzëshme për vlerësimin e gjëndjes dhe përballimin e saj, më së pari dinamikën e përhapjes së virusit, kujdesin për të prekurit, më tej respektimin e rregullave dhe udhëzimeve të ekspertëve për të gjithë. Nuk ka polemika boshe. Televizionet përcjellin situatën me vërtetësi, por edhe me shumë takt, duke ia besuar fjalën më së pari zyrtarëve përgjegjës, mjekëve të specializuar; nuk mungojnë edhe përshtypjet dhe përvojat e qytetarëve.

Shkollat dhe universitetet janë mbyllur, po ashtu disa institucione shtetërore, qendrat e çlodhjes e pishinat, por në masë janë ‘ngrirë’ edhe një sërë ente private; punonjësit janë këshilluar të rrinë në shtëpi për një kohë të pacaktuar, udhëzohen të gjithë të kufizojnë lëvizjet, si të sillen në rast se iu duhet të frekuentojnë dyqanet; një pjesë e madhe e të punësuarve punojnë nga shtëpia. Ka ente, edhe universitete, administrata e të cilëve, me njëlloj grafiku, duket disa orë nëpër zyra... Nuk punojnë baret dhe restorantet; por disa prej tyre vazhdojnë shërbimin në ecje e sipër (drive-through). Mjetet e transportit publik (skajtren e autobuzë) dezinfektohen çdo mbrëmje, pas përdorimit.

Nuk ka ende kufizime për lëvizjet e njerëzve, dalin, shëtisin, bëjnë pazar, sadoqë ndjehet ‘bezdia’ e sëmundjes shkatërruese dhe gjithnjë e kudo dallon përpjekjet për të ruajtur distancat. Në Vancouver (sidomos në Downtwon) dhe White Rock, duke parë kohën e mirë, njerëzit kanë dalë shëtitje këto ditë, sidomos anës oqeanit dhe në pika turistike. Shoqatat e Shqiptarëve në British Columbia, përmes blogut të saj, por edhe me anë të faqeve të drejtuesve në rrjetet sociale, ka sensibilizuar problematikën në fjalë. Drejtuesit kanë treguar vëmendjen e tyre për situatën, duke përsëritur detyrimet kryesore të qytetarëve dhe duke përcjellë thirrje për kujdes dhe mirëkuptim në këto kohë të vështira.

Natyrisht, vizitat, takimet, mbrëmjet shoqërore dhe me miq - e këtu kam parasysh edhe përvojën e familjes dhe rrethit tim shoqëror - janë pezulluar për momentin. Le të shpresojmë se kjo e keqe do të fillojë të mpaket. Solidaritet me familjet që kanë pasur viktima apo i kanë njerëzit nëpër spitale. Të lutemi për paqe e për ditë më të mira. 

 Bujar Llapaj

Uroj vetëm shëndet për gjithkënd. Shëndet në radhë të parë, sepse sikur e kishim harruar, ose anashkaluar këtë urim kombëtar. Ne shumicën e kohës e kalojmë në shtëpi, është kohë për të përfunduar ca punë të lëna pas dore. Për shembull sot përfundova dixhitalizimin e Koncertit për orkestër harqesh të Thoma Gaqit. Kohën e dytë, Adagio, e luajta në Vancouver në Janar, me West Coast Simphony Orchestra. Tani po i bëj një redaktim dhe do ta shpërndaj për mundësinë e interpretimit gjithandej. Si shqiptarë komunikojmë me telefon, si komunitet nuk di që të ketë ndonjë organizim të veçantë për këtë situatë, por kryetari, Ardian Lagji, ka çuar një email ku shpreh gatishmërinë dhe mbështetjen e shoqatës për këdo që do të ketë nevojë. Natyrisht që Kanadaja është një shtet i mirëorganizuar dhe besoj se do kalohet kjo "luftë për jetën" edhe me ndihmën dhe vetëkujdesjen e gjithësecilit.

 Ardian Lagji

Si të gjithë, edhe ne po e ndjekim me shumë kujdes situatën. Dje u kemi nisur një mesazh me email të gjithë anëtarëve të komunitetit me disa informacione specifike mbi virusin. Si të bëjnë kujdes dhe të ndjekin këshillat e specialistëve të mjekësisë. Ku të paraqiten nëse kanë nevojë për ekzaminim (self assessment) si dhe çfarë mund të bëjnë e si mund ta kalojnë vetë-izolimin me fëmijët dhe familjen. Për sa jam i informuar, nuk kemi asnjë rast të prekur në komunitetin tonë. Po e monitorojmë situatën përmes telefonit dhe kontaktit onlinë si dhe po u kushtojmë vëmendje familjeve që kanë prindërit e moshuar këtu. Të gjithë anëtarët e kryesisë së shoqatës janë të angazhuar. Ju falenderoj për interesin dhe përpjekjet tuaja në këtë situatë të pazakontë që po e kthen jetën e gjithësëcilit në një drejtim të panjohur e të vështirë. I përshëndes gjithë bashkëatdhetarët kudo që janë në Kanada dhe ju uroj shëndet të plotë e të paprekur!

©Flasshqip.ca